26 shkolla të dëmtuara, dy në Tiranë me shirit sigurie. Pritet shembja në Bubq dhe Thumanë

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit, ka shkaktuar dëme të rënda edhe në shkollat e vendit. Sipas qeverisë, janë 26 shkolla që janë me dëme: 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Gjimnazit “Sami Frashëri” i është vendosur shiriti i sigurisë. Shkolla ka dëmtime dhe në të nuk mund të zhvillohet mësim pa ndërhyrje. Rikonstruksioni i saj është bërë në korrik të 2018 por duket se ka qenë i pjesshëm. Rreth 1000 nxënës të kësaj shkolle nuk dihet se ku do të vijojnë mësimin pas ditës së hënë.

Një tjetër shkollë në Tiranë që ka probleme është edhe “Emin Duraku” në zonën e ish-Bllokut. Shkolla përbëhet nga dy godina, fillorja dhe 9-vjeçarja të cilat si pasojë e tërmetit janë shkëputur. Nga tërmeti është dëmtuar vetëm fillorja, e cila është shtuar në vitin 2006 si pasojë e rritjes së kapacitetit. Në këtë pjesë shtesë të shkollës trarët nuk ishin vendosur mbi kolonat, por në mure. Kësaj godine i është vendosur shiriti, ndërsa pjesa tjetër e 9-vjeçarjes nuk ka pësuar dëmtime.

“Shkolla Emin Duraku, ka sistem konstruktiv me mure mbajtëse, tra dhe kolonë. Shkolla ka plasaritje të thella në muret ndarëse, dëmtim i traut të katit të tretë shtesë. Plasaritje të thella të suvasë në katin e tretë shtesë, dëmtim i parapetit në të gjithë godinën, shkëputje të shtesës nga objekti ekzistues. Bordi dhe shkolla kërkojnë shkallë emergjence. Shkolla ka dëmtime në strukturë, të pezullohet aktiviteti deri kur të bëhen përforcimet e nevojshme”,-thuhet në procesverbalin e institutit të ndërtimit.

Shkolla 9-vjeçare ”Ramazan Jangozi” në Thumanë, e cila u rikonstruktua këtë vit, ka pësuar dëme të rënda nga tërmeti dhe do të shembet ditën e sotme. Edhe shkolla e Përgjithshme ”Selman Daci” në Bubq ka dëme dhe do të shembet. 261 nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në Fushë-Krujë, ku do të vijojnë aty procesin mësimor.

Gjimnazi ”Qemal Stafa” në Tiranë e ka zbatuar udhëzimin e ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në lidhje me planin fillestar të mbrojtjes që duhet të ndërmerret në rast emergjence. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka bërë të ditur se mësuesit e kësaj shkolle janë përgatitur mirë për daljen emergjente. ”Mësuesit janë të përgatitur mirë, çdo kat me koordinatorin e tij të sigurisë dhe në çdo korridor është i publikuar plani i daljeve emergjente, masa këto të cilat garantojnë rifillimin normal të procesit mësimor”.

Procesverbali i Institutit të Ndërtimit për shkollën ”Emin Duraku”

SHKARKO APP