35 degët e PD-së në bojkot,”Klanet kanë ngrirë procesin”

30 qershori është afati zyrtar ku 35 degët dhe 14 degët e reja duhet të kenë përfunduar procesin

Redjon Shtylla

Opozita të gjithë vëmendjen dhe protagonizmin e ka lënë tek reforma në drejtësi si dhe te konsensusi për nenin “88”. Krahas reformës në Drejtësi, e cila është drejt fundit, ajo zgjedhore prej disa muajsh është lënë në heshtje, edhe kur opozita e ka cilësuar si më parësoren për të. Lidhur me zgjedhjet, PD-ja është shprehur se është gati të shkojë qoftë dhe në zgjedhje të parakohshme, por realiteti është larg dëshirës. Udhëzimi i datës 29 prill, i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, dalë nga vendimi i kryesisë që flet për zhvillimin e zgjedhjeve në 35 degë të Partisë Demokratike dhe shtimin e 14 degëve të reja, nuk po gjen mbështetje dhe zbatim në terren, madje, është ngrirë në shumicën e degëve. Edhe pse një parti ka nevojë për prurje të reja, në 35 degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë, ende sot nuk është mirëpritur vendimi i zgjedhjeve për strukturat. Aq më tepër nëse këtu do të shtojmë që disa krerë janë treguar mjaft rebelë dhe kanë dalë kundër partisë së tyre. Thënë më shkurt, kryesia e Partisë Demokratike nuk po gjen mbështetjen e duhur nga krerët aktualë të degëve të Partisë Demokratike, por dhe të krerëve të seksioneve dhe të grupit të seksioneve, ku dhe anëtarësia pranë kryetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë në nivel lokal, kanë dalë hapur, që janë kundër zgjedhjeve. Ky refuzim në masë i vendimeve, ka ardhur sepse shumica e degëve e ka konsideruar të paligjshëm dhe në shkelje flagrante me statutin e partisë, vendimin në fjalë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shumica e kryetarëve të 35 degëve, jo vetëm nuk kanë dhënë dorëheqjen siç ju është kërkuar, por po pamundësojnë zbatimin e udhëzimit të firmosur nga kreu Basha, lidhur me organizimin dhe plotësimin e organizatave të PD-së. Mesa duket opozita e ka pasur të vështirë të gjejë konsensus edhe me të vetët sepse në mungesë së kësaj ka ardhur dhe dështimi i bisedimeve mes krerëve të rretheve dhe kryetarit Lulzim Basha, të cilët kanë kërkuar shpesh herë një takim me kreun, për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme. I gjithë ky moskonsensus, lidhet me nevojën që kërkohet për procesin e riorganizimit të partisë. Udhëzimi i datës 29 prill, i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, për zhvillimin e zgjedhjeve në 35 degë të Partisë Demokratike dhe shtimin e 14 degëve të reja. Afati që është përcaktuar si fund i procesit të zgjedhjeve është 30 qershor 2016, por deri më tani, situatë është e tillë që riorganizimet dhe zgjedhjet në shumicën e degëve nuk po funksionojnë dhe janë bllokuar. Kjo reflekton në përçarjen e partisë në nivelin bazë, si dhe mund të jetë fatale në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku PD-ja synon fitoren.

Swiss Digital Mobile Reklama

Krerët e degëve të Partisë Demokratike, krerët e seksioneve dhe të grup seksioneve, përfshirë anëtarësinë dhe përfaqësues të tjerë në nivel lokal, kanë refuzuar zbatimin e udhëzimit. Në disa dalje publike, ata janë shprehur se i konsiderojnë të paligjshëm dhe në shkelje flagrante me statutin e partisë, këto zgjedhje. Dështimi ka ardhur edhe në mungesë të bisedimeve mes krerëve të rretheve dhe kryetarit Basha, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, për procesin e riorganizimit të partisë, duke respektuar vullnetin e anëtarësisë, statutin, meritat dhe rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse. Grupet e punës janë në terren dhe kanë organizuar shpesh takime me strukturat, por mesa duket as prania e tyre në terren nuk po rezulton pozitive në shkrirjen e akujve dhe të vijimit të punës.

Reagimet

Në më pak se një javë na ndan nga afati përfundimtar, ku 35 degët të ketë përfunduar procesin zgjedhor dhe 14 degët e reja atë të riorganizimit. Por siç është thënë, procesi është në fazën fillestare sidomos në disa degë, duke përfshirë degën e Vlorës, Pogradecit, Durrësit, Dibrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës etj.. Në një prononcim për “Koha Jonë”, ish-kreu i degës së Pogradecit, Renato Preza, i cili ishte i pari që dha dorëheqjen menjëherë pas vendimit të kryesisë edhe pse si një degë fituese, edhe ajo shkoi në zgjedhje. Në pyetjen se si po shkon procesi zgjedhor në këtë degë, ai është shprehur se: “Në degën e Pogradecit ka shumë anëtarë që nuk janë duke u angazhuar në procesin e riorganizimit dhe të votimit. Në shumë seksione nuk është bërë procesi i votimi sepse pjesëmarrja ka qenë nën 7 persona, numër që është një kusht që seksioni të ekzistojë”,- ka pohuar Preza. Më tej ai ka komentuar duke shtuar se shumë anëtarë seksionesh si në fshatra dhe në qytet, nuk jam ftuar në takimet e grup seksionit dhe as në takimet e seksioneve. Kjo ka ardhur sipas Prezës sepse nuk ka pasur një mbledhje të tillë. Ndërkaq, ai pretendon dhe zbulon faktin se në ato grupseksione, ku interesat e klaneve nuk janë dakord me kryetarin e grupseksionit, kërkojnë që të bëhet zgjedhje. “Atje ku qëndrojnë interesat, këta klanorët nuk bëjnë zgjedhje! Ky lloj standardi është duke lënë një shije të keqe mes anëtarëve”, thekson ish-kreu i degës së Pogradecit. Në prononcimin e tij, Preza ka dhënë një detaj, ku shton se po përçahet partia më shumë në nivelin bazë. Sipas tij, kjo do të jetë fatale në zgjedhjet e radhës. E për pyetjen kryesore se pse ka bojkot, Preza përgjigjet se: “Nuk mund ta quash një bojkot, por një mos pajtueshmëri dhe një hezitim ndaj procesit të votimit, ndërmjet atyre që kërkojnë një votim dhe ndaj atyre, të cilët nuk gjejnë përgjigjen pse, edhe sot që flasim”,-deklaroi ish-kreu i degës së PD, Pogradec.

Bojkoti i zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike, dega Vlorë, Moisi Meminaj, tha për “Koha Jonë”, se anëtarësia e Partisë Demokratike ka bojkotuar procesin e zgjedhjeve në degët e partisë dhe procesi ka ngrirë. “Demokratët e Vlorës kanë refuzuar riorganizimin, shqetësim që e kanë përcjellë në të gjitha instancat e PDSH-së, deri te kryetari Basha, me anë të një peticioni, ku u mblodhën disa qindra firma. Tashmë procesi ka mbetur pezull, ka ngrirë. Nuk dihet se çfarë po ndodh, ka humbur busulla”,- tha më tej Moisi Meminaj. Në shumicën e degëve nuk është zhvilluar asnjë mbledhje seksioni dhe grupseksioni, si hapi i parë për procesin e zgjedhjeve dhe riorganizimit të organizatave. Sipas informacioneve të tija, ai shton se në disa degë nuk janë ngritur ende as grupet e punës. Për pasojë, kjo ka sjell me vete dhe një sfidë, e cila lidhet me përfundimin që duhet të kishte procesi i verifikimit të anëtarësisë përkatëse, për të eliminuar anëtarët fiktivë dhe zgjeruar numrin e anëtarëve realë, që edhe kjo nuk është realizuar. Pezull ka mbetur dhe ristrukturimi i degëve. Bllokimi i procesit ka pamundësuar gjithashtu përcaktimin e kandidaturave për organet drejtuese të PD, kandidatë, të cilët duhet të propozohen nga seksionet dhe grupseksionet.

Dorëheqjet

Që në fillim vendimi i kryesisë për zgjedhjen e 35 degëve, edhe në ato qyteti ku dega ka rezultuar fituese si dega e Pogradecit, kryetari i kësaj dege Renato Preza dhe dorëheqjen nga ky pozicion, pasi nuk ka qenë dakord me vendimin e kryesisë. Sipas Prezës, në Pogradec nuk duhet të zhvillohen zgjedhje sepse PD-ja në këtë zonë ka dalë forcë fituese në zgjedhjet lokale. Dhe kreu i njësisë në degën 3 në Tiranë, Uran Metko, ka dhënë dorëheqjen. Metko në reagimin e tij tha se dorëheqja e tij lidhet me mosrespektimin që bënë strukturat vendimmarrëse të partisë. Ndërkaq dorëheqje ka ndodhur edhe për kreun e PD-së, së Durrësit, pasi Osman Safa, është pushuar nga PD-ja pasi në deklaratat e tij, ka sulmuar bazën në intervista e në statuse në Facebook.

Përfundimi i zgjedhjeve sipas afatit zyrtar

Lidhur me përfundimin e afatit për riorganizimin dhe zgjedhjet në PD, në bazë të vendimit të kryesisë është vendosur që: “Mbledhjet e seksioneve duhet të zhvillohen brenda datës 30 maj 2016. Brenda datës 30 qershor 2016, grupi i punës pranë çdo dege, përfundon procesin e riorganizimit dhe fuqizimit të strukturës, si dhe zgjedhjeve të organeve të reja të degës në të gjitha nivelet. Në përfundim të këtij afati, grupi i punës raporton me shkrim pranë Kryetarit të PS-së rezultatin e këtij procesi, duke specifikuar të dhënat për identifikimin e plotë të anëtarëve për çdo njësi strukturore, masat e marra për riorganizimin, plotësimin dhe fuqizimin e strukturës me rezultatet përkatëse si dhe identifikimin e çështje të tjera për t’u zgjidhur”, thuhet në udhëzim e PD-së.
2016-06-24 08_48_28-05-06.pdf - Adobe Reader

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?