3 Marsi, Sali Berisha: Protesta vazhdon pavarësisht nga vendimi i Gjykatës për vulën e PD-së

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar sonte në ”Milori Live” se protesta do vazhdojë paçka vendimit të Gjykatës për vulën e PD-së. Ai theksoi se protesta e thirrur nuk është një presion ndaj Gjykatës së Tiranës, duke shtuar se beson që vendimmarrja do të jetë në favor të pluralizmit.

”Ky është revolucion, ne jemi të përgatitur për proceset legjitime zgjedhore me radhë, nuk heqim dorë nga lëvizja jonë. Nuk ka stabilitet Shqipëria me Edi Ramën. Ne ndjekim procesin zgjedhor me shumë vëmendje, ka shkelje monstruoze, të paimagjinueshme. Kjo nuk do të thotë se do e bojkotojmë, do marrim pjesë në zgjedhje dhe vazhdojmë procesin. Ka një ndërhyrje të Ramës në këtë proces, Olta Xhaçka i thotë një ambasadori para një jave se është vendosur në këtë mënyrë me gjykatësit. Po të marrim këtë dhe po të marrim deklaratën e Ballës në Kuvend tregon ndërhyrjet e tyre të jashtëzakonshme. Unë garantoj që s’ka asnjë qëllim, protesta vazhdon pavarësisht nga vendimi i Gjykatës, nuk është presion ndaj Gjykatës. Kemi një armik, e kemi të fiksuar”.

I pyetur për protestën e 3 marsit, Sali Berisha tha se ajo do të jetë paqësore dhe do të japë mesazhe të rëndësishme. “Fillon në ora 12 të ditës, vazhdon me programin e saj, mesazhet e saj, vetë protesta tregon forcë, e cila nuk është vetëm dhuna, forcë është dhe paqja, komunikimi që jep. Synohet të dërgohet një mesazh i qartë se ky revolucion nuk ka të ndalur dhe se Edi Rama është një kufomë politike shumë e rrezikshme për vendin dhe më gjerë”, tha Berisha.

SHKARKO APP