4 skenarë të besueshëm për fundin e luftës ruse në Ukrainë

Rusia nuk tërhiqet dhe po vijon të sulmojë dhe të bombardojë Ukrainën në të gjithë territorin e saj. Bota po e dënon me forcë agresionin rus, si me anën e sanksione që po tentohet të goditet Rusia, por duket se janë 4 skenarë të besueshëm për fundin e luftës ruse në Ukrainë.

Nga Barry Pavel, Peter Engelke & Jeffrey Cimmino

Skenari nr.1: Ukraina reziston, dhe Putini nis të tërhiqet me turp

E përforcuar nga ndihma ushtarake e dhënë nga vendet anëtare të NATO-s, rezistenca ushtarake dhe civile e Ukrainës kapërcen çdo lloj parashikimi fillestar dhe arrin të ndalë përparimin e ushtrisë ruse, duke e penguar Vladimir Putin të rrëzojë qeverinë demokratike të Kievit dhe të vendosë atje një regjim kukull. Në kushtet e kostove shumë të larta, shoqëruar me kolapsin ekonomik dhe izolimin diplomatik, Putin urdhëron një tërheqje të trupave të tij. Ukraina mbetet një demokraci sovrane, ndërsa humbja e Moskës shton ndjeshëm pakënaqësinë e brendshme që tashmë nis të shfaqet në të gjithë Rusinë.

Skenari 2: Konflikti shndërrohet në një “moçalishte” pa një fitues të qartë

Rusia ia del ta rrëzojë qeverinë e Ukrainës dhe të vendosë atje një regjim kukull. Por as forcat e armatosura të Ukrainës dhe as popullsia e saj nuk janë gati të dorëzohen. Popullata organizon një kryengritje me bazë të gjerë, të mirë-armatosur dhe mirë-koordinuar kundër pushtuesve. Kryengritja ukrainase i imponon Rusisë një kosto të madhe e të qëndrueshme njerëzore dhe financiare, e cila është e detyruar të shpenzojë shumë më tepër nga burimet e saj për një periudhë shumë më të gjatë kohore nga sa e kishte parashikuar. Vendet e NATO-s ofrojnë ndihmë të fshehtë, por të fuqishme mbrojtëse për rezistencën ukrainase. Konflikti boshatis arkën e shtetit duke e detyruar Moskën që të tërhiqet pas shkaktimit të një kasaphane të vërtetë. Prestigji i Putinit në sytë e rusëve është i rrënuar, ndërsa pozitat e tij lëkunden, teksa elitat dyshojnë nëse ai është i aftë të vijojë të drejtojë Rusinë.

Skenari nr.3: Ngrihet sërish një “Perde e Hekurt”

Në fund Ukraina bie në duart e Rusisë. Rezistenca kundër një qeverie kukull të vendosur në Kiev nga Putini mbetet e fortë edhe është e gjithë-pranishme, por shtypet me forcë dhe nuk rezulton aq e fortë sa të përbëjë një sfidë të rëndësishme për forcat ruse që mbeten në Ukrainë. Një “Perde e re e Hekurt” ngrihet në Europën Lindore, duke kaluar përgjatë kufijve të shteteve baltike në veri, përmes atyre si Polonia, Sllovakia, Hungaria dhe Rumania në jug. Ndërsa Rusia përballet me kosto të mëdha ekonomike, Putini e forcon pushtetin e tij brenda vendit, duke shtypur akoma më me forcë çdo zë kundër. Ashtu si me “Perden e parë të Hekurt”, përçarja e re në zemër të Evropës sjell me vete një listë të njohur rreziqesh dhe pasigurish.

Skenari nr.4: Një luftë NATO-Rusi

Skenari më i rrezikshëm për të ardhmen e Europës dhe rendit global, është ai në të cilin konflikti në Ukrainë, krijon terrenin për një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis NATO-s dhe Rusisë. Në rast se forcat ruse do të kenë në ditët e ardhshme një përparim të shpejtë në Ukrainë, dhe arrijnë një kontroll efektiv mbi vendin, Putini mund ta kthejë vëmendjen tek shtetet që ai i lakmon si pjesë e dëshirës për të rindërtuar një sferë ndikimi që shtrihet gjerësisht me territorin e ish-Bashkimit Sovjetik. Putin mund të ushqejë besimin se NATO do të tërhiqet; vetë aleanca këmbëngul se do të reagojë ashpër kundër çdo inkursion ushtarak rus ndaj një shteti anëtar.

SHKARKO APP