15 fëmijë të heronjve që humbën jetën në krye të detyrës marrin statusin e veçantë! Rama: Gjithmonë do jemi me ju
15 fëmijë, bij të heronjve që sakrifikuan jetën në krye të detyrës apo shpëtuan jetë të tjera, kanë marrë statusin e veçantë ”Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”. Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, priti sot në zyrën e tij, fëmijët dhe familjarët e majorit Klodian Tanushi dhe të mjekut Leonard Kamberi.
“Ne na vjen mirë që e kemi krijuar mundësinë që t’i japim mbështetje të plotë fëmijëve që faktikisht duhet të kenë 150% të pagës deri kur të dalin në jetë. Asgjë nuk e kthen prindin, por në të tilla raste, këta janë fëmijë të Republikës sepse baballarët e tyre ishin shërbëtorë të denjë të Republikës dhe heronj. Ju uroj që të jenë të denjë për babin dhe mamin natyrisht se motra është e vogël akoma dhe ne do të jemi gjatë të gjithë kohës me ju. Edhe kur të mos jemi ne, këtë ligj nuk e ndryshon njeri se nuk ka arsye”, tha Rama.
Major Klodian Tanushi dhe nentetar Zarife Hasanaj, ishin pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “EnhancedForwardPresence” në Letoni, u ndanë nga jeta në maj të vitit 2019 në një mision për asgjësimin e municioneve eksplozive në Letoni. Mjeku Kamberi humbi jetën në moshën 47-vjeçare pasi ishte infektuar me Covid-19. Ai ishte i shtruar për rreth dy javë në spital, por gjendja u përkeqësua, dhe për pasojë humbi jetën më 8 dhjetor 2020.
Paketa e mbështetjes për fëmijët në përkujdesje të Republikës, ja çfarë përfitojnë fëmijët:
– 100 për qind të pagës së prindit për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën, ka vetëm një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,
– 70 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka dy fëmijë të mitur;
– 50 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka tre fëmijë ;
– 40 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka katër fëmijë;
– 30 për qind për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.