Kryebashkiakja e Shkodrës, Ademi: Kam bindjen që Gjykata Kushtetuese do të japë drejtësi për zgjedhjet vendore

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar për vendimin më të fundit të Gjykatës Kushtetuese që pezulloi gjykimin për padinë e saj kundrejt zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Ademi thotë se ka bindjen që Gjykata Kushtetuese do të japë drejtësi dhe do të vendoset kthimi në jetë i pluralizmit politik në nivel vendor.

Ajo thotë se raste të tilla si zgjedhjet e 30 qershorit nuk duhet të përsëriten më.

STATUSI NGA VOLTANA ADEMI

Në Gjykatën Kushtetuese sapo ka përfunduar seanca plenare për shqyrtimin e kerkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë lidhur me “zgjedhjet” e 30 qershor 2019.
Së pari, dua të falenderoj të gjitha mediat që më kanë ndjekur në këtë betejë për demokracinë dhe pluralizmin vendor.
Së dyti, falenderimi shkon për trupën e Gjykatës Kushtetuese, për kohën dhe përkushtimin e tyre në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe të drejtave të njeriut.
Ky proces ka rëndësi madhore për themelet e demokracisë dhe pluralizmit dhe shpresojmë që gjykata të kontribuojë, përmes shqyrtimit të kërkesës sonë, në rregullimin e këtyre themeleve që janë tronditur nga “zgjedhjet” e 30 qershorit dhe mos të përsëriten më të tilla raste.
Jemi krenarë nga ana tjetër, pasi është një arritje me vete që ky proces u konceptua dhe u nis nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, si pjesë e shoqërisë civile që ndërhyn për të bllokuar veprime arbitrare të politikës.
Kam bindjen që pluralizmin nuk do ta asgjësojë asnjë autokraci dhe se Gjykata Kushtetuese do të vendosë kthimin në jetë të pluralizmit politik në nivel vendor dhe për rrjedhojë edhe të demokracisë vendore.
Kam bindje që GJK do të japë drejtësi për të drejtat e qytetarëve, drejtësi kushtetuese, drejtësi për pluralizëm, drejtësi për shtet dhe pushtet pluralist, drejtësi për çdo institucion aktor dhe faktor që kanë detyrim të zbatojnë Kushtetutën dhe vetëm Kushtetutën.

SHKARKO APP