”400 familje në mëshirë të fatit”/Basha me minatorët në Kalimash: Frontet e punës do të rihapen
Kreu i PD, Lulzim Basha, ndodhet ditën e sotme në qytetin e Kukësit, ku ka biseduar edhe me minatorë të pa punë të Kalimashit. Ata u shprehën se për shkak të një gjobe të vënë në mënyrë abuzive, kanë një vit e gjysmë që 400 familje janë lënë në mëshirë të fatit.
”Unë do të kërkoja nga qeveria e ardhshme, nga qeveria juaj, që të shikohet renta minerare e cila sot vetëm 5% i kthehet banorëve, i kthehet pushtetit lokal. Sot e më shumë se një vit. Jo sot, po flas ka një vit e gjysmë, për shkak të një gjobe abuzive për mendimin tim, për më gjatë punonjësit që kanë punuar aty, që janë 400 familje të cilët sot nuk kanë të ardhura, nuk kanë mundësi të rrisin fëmijët, por sot gjithë secili ka mendimin e vet. Të bëhet fëmija 18 vjeç dhe të ikë në Angli, të ikë nëpër Europë ndërkohë që ne duam që të ardhmen tonë ta ndërtojmë këtu në vendin tonë, një vend i pasur. Dhe kjo vjen për shkak të keqmenaxhimit dhe jo për shkak se nuk kemi burime natyrore apo njerëz, apo specialista. Kështu që ne shpresojmë që me ardhjen tuaj në qeveri të kemi një vëmendje të shtuar jo vetëm për Kukësin por për të gjithë Shqipërinë ama të përqendrohet tek komuniteti ku banojnë dhe jetojnë njerëzit”,-u shpreh Avni Gërmizi.
Minatorët patën ankesa edhe për kryetarin e bashkisë Kukës, ku sipas tyre di të vendos vetëm gjoba dhe asnjë punë nuk ka bërë për kuksianët. ”Kryetari i bashkisë turp të ketë! Ai është njeri, me ja thënë disa llafe ngjan keq. Njeri i papërshtatshëm për Kukësin fare, se ai veç ka qejf paret i ka qejf, punën hiç! Edhe ajo firmë ka ndërtuar një fabrikë që, e kam thënë edhe atëherë që nuk i ka ardhur Shqipërisë ajo lloj fabrike. Fabrikë e re e pastër, 9.5 milionë euro ka bërë me e ndërtuar me pajisje, ndërsa aty ai ka vendosur një gjobë 52 milionë euro. Është turp me e dëgjuar kush, një kryetar bashkie, 52 milionë euro gjobë me ndërtuar edhe 5 fabrika të tjera sa kjo, është e tmerrshme, është e tmerrshme, është një fabrikë asnjë pikë uji nuk derdh në lumë. Na ka lodhur, na ka mërzitur aq fort sa s’ta merr mendja, deri sa çfarë me të thënë fjalën e fundit, ça është fjala e fundit kur bëhet me të dalë shpirti, deri aty jemi mërzitur me këta njerëz, sepse mendojnë vetëm për xhepat”,-u shpreh një nga minatorët.
Basha tha se keqqeverisja e 8 viteve është ndier më shumë në qytetin e Kukësit dhe këtë e tregon ikja masive e njerëzve. Ai u zotua para minatorëve se masat e para që do marrë do të jenë çlirimi i vargonjve që mbajnë ekonominë peng, si dhe ngritjen e një strukture të posaçme e cila do të merret me transparencën e burimeve natyrore të Shqipërisë. Ai gjithashtu tha se me taksën 9%, sipërmarrja shqiptare do të ketë mundësi të hap fabrika të reja të cilat përkthehen në vende pune.
“Unë ju falënderoj nga zemra për këtë takim. Herën e fundit kemi qenë shumë afër në fabrikë dhe madje edhe rojet u shqetësuan përse u afruam aq shumë e donin me na larguar. Donin me na larguar me qëllimin e vetëm të fshehin të vërtetën por e vërteta nuk fshihet dot më. E vërteta është njësoj si ajo fabrikë që ka ngec dhe që është e fikur ashtu është fikur edhe Shqipëria 8 vite për shkak të Edi Ramës. 8 vite pa arritur asgjë për njerëzit, 8 vite premtime boshe, 8 vite ku një vend i pasur dhe një trevë e pasur siç është treva e Kukësit, këtë pasuri me duart e Edi Ramës ia ka dhënë vetëm një grushti njerëzish.
Kam parë me sytë e mi si është zbrazur Kukësi këto vite dhe sa më shumë zbrazet Kukësi aq më shumë rëndohesh retorika dhe gjuha boshe e kryeministri në ikje dhe e qeverisë në ikje. Ndaj, sot duhet të jem i kursyer në fjalë. Masat e para që do marrim do të jenë çlirimi i vargonjve që mbajnë ekonominë peng, që mbajnë pasuritë e Kukësit peng. Vargonj të tillë si trau i rrugës së kombit që do të hiqen, vargonj të tillë si korrupsioni. Korrupsioni politik është arsyeja e vetme pse ju jeni sot pa punë, korrupsioni politik është arsyeja e vetme pse vuajnë naftëtarët dhe minatorët. Korrupsioni politik është arsyeja e vetme pse pasuritë e mëdha që do ishin bekim në çdo situatë tjetër, për çdo popull tjetër janë kthyer në mallkim për ju dhe për familjet tuaja. Dhe unë ua jap fjalën se masat e para që do marrim është që këto pasuri t’i kthejmë në funksion të mirëqenies tuaj.
Të gjithë sipërmarrësit e ndershëm, investitorët vendas dhe të huaj do të kenë tek qeveria ime një mbështetje të fuqishme për t’i rindezur fabrikat, për të hapur fabrika të reja, për të hapur fronte të reja pune. Dhe këto janë qëllimet kryesore të planit tonë ekonomik, taksa e sheshtë 9%, ulja e çmimit të karburantit, ulja e çmimit të energjisë për ata që prodhojnë dhe për ata që eksportojnë prodhimet shqiptare, ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore kanë një qëllim madhor, të vejë në lëvizje ingranazhet e ekonomisë, të rihapi frontet e punës, të ripunësoj dhe të punësojë rininë e Kukësit, ata që kanë punuar dhe kanë humbur vendet e punës për shkak të padrejtësive dhe korrupsionit qeveritar dhe të rrisë rrogat, të rrisë pagat që mos të punojë për lëmoshë, mos punojnë për të mbajt frymën gjallë, por të punojnë me dinjitet siç punojnë minatorët, e përpunuesit, e naftëtarët në gjithë vendet e tjera atje ku qeveria kryen detyrën e vet. Dhe unë ju garantoj se mbas 25 prillit qeveria që do të zgjidhni me votën tuaj, qeveria ime, ndryshimin e parë që do të sjellë do të jetë një qeveri që do të punojë për ju.
Këtë zotim jua kam bërë kur kemi qenë shumë afër asaj fabrikë të mbyllur dhe sot jua përsëris, ajo fabrikë do të hapet shumë shpejt, e shumë të tjera do të hapen. Frontet e punës do të rihapen sepse problemi është i shkaktuar nga politika dhe do të zgjidhet nga politika. Nga një ekip, njerëz që ju i njihni personalisht, njihni historitë e tyre personale dhe familjare që gjithë jetën e tyre e kanë ndërtuar në bazë të ndershmërisë, të punës, të dinjitetit, të integritetit e jo të hajdutllëkut, e të analfabetizmit. J’ua thashë dhe naftëtarëve, po jua them dhe ju, do të kemi një strukturë të posaçme e cila do të merret me transparencën e burimeve natyrore të Shqipërisë. Dhe ata zyrtarë që do të merren me këto çështje do të jenë në një vëzhgim kaq të rreptë, pata mundësinë ta them dhe mbrëmë në një emision televiziv, saqë do të duket Vetting-u si shëtitje në park”,– u shpreh Basha.