440 anëtarë të rinj i bashkohen PS-së në Vorë, Veliaj: Bashkëpunimi me njerëzit është formula jonë e fitores
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u uroi mirëseardhjen 440 anëtarëve të rinj të PS-së në Vorë. Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se ndihet krenar që Partisë Socialiste po i bashkohen njerëz të talentuar dhe që shohin vetëm përpara.
“Nuk e mendonte kush që, në një zonë ku ne kemi qenë në opozitë prej shumë vitesh, do vinim tek një ditë ku Partia Socialiste do fitonte me mbi 73-74% dhe do kishim sot një hapje kaq të madhe për djem, për vajza, për burra, gra, për njerëz që i bashkohen kësaj force me një energji të jashtëzakonshme. Ma keni bërë zemrën mal sot!
Gjërat janë absolutisht më mirë se ç’kanë qenë. Unë nuk e mbaj mend kurrë Tiranën kaq mirë, Vorën, Kamzën, kaq mirë. Por, edhe kur gjërat shkojnë relativisht mirë, ka gjithmonë një familje që mund të ketë një nevojë, është gjithmonë dikush që e ka një hall. Ndaj, dua që në këtë organizim politik të mos harrojmë atë organizimin njerëzor. Mbi të gjitha ne jemi familje, pastaj jemi edhe parti, dhe si familje politike kemi edhe fitoret tona.
Kur dëgjoj njerëzit që bëjnë dallimet mes forcave të ndryshme, sigurisht mund të ketë bindje, mund të ketë ide, sistem ndryshe taksimi, por një gjë që njerëzit e thonë gjithmonë për partinë tonë, për familjen tonë është: Ata kanë njerëzillëkun. Ky njerëzillëk, ky bashkëpunim me njerëzit, është formula jonë e fitores dhe do vazhdojë të jetë mirësia që do na afrojë njerëz të tjerë e do na çojë përpara në fitore të tjera”, tha Veliaj.