21 Janari, Rama: Prokuroria e Tiranës pa shtyllë kurrizore, ”dosja e gjakut” duhet t’i kalojë SPAK
Kryeministri Edi Rama tha para familjarëve të viktimave të 21 Janarit, se pret që të bëhet drejtësi për këtë çështje. Për të Prokuroria e Tiranës është pa shtyllë kurrizore, dhe se ”dosja e gjakut” duhet t’i kalojë SPAK.
“Presim drejtësi për 21 janarin. Pak më shumë se prej 1 muaj nga sot, do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të 21 janarit do t’i kalojë apo jo SPAK për të hapur hetimin mbi krimin shtetëror, apo do të vazhdojë të ngelet e mbyllur, Zoti e di sa kohë, në barkun e madh të Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, pa shtyllë kurrizore. Këto janë shëmbëlltyra e drejtësisë aktualisht”, tha ai.
Rama bëri thirrje për drejtësi, që këtë radhë sipas tij, vjen me pakëz dritë në fund të tunelit për shkak të vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Sot ky përkujtim ka pakëz më shumë se sa thjesht shpresë ne errësirën e plotë të tunelit të kërkikmit të drejtësisë gjatë gjithë këtyre viteve. Prandaj sot ndryshe nga herët e tjera ne jemi së bashku jo vetëm për të përkujtuar por edhe për t’i thënë këto fjalë. Sepse ka më në fund pakëz dritë në rrugën e gjatë të këtij tuneli”.
Pas fjalimit në Kryeministri, kreu i qeverisë i shoqëruar nga familjarët e viktimave, ministra e deputetëve vendosën karafila të kuq në vendet ku mbetën të vrarë 4 persona në bulevard më 21 Janar.