35 degët e PD-së, në kaos, zgjedhjet dështojnë 3 herë. Nuk ka kandidatë
Degët e PD-së, tejkalojnë afatet e vendosura nga kryesia e PD-së. Vijon ristrukturimi, degët e qarqeve kryesore pa kryetarë prej 3 muajsh
Nga: Redjon Shtylla
Mosfunksionimi siç duhet i strukturave në 35 degët e gjithë vendit, solli dhe vendimin për një proces të ri të riorganizimit të degëve lokale të Partisë Demokratike. Proceset tejkalojnë afatet e vendosura nga kryesia e PD-së, ku udhëzimi i datës 29 prill, i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, për zhvillimin e zgjedhjeve në 35 degë të Partisë Demokratike dhe shtimin e 14 degëve të reja, po zvarritet. Deri më tani proceset për zgjedhjet dhe riorganizimet e degëve të PD-së, kanë dështuar tre herë. Askush nuk shprehet se çfarë po pengon këtë proces të rëndësishëm për selinë blu dhe për opozitën që kërkon fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
PD-ja është shprehur se ka gati platformën dhe kërkon qeveri teknike për të siguruar votë të lirë, por realiteti është larg dëshirës. Procesi i strukturimit të degëve lokale, sipas udhëzimeve të selisë blu duhet të kishte përfunduar që në muajin qershor, por ende në degët e qyteteve të mëdha ka probleme. Kryesia e PD-së vendosi që në muajin maj që të përfundonin riorganizimin e degëve deri në datën 30 qershor, por siç duhet ky ka qenë një afat që u shkel në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Vendimi i dytë për përmbylljen e procesit u vendos data 15 korrik, por sërish pati kaos. U vendos një afat i tretë, që ishte fundi i muajit korrik dhe sërish kaosi në disa degë vazhdoi.
Aq më tepër nëse këtu do të shtojmë që disa krerë janë treguar mjaft rebelë dhe kanë dalë kundër partisë së tyre. Thënë më shkurt, kryesia e Partisë Demokratike nuk po gjen mbështetjen e duhur nga krerët aktualë të degëve të Partisë Demokratike, por dhe të krerëve të seksioneve dhe të grupit të seksioneve. Ky refuzim ka ardhur pasi në shumicën e degëve, e ka cilësuar të paligjshëm dhe në shkelje flagrante me statutin e partisë, shkuarjen në zgjedhje të degës së tyre.
Shumica e kryetarëve të 35 degëve, jo vetëm nuk kanë dhënë dorëheqjen, por po pamundësojnë zbatimin e udhëzimit të firmosur. Opozita është në kohën e saj më të ngushtë, se nuk po gjen konsensus siç e gjeti për Reformën, te degët e partisë. Kjo reflekton në përçarjen e partisë në nivel bazë, si dhe mund të jetë fatale në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Dështimi ka ardhur edhe në mungesë të bisedimeve mes krerëve të rretheve dhe kryetarit Basha, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, duke respektuar vullnetin e anëtarësisë, statutin, meritat dhe rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse. Deri në tani zgjedhjet kanë përfunduar në degën e Velipojës, ku kryetarë është zgjedhur Nikoll Marku, në Vaun e Dejës, ku është zgjedhur Agim Bushati. Në qarkun e Tiranës, qarku më i madh me plot 10 degë, vetëm në dy prej tyre kanë përfunduar procesin, ku në njësinë 12 u zgjodh Fatbardh Plaku, ndërsa në degën 7 është rikonfirmuar sërish Lefter Geshtenja. Ndërsa në qarqet e tjera ende vijon procesi, ku në degën e Durrësit, Pogradecit dhe Vlorës që në fillim u pa një krisje e degës dhe ende sot nuk janë mbledhur strukturat për të nisur proceset riorganizative.
SITUATA
Deri në tani zgjedhjet kanë përfunduar në degën e Velipojës, ku kryetarë është zgjedhur Nikoll Marku, në Vaun e Dejës, ku është zgjedhur Agim Bushati. Në qarkun e Tiranës, qarku më i madh me plot 10 degë, vetëm në 2 prej tyre kanë përfunduar procesin, ku në njësinë 12 u zgjodh Fatbardh Plaku, ndërsa në degën 7 është rikonfirmuar sërish Lefter Gështenja. Ndërsa në qarqet e tjera ende vijon procesi, ku në degën e Durrësit, Pogradecit dhe Vlorës që në fillim u pa një krisje e degës dhe ende sot nuk janë mbledhur strukturat për të nisur proceset riorganizative.
REAGIMET
Ish-kreu i degës së Pogradecit: Në shumë seksione s’është bërë votimi
Procesi është në fazën fillestare sidomos në degët kryesore, ku dhe beteja mes vetë partisë është shfaqur hapur, si një luftë kundër vendimit që dega e tyre të shkonte në zgjedhje. Dega e Vlorës, Pogradecit, Durrësit, janë ende në fazat e para. Në një prononcim për “Koha Jonë”, ish-kreu i degës së Pogradecit, Renato Preza, i cili ishte i pari që dha dorëheqjen menjëherë pas vendimit të kryesisë është shprehur se: “Në degën e Pogradecit ka shumë anëtarë që nuk janë duke u angazhuar në procesin e riorganizimit dhe të votimit. Në shumë seksione nuk është bërë procesi i votimi sepse pjesëmarrja ka qenë nën 7 persona, numër që është një kusht që seksioni të ekzistojë”,- ka pohuar Preza. Ndërkaq, ai pretendon dhe zbulon faktin se në ato grupseksione, ku interesat e klaneve nuk janë dakord me kryetarin e grupseksionit, kërkojnë që të bëhet zgjedhje.
Kreu aktual i degës së Vlorës: Procesi i zgjedhjeve ka ngrirë
Në lidhje me degën Vlorë, kreu aktual Moisi Meminaj, një kritik i hapur tha për “Koha Jonë”, se anëtarësia e Partisë Demokratike ka bojkotuar procesin e zgjedhjeve në degët e partisë dhe procesi ka ngrirë. Ai ka shtuar më tej se: “Vazhdon verifikimi i anëtarësisë, sikurse jam shprehur edhe më parë strukturat e kanë kundërshtuar riorganizimin. Për më tepër jemi përballë një ngërçi të madh pasi nuk po gjejnë dot kandidat, qoftë edhe formal për në garë, personat me kontribute refuzojnë të garojnë, risk i madh. Nuk dinë me çfarë mandati. Procesin nuk po e pengon kush. Prerja e mandatit në mes pa motiv, është një precedent i rrezikshëm për mandatet në vijim. Kryetar pa kontratë”,- tha më tej Moisi Meminaj. Sipas informacioneve të tija, ai shton se në disa degë nuk janë ngritur ende as grupet e punës. Bllokimi i procesit ka pamundësuar gjithashtu përcaktimin e kandidaturave për organet drejtuese të PD, kandidatë, të cilët duhet të propozohen nga seksionet dhe grupseksionet.
Debat ka pasur dhe dega e Himarës. I deleguari në Shtabin elektoral të Qarkut të Vlorës, Flamur Noka, nuk është pritur pozitivisht nga të vjetrit. Demokratët e Himarës e akuzojnë deputetin Noka se ka larguar nga baza e degës, anëtarë dhe simpatizantë të PD-së dhe në vend të tyre ai ka afruar njerëz të OMONIA-s dhe PBDNJ-së.
PROCEDURAT
Përfundimi i zgjedhjeve sipas afatit zyrtar
Lidhur me përfundimin e afatit për riorganizimin dhe zgjedhjet në PD, në bazë të vendimit të kryesisë ishte vendosur që brenda datës 30 qershor 2016, grupi i punës pranë çdo dege, përfundon procesin e riorganizimit dhe fuqizimit të strukturës, si dhe zgjedhjeve të organeve të reja të degës në të gjitha nivelet. Në përfundim të këtij afati, grupi i punës raporton me shkrim pranë Kryetarit të PD-së rezultatin e këtij procesi, duke specifikuar të dhënat për identifikimin e plotë të anëtarëve për çdo njësi strukturore, masat e marra për riorganizimin, plotësimin dhe fuqizimin e strukturës me rezultatet përkatëse si dhe identifikimin e çështje të tjera për t’u zgjidhur. Por edhe pas datës 15 korrik dhe pas datës 30 korrik, si data finale për finalizimin e zgjedhjeve në të gjitha degët, bëhet me dije se duhet të presim muajin shtator ose dhe më tej, për të parë nëse në 35 degët e PD dhe në 14 degët e reja, procesi do të jetë finalizuar e përmbyllur me sukses.

KOHA JONË SONDAZH

