385 kilometra Beograd Preshevë. Frikë për ç’mund të ndodhë. Priten incidente

 frika se situata mund të shpërthejë është gjithnjë e më shumë në rritje. Janë disa skenarët nga të cilët trembeshin sot në mëngjes zyrtarët shqiptarë. E para lidhet me ndonjë incident të mundshëm që mund ta shkaktojnë vetë serbët gjatë rrugës. E dyta delegacioni shqiptar i friksohet ndonjë provokimi gjatë mitingut në sallë të mbyllur nga ndonjë shqiptar i futur nga vetë serbët. Nëse fjala e kryeministrit Rama gjatë këtij mitingu, ndërpritet me gjeste apo parrulla nacionaliste dhe anti serbe, kjo do t’i jepte mundësinë palës serbe të ripërsëriste akuzat, e filluara që me ngritjen e dronit e deri tek konferenca e Ramës, se provokatorët janë gjithnjë shqiptarët. “Duke parë mënyrën sesi serbët janë sjellë deri tani, nuk përjashtohet që ata të kenë organizuar ndonjë rreng gjatë kësaj dite të dytë të vizitës”,  tha për Lapsi.al nje pjesëtar i delegacionit shqiptar që nuk donte të identifikohej. Ky përfundim vjen edhe nga fakti që incidentet nisën që dje. Portali “Presheva jonë” shkroi dje se policia serbe ka ndërhyrë duke ndaluar punonjësit e kompanisë që vendosnin flamujt në sheshet dhe rrugët që do të kalojë kryeministri Rama.

Në fillim të 2013-ës, në Preshevë u hoq lapidari i UÇPMB-së në mënyrë të dhunshme nga ushtria serbe. Sot, për 28 dëshmorët janë vënë 28 kurora me lule. Lulet janë vënë në formë lapidari në prag të vizitës së kryeministrit Rama. Kurorat gjenden në sheshin para selisë së Komunës së Preshevës. Edhe ky akt është bërë në shenjë simbolike për vizitën e Ramës. Mirëpo shumë nga njerëzit që kanë dashur të vëne parrulla dhe simbole kombëtare janë arrestuar dje nga policia serbe. Zyrtarët e këtij vendi janë tepër të shqetësuar sidomos pas mosmarveshjeve të djeshme mes dy kryeministrave dhe qëndrimeve të Edi Ramës. Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu, duke e komentuar vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, ka theksuar se shefi i qeverisë shqiptare e ka prezantuar dhe mbrojtur çështjen e shqiptarëve në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Shpresoj se deklaratat e shefit të qeverisë shqiptare, nuk do të mbeten vetëm fjalë dhe premtime. Mesazhi i sotëm i kryeministrit shqiptar tregon se shqiptarët e Luginës së Preshevës, do të jenë më afër Tiranës, po ashtu edhe Prishtinës. Mirëpo, besoj fuqishëm se edhe këto dy qendra shqiptare do të jenë më afër banorëve në Luginës”, ka thënë Musliu.
Ai më tutje ka shtuar se sjelljet e sotme të lidershipit serb, treguan se kemi të bëjmë me një spektakël, ku serbët treguan se ende vuajnë nga nacionalizmi, gjuha e urrejtjes dhe se nuk kanë shumë vullnet për ta zgjidhur problemin e shqiptarëve, veçanërisht në Luginën e Preshevës.
“Unë mendoj se nga Beogradi zyrtar, edhe pas këtyre deklaratave, nuk pritet diçka qe mund t’i plotësojë kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve të Luginës”, ka shtuar Musliu. 
Por sipas zyrtarëve shqiptarë nga Beogradi sot mund të pritet edhe shumë më keq. Një provokim i ri? Një situatë që faji ti mbetet në derë shqiptarëve? Ende nuk dihet. 385 kilometrat që ndajnë kryeqytetin serb, nga trojet ku jetojnë shqiptarët e Serbisë janë distanca e gjatë që mban të ngërthyer këtë mister.

SHKARKO APP