18 Qershori – Mblidhet sot Komisioni për reformën zgjedhore
Zgjedhjet e 18 qershorit, BE ekspertizë për përdorimin ose jo të teknologjisë – PDIU e LIBRA pro numërimit elektronik. PR kërkon numërim dhe votim, ndryshe bojkot
Nga Herion Mesi
Pas një sërë takimesh “të fshehta”, Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore ka vendosur të hapë dyert për mediat, ku në mbledhjen e sotme pritet që palët të përplasen mes tyre lidhur me propozimet e bëra gjatë këtyre ditëve për përdorimin e teknologjisë në zgjedhjet e 18 qershorit, për lista të hapura, transparencën e financimit të partive politike, të drejta të barabarta televizive, etj.
Një ditë më parë Ambasadorja e Bashkimit Euriopian në Tiranë, Romana Vlahutin, thirri në një takim partitë e vogla parlamentare për të diskutuar mbi shqetësimin për zgjedhje të lira.
Bashkimi Evropian, ka ofruar ekspertë për të diskutuar me përfaqësues të partive politike shqiptare mbi mundësinë e aplikimit të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet parlamentare. Garancia ka ardhur gjatë një takimi të thirrur nga Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin me përfaqësuesit e partive të vogla parlamentare, diskutim i cili vjen pas paralajmërimit të opozitës për bojkot të parlamentit në qoftë se nuk pranohet përdorimi i teknologjisë, si garanci e një procesi të lirë e të ndershëm zgjedhor. Pas thuajse dy orësh diskutim në zyrat e delegacionit të Bashkimit Europian, përfaqësues të partive të vogla thanë për mediat se nga takimi me Romana Vlahutin dalin të dakordësuar mbi mundësinë e administrimit teknologjik të numërimit të votave për zgjedhjet e ardhshme. Por partitë e vogla ndahen për sa i përket teknologjisë, ku ato të rreshtuara pranë opozitës si Partia Republikane kërkojnë votim dhe numërim elektronik të votave në 18 qershor, ndërsa Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, por dhe partia “LIBRA” propozon që elektronika të përdoret vetëm në numërim e votave.
Aleatët e PD-së
Për aleatët e Partisë Demokratike, zgjedhjet edhe mund të shtyhen me qëllim pasqyrimin në ligj të gjithë instrumenteve që garantojnë standardet. Një gjë e tillë u deklarua dje nga kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i cili u shpreh se është e papranueshme dhe absurde qëndrimi i mazhorancës e cila i kushtëzon kërkesat e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme me afatin kohor të komisionit për reformën zgjedhore. “Bashkimi Europian është i interesuar për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Për këtë arsye ka organizuar këtë tryezë për të njohur opinionet e partive të tjera, përveç PS-së dhe PD-së, për sa i përket reformës zgjedhore dhe në respektim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Mendoj që të gjithë bëmë një qëndrim unanim që nuk ka pasur vullnet politik të mazhorancës për të pasur një komision ad-hoc funksional. Ajo që është më e rëndësishme është që ne të shkojmë në një funksionim sa më të shpejtë të komisionit të reformës zgjedhore, dhe do të ishte e papranueshme dhe absurde që çdo gjë që ka të bëjë me zgjedhje të lira dhe të ndershme ta kushtëzojë me afatin kohor të komisionit. Çdo opsion, çdo formë, çdo organizim, çdo lëvizje që i shërben zgjedhjeve të lira e të ndershme besoj se është e detyrueshme që të jetë një veprim politik dhe organizativ i opozitës shqiptare. Kostoja e manipulimit të zgjedhjeve është një kosto shumë herë më e madhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë se sa kostoja kohore apo financiare për të realizuar standardet për votimin elektronik, identifikimin elektronik, numërimin elektronik, etj., një seri elementësh që do të garantonin këtë proces zgjedhor duke u nisur nga problemet që kemi pasur në zgjedhjet e fundit, dhe njëkohësisht në ato që ka parashtruar OSBE/ODIHR-i”- u shpreh kreu i PR-së, Fatmir Mediu.
Aleatët e PS-së
Votimi dhe numërimi elektronik ishte pjesë e diskutimit në këtë takim të organizuar dje nga ambasada e BE në Tiranë, e ku forcat politike të pranishme në këtë tryezë shpalosën propozimet e tyre. Mesila Doda nga PDIU dha opsionet e forcës së saj politike për këtë cështje. “Ajo që është më kryesorja është çështja e sistemit, e cila deri më sot është kontrolluar nga dy partitë kryesore të cilët kanë numëruar votën për të gjitha partitë e tjera. Thënë ndryshe, deri më sot ka qenë modeli stalinist: që populli voton dhe disa parti numërojnë. Kjo ka një konflikt interesi thelbësor. Është lënë së bashku me ambasadoren që të kemi një tryezë në rang ekspertësh, të cilët kanë një eksperiencë të veçantë për sistemet zgjedhore dhe se si janë trajtuar votimet dhe numërimet elektronike të votave në vende të ndryshme të botës. Pra, do të ketë disa ekspertë që do të vinë dhe do të tregojnë se kush janë mënyrat se si është trajtuar në vende të ndryshme. Çdo herë që teknologjia futet, sjell një përmirësim të sistemit, dhe këtu jemi dakort të gjithë, por nuk mund të ketë vetëm besueshmëri ndaj teknologjisë pa pasur një votë fizike. Pasi ndodh që këtu në Shqipëri edhe me vota fizike ndodh që nuk kemi një rezultat real. Votimi dhe numërimi elektronik është më kollaj i hakueshëm shumë herë”- u shpreh deputetja e PDIU-së, Mesila Doda.
Deputetja e LIBRA-s
Deputetja e LIBRA-s menjëherë pas takimit me ambasadoren Vlahutin deklaroi për mediat se nga ana e përfaqësuesve të Bashkimit Europian u premtua që do të bëhej presion mbi partitë e mëdha politike që gjithçka është e mundshme për t’u realizuar dhe të realizohet në zgjedhjet e ardhshme. “Kërkesa kryesore e cila mbështetet shumë mirë, është kërkesa e administrimit teknologjik të zgjedhjeve të ardhshme, siç është çështja e numërimit elektronik, e cila mendojmë se do të çtensionojë mjaft presionin politik në zgjedhjet e ardhshme. U diskutua shumë edhe për mundësinë e komisioneve jopartiake të administrimit zgjedhje, çështja e përfaqësimit në media, dhe çështja shumë e rëndësishme e kontrollit të financimit të partive politike. Ne theksuam se kemi bindjen që numërimi elektronik është krejtësisht i mundshëm për t’u realizuar në zgjedhjet e ardhshme”- u shpreh Hafizi.
KOHA JONË SONDAZH

