3 parimet e Lulzim Bashës për Politikën e Jashtme
Kreu i PD-së, Lulzim Basha këtë të martë realizoi një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqërisë civile, në Forumin për Integrimin, ku tha se Politika e Jashtme nën drejtimin e tij do të ketë 3 parime kyçe. Partneriteti strategjik me SHBA-në që sipas tij nuk duhet të mbetet vetëm parullë, anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal efektiv.
Nga ana tjetër, Basha nënvizoi se qeveria ”Rama 2” i ka vënë shkelmin një tradite të krijuar nga Shqipëria në frymën e bashkëpunimit të politikës së jashtme.
“Për fat të keq edhe kësaj tradite i është vënë shkelmi. Qoftë s i përket qasjes për Kosovën, ku nën rrogoz është punuar kundër objektivave kombëtare të një Kosove shtet i pavarur, unik, integral në përputhje me parimet e paketës Ahtisari si kompromis kombëtar jo thjesht kosovar, por kombëtar i shqiptarëve drejt njohjes së ndërsjellë me Republikën e Serbisë dhe drejt rrugëtimit të saj për tu bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Përpjekja për ndryshim kufijsh dhe shkëmbim territoresh shkonte kundra kësaj dhe kundër arkitekturës së brishtë të paqes që u ndërtua nga SHBA, NATO dhe BE këto vite. Ishte diçka unilaterale e paparë në këto 30 vite, kur edhe në kohën kur partitë politike shqiptare kanë qenë në kulmin e armiqësisë prapë se prapë për këto çështje ka pasur gjithmonë një dakordësi”, tha Basha.
Sa i përket marrëdhënieve me Greqinë, kreu i PD-së theksoi se marrëveshja e kthyer nga Gjykata Kushtetuese duhet të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare.