Astrit Patozi: 3 variantet e hapjes së listave

Nga Astrit Patozi –

Fakti që mazhoranca kërkoi kohë për t’u menduar dhe i ra ai vrulli i çartur për ta mbyllur më 1 tetor historinë e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor është një sinjal i qartë zbythjeje. Që do të thotë se, me shumë mundësi, drafti i Damin Gjiknurit do të pësojë ndryshime dhe ky nuk është lajm i keq.
Por është ende shpejt për të fërkuar duart, pasi jam i sigurt se ustallarët janë duke u përpjekur sërish që ta mbajnë mbyllur portën e pushtetit e tyre për ta “mbrojtur” atë nga populli.
Në këtë fazë fundore të debatit mbi reformën zgjedhore, tre janë mundësitë, që mund të paraqiten për t’u votuar në parlament.
1-Të qëndrojë herësi, si koncept që nuk e hap listën 100 përqind, por të ulet pragu i tij. Ai mund të përgjysmohet, apo të shkojë edhe më poshtë, por sërish një kandidati do t’i duhet të kapërcejë një numër të caktuar për të përmbysur listën e kryetarëve. Ky është, në fakt, varianti më i keq.
2-Të hapet lista 100 përqind, siç e kanë kërkuar të gjitha partitë në opozitë, duke filluar nga Partia Demokratike, e deri tek forcat politike, që ende nuk janë krijuar. Ky është varianti optimal, i cili e ka brenda konsensusin e plotë të gjithë faktorit opozitar, por është shumë larg projektit të paraqitur nga qeveria.
3-Hapja e listës të jetë e plotë dhe reale deri në masën 70 përqind, ndërsa për pjesën tjetër partitë të ketë mundësi të zgjedhin. Që do të thotë, kush do, e hap 100 përqind listën e vet, ndërsa dikush tjetër mund ta mbajë deri në 30 përqind mbyllur. Ky është një variant i ndërmjetëm, por ndoshta duke qenë i tillë mund të shërbejë edhe si zgjidhje kompromisi.
Mundësi të katërt nuk shoh, ndaj edhe i gjithë debati duhet të fokusohet për të arritur variantin më të mirë të mundshëm, që kemi në dispozicion. Dhe këtu duhet të kemi parasysh interesin e Shqipërisë, jo të një apo disa partive.
Të jetë për ne, i ngrejmë të dy duart lart për hapjen e plotë dhe pa kushtëzime, e pranojmë deri diku edhe mbajtjen mbyllur opsionale, ndërsa refuzojmë kategorikisht herësin e Gjiknurit, qoftë edhe të reduktuar, si një instrument për të mos i hapur praktikisht listat e deputetëve.

SHKARKO APP