13 tetori në votime, 18 tetori si fitore në BE

Konflikti politik po vazhdon duke ngjitur spiralen e krizës. Votimet e 30 qershorit dhe marrja me forcë e bashkive të opozitës nga ana e mazhorancës e ka rritur temperaturën politike. Ndërkohë gushti hyri dhe do ikë me të shpejtë, pasi vjeshta vjen me vrap, sikurse data 18 tetor është te dera. Kjo datë shënon vendimin final të BE kundrejt Shqipërisë. Nëse nuk e marrin statusin me 18 tetor ka rrezik që procesi të fillojë nga fillimi duke humbur edhe këto shkallë që kemi arritur ndër vite. Kryeministri Rama nuk zbythet aspak nga vendimi i tij. Por as Lulzim Basha nuk ka ndërmend të rishikojë ndonjë mundësi kompromisi parimor për të shkuar në 18 tetor të përbashkuar përballë skepticizmit të Brukselit.

Ndaj doli dje në mesditë presidenti Meta në një konferencë shtypi. Prioriteti i tij ishte, siç e deklaroi, vetëm marrja e statusit të Shqipërisë për në BE me datë 18 tetor. “Askush nuk duhet të ketë iluzionin se çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese kur të bëhet funksionale mund t’i japë legjitimitet 30 qershorit, pasi dekretet e Presidentit janë në fuqi”, ka thënë më tej Meta duke dhënë alternativën e tij për zgjidhjen e krizës në vend, që sipas tij rrezikon përshkallëzimin. “Në mendjen time ekziston vetëm një datë, 18 tetori, se e kanë vendosur të tjerë, ajo që ne kemi vendosur bashkë është që Shqipëria të bëhet si gjithë Evropa. Nuk është ashtu si ka deklaruar Hahn që 80% e shqiptarëve e përkrahin këtë, por 100% e shqiptarëve.  Është edhe një ditë provimi se integrimi është çështje standardesh dhe jo dëshirash. Unë insistoj të evitoj përshkallëzimin e kësaj krize që ndërkohë vazhdon, sqaroj se në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje shtetërore”, shtoi Presidenti.

Më tej Ilir Meta foli me një gjuhë të shqetsuar se palët politike nuk po gjejnë ura kompromisi në favor të statusit kandidat në BE. Bile ofroi edhe dorëheqjen e tij në rast se i duhet kësaj date madhore për vendin tonë. Por natyrisht edhe sugjeroi se kujt mund t’ia lerë karriken e Presidentit. Ishte pikërisht socialisti më korrekt dhe më i civilizuar ndër radhët e PS, Rexhep Meidani, për të cilin Meta ia lëshon me qejf e garanci për shtetin, vendin si president. Presidenti theksoi se” Në rast se e kërkon kryeministri, Presidenti është i gatshëm të lërë edhe detyrën e Presidentit të Republikës gjithmonë duke konkurruar më 13 tetor, përpara qytetarëve shqiptarë, por vetëm me një kusht.

Që të mos jetë President në fushatë, kushti i vetëm është që në këtë Zyrë të vijë një njeri me shumë integritet, i cili ka qenë në këtë Zyrë dhe që ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik qëndron mbi çdo gjë tjetër. Që nuk e ha as shantazhin dhe as presionin, për shembull siç është Profesor Rexhep Meidani. Këtë gjë nuk e kam biseduar me njeri, por jam i sigurt se dy-tri çështje të rëndësisë kombëtare, që trajtohen nga kjo Zyrë, ai do t’i mbronte ndoshta edhe më mirë se sa unë. Të mos bëjmë sikur nuk e shohim thellimin e krizës”. Ndër të tjera Ilir Meta kërkoi dje me insistim se duhen tre palë zgjedhje me 13 tetor; zgjedhje lokale, zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje për presidentin direkt nga populli. Vetëm në këtë mënyrë largohet kriza e madhe politike dhe përplasja civile. Qytetarët e Republikës votojnë në një ditë për të trija çështjet që shqetsojnë vendin e shoqërinë shqiptare.

Mesazhi ishte me pak fjalë: Çdo sakrificë për datën 18 tetor kur do të vendosë BE për statusin e Shqipërisë./Alban Mati/

SHKARKO APP