118 votat për Vetting-un, Rama: Të vazhdojë ta pastrojë deri në fund llumin. Nuk pati negociata me dy PD-të
Pas mbledhjes së Kryesisë së PS, kryeministri Edi Rama e cilësoi si moment të mirë që 118 votat shkruan pro zgjatjes së afatave të Vetting-ut. Po ashtu kreu i qeverisë tha se kjo punë nuk ndalet këtu, por që ”të vazhdojë ta pastrojë deri në fund llumin”.
Po ashtu Rama theksoi se nuk pati negociata për të marrë vota për Vetting-un, pasi sipas kreut të qeverisë ka dy PD, ”ne nuk negociojmë me asnjërën”.
“Ne kemi zgjatjen e mandatit për një proces të dhimbshëm, i vështirë, proces me pjesët e veta shumë pozitve dhe me elementë problematikë. Proces pastrimi të një llumi të madh në një vend që s’ka pasur drejtësi kurrë si në vendet që i shikojmë me zili. Arra me mjaltë, janë dy PD, nuk negociojmë me asnjërën”.
Në lidhje me zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 6 mars, kryeministri u shpreh optimist për rezultatin e PS-së. ”Në mbledhjen e Kryesisë kemi folur për zgjedhjet lokale, për numrat. Kemi një mekanizëm të kolauduar që na jep numrat në territor dhe pozicionin që kemi në 6 bashkitë. Besoj që do të kemi rezultat shumë pozitiv”.