Media online, fake news, te drejtat e njeriut, institucionet? Së pari të gjitha portalet duhen regjistruar në QKB

Nga Afrim Krasniqi-
Media online, fake news, te drejtat e njeriut, institucionet? Reformë?
Së pari, detyrimi për institucionet shtetërore për të bërë regjistrimin e pronësisë dhe identitetit të çdo media të çdo formë në vend. QKB nuk e ka bërë, institucionet e tjera jo dhe aktualisht nuk ka sektor tjetër publik më anonim sesa media, sidomos media e re online.
Së dyti, krijimi i mekanizmave të pavarur rregullator që monitorojnë aktivitetin e medias në dy aspekte, në ushtrimin e lirisë së gazetarëve, të drejtave sociale dhe në burimet e financimit. Aktualisht asnjë zyrë shtetërore nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e të punësuarve në media, kontratat e punës, burimet e financimit dhe pronarët e ligjshëm të tyre.
Së treti do të duhej që të kishte një reformë të thellë në funksion të transparencës dhe aksesit më të madh në informacion. Kufizimi i burimeve të informimit dhe centralizimi i tyre do të thotë investim kundër medias dhe aksesit të medias në interes të informimit publik. Ironikisht vitin që Shqipëria drejtoi OSBE dhe një më pas, mandat në të cilin liria e medias ishte prioritet, Shqipëria bëri hapa pas dhe kontrolli mbi median u bë edhe më i madh.
Së katërti do të duhej të nxitej mekanizmi vetërregullues për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, standardet e etikës dhe dialogun institucional. Ekzistojnë mekanizma të tillë për biznesin, arsimin, mjekësinë, shumë prej profesioneve të lira, por jo për median.
Së pesti, do të duhej një reformim dhe qasje e re e edukimit mediatik të institucioneve, të zyrtarëve, të nëpunësve, të brezave të rinj dhe të vetë politikanëve. Retorika denigruese ndaj medias dhe gazetarëve, e ardhur nga lart, është burim denigrimi e presioni ndaj profesionit të gazetarit dhe konceptit të medias.
Së gjashti, do të duhet të marrë fund praktika e lajmeve të gatshme nga partitë dhe institucionet, mediat private nga kryeministri dhe politikanët që drejtojnë institucione, si dhe lidhjet kriminale me median, në financim dhe mbështetje.
Së fundi, do të duhej të kishte reformë lidhur me pronësinë informale të medias dhe keqpërdorimin e saj në funksion të interesave ekonomike të oligarkisë, duke detyruar me ligj pronarët e medias të pamundësojnë financimin e saj nga bizneset e tjera personale fitimprurëse, si dhe duke mbrojtur pronësinë e licensave dhe rrjeteve publike televizive e audiovizive. Nëse pronarët ndërtues apo biznesmenë, nuk mund të përdorin fitimet e tyre për të financiar media jo rentabel, atëherë media do jetë më konkurruese, më e prirur për konkurrencë cilësore dhe numri i mediave do të shkurtohej ndjeshëm duke mbijetuar vetëm ato që kanë mbështetje nga publiku/lexuesi/dëgjuesi/shikuesi.
Ne nuk kemi përse shpikim, por duhet të marrim modele të suksesshme nga vendet që kanë kaluar sprovën e tranzicionit duke u bërë anëtarë në BE dhe modele të tilla kemi edhe në rajonin tonë, në vende që kanë edhe elementë të përbashkët me kulturën dhe traditën tonë politike. Praktika e imponimit të “policisë” mediatike, siç ishte rasti i paketës së quajtur antishpifje, në thelb ishte antireformë dhe nuk ofroi zgjidhje për asnjë nga problematikat e mësipërme, përkundrazi, zgjeroi numrin e shqetësimeve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?