30 vite nga masakra e Capacit ku u vra gjykatësi Giovanni Falcone, heroi i luftës kundër cosa nostrës

Shkruar nga Eridion Gjetja, korespodent i KOHA JONE për Italinë

-30 vite nga masakra e Capacit ku u vra gjykatësi Giovanni Falcone: “Heroi i luftës kundër cosa nostrës”-

Në qoftë se ka një moment që ka shënuar mënyrë të pashlyeshme historinë e afërt të Italisë, ai është me siguri viti famëkeq 1992. Ekzaktësisht më 23 maj të 30 viteve më parë ekzekutohej, në një atentat shkatërrues, gjykatësi Giovanni Falcone, një ndër simbolet e luftës kundër mafies dhe krimit të organizuar.

Atë pasdite, gjatë udhëtimit nga aeroporti i Punta Raisi drejt Palermos, në daljen e njohur me emrin Capaci- një shpërthim i fuqishëm i 5 kuintalëve tritol, i radio-komanduar nga njerëz të cosa nostrës- i mori jetën gjykatësit Giovanni Falcone, bashkëshortes së tij dhe tre nga pjesëtarëve të eskortës që e shoqëronin.

Vrasja e tij do të ishte një ndër ngjarjet e bujshme të atij viti që lëkunden nga themelet strukturat e shtetit italian.

I lindur në Palermo më 18 maj të 1939-tës, Falcone mbuloi pozicione të ndryshme në sistemin gjyqësor italian dhe në mars të 1991-shit u emërua “Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve Penale” pranë Ministrisë së Drejtësisë. Një magjistrat brilant të cilit i detyrohemi njohjen e organigrameve dhe mekanizmeve të mafies, dhe si rrjedhojë, instrumenteve për ta mposhtur atë.

Punoi krah më krah me mikun e tij të fëmijërisë, Paolo Borsellinon, me të cilin ndau për shumë vite dëshirën për të “ngritur në triumf” drejtësinë, por për fat të keq edhe të njëjtin fund tragjik. Së bashku janë arkitektët e proçesit penal më të madh të organizuar ndonjëherë kundër cosa nostrës, për llogari të drejtësisë italiane.

“Maxiproçesi” mund të konsiderohet si kulmi i rrugëtimit të tij profesional, ku dhe u zbërthye për herë të parë sistemi kriminal i tipit mafioz. Bindja se mund të kishte ndërhyrje apo atentate ndaj dy super gjykatësve bëri që përpunimi i dokumentacionit për fazat fillestare të proçesit, të realizohej në ishullin e Azinarës, asokohe koloni penale e Republikës italiane. Dy gjykatësit ishin të ndërgjegjshëm për nivelin e rrezikut që u kanosej e megjithatë për asnjë moment nuk reshten së luftuari për të shëruar vendin e tyre nga ajo plagë e madhe.

Në sallën-bunker të Palermos të ndërtuar enkas për Maxiproçesin, u dënuan 346 të pandehur kundrejt plot 2265 viteve heqje lirie të akorduara nga gjykata. Goditja e fortë e dhënë krimit bëri që shumë shpejt Falcone dhe Borsellino të ktheheshin në armiqtë kryesor e mafies siçiliane. Vendimi për eliminimin e Falcones u mor nga krerët e cosa nostrës duke lënë një boshllëk tek familjarët, miqtë dhe tek populli italian. Ai që do ta vuante më së shumti mungesën e Falcones qe pikërisht Paolo Borsellino i cili do të vritej më 19 korrik të atij viti, në një atentat të ngjashëm me atë që i mori jetën mikut të tij. Ndonëse kanë kaluar 30 vite nga vdekja e tyre hetimet e shumta kanë vonuar të vërteten që të dalë nga qoshet e errëta ku ishte fshehur.

Mafia nuk është aspak e pathyeshme. Është një fakt njerëzor dhe si të gjithë faktet njerëzore ka një fillim dhe do të ketë një fund. Përkundrazi duhet të kuptojmë se është një fenomen tmerrësisht serioz dhe i rrezikshëm që nuk mund të thyhet duke pretenduar heroizmin e qytetarëve të pambrojtur por duke angazhuar në këtë betejë të gjitha forcat më të mira të institucioneve ”- shkruan Giovanni Falcone asokohe.

Por i mori jetën pikërisht mafia që dënoi.

 

 

 

SHKARKO APP