5 vite SPAK, SHBA paralajmëron politikën shqiptare: Zgjasni mandatin për prokurorët e Posaçëm!
Në 5 vjetorin e Prokurorisë së Posaçme, zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof përcolli mesazhin e qartë nga Departamenti Amerikan i Shtetit drejtuar politikës.
Kasanof garantoi se SHBA do të vijojë të mbështesë reformën në drejtësi, por në veçanti punën e SPAK, ndërsa kujtoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm detyrë e SPAK.
“Pavarësia e SPAK mbetet vendimtare. Për të siguruar që SPAK të vijojë në të ardhmen luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejojnë të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar e korrupsionit në historinë shqiptare. Nëse mandati i tyre mbaron, rrezikoni humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë dhe njohurive të tyre institucionale”, tha Kansof.
Ky ishte paralajmërim publik e zyrtar nga SHBA ndaj politikës shqiptare, e cila ka votën për ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK. Dihet se shefi i SPAK Altin Dumani ka kërkuar në emër të SPAK që t’iu lejohet me ndryshimet ligjore e kushtetuese të pritshme, që prokurorët e SPAK të kenë të drejtën për të rikandiduar.
Në të vertetë Shqipëria ka nevojë për SPAK-un edhe të paktën 15 vite të tjera në mënyrë që të çrrënjësohet korrupsioni si kulturë politike e pas vitit 1991 si dhe të shkatërrohen grupet kriminale.
KRONIKA E ZERI I AMERIKES:
Ndërsa Struktura e Posaçme shqiptare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK shënoi sot 5 vjet nga nisja e veprimtarisë, diplomatë të lartë amerikanë theksuan sot mbështetjen e plotë të SHBA-së ndaj këtij institucioni të ri dhe bënë thirrje që prokurorëve të posaçëm t’u mundësohet, pas mbarimit të mandatit nëntë vjeçar, riaplikimi për të shërbyer përsëri në këtë fushë të vështirë.
Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Alexander Kasanof, mori pjesë sot në tubimin ceremonial të pesë vjetorit të SPAK-ut në Tiranë, ku deklaroi se “ky është institucioni publik më i besueshëm në Shqipëri”, që po bën “përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare”, ndaj duhet siguruar vazhdimësia e kësaj lufte pa ndërprerje e për këtë prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Ai tha se “dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë këtë luftë si dhe rrezikon humbjen e profesionistëve më me përvojë në këtë fushë”.
Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, u shpall disa ditë më parë nga SHBA-të kampion për luftën ndaj korrupsionit. Ai më herët u ka kërkar institucioneve që të vlerësojnë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të posaçëm për një mandat tjetër në mënyrë që të vazhdojnë punën e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa Kushtetuta parashikon që mandati i tyre është nëntë vjet dhe pa të drejtë rizgjedhjeje, ndaj që të mundësohet riaplikimi nevojiten ndryshime kushtetuese nga Kuvendi.
Zëvendës-ndihmës Sekretari Kasanof tha se guximi dhe vullneti për të luftuar krimin dhe korrupsionin me energji të qëndrueshme janë sot po aq të rëndësishme sa në fillim të reformës në sistemin e drejtësisë, ndërsa këto rezultate janë thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejtë anëtarësimit në BE.
“Arrestimet, procedimet penale dhe dënimet tuaja të jashtëzakonshme sikurse i keni parë këtu nga zoti Dumani, bënë që ata që dikur ishin të paprekshëm, të flasin shumë. Puna juaj frymëzon besimin se prova do të ndiqet brenda kornizës së ligjit pavarësisht se ku, pavarësisht se drejt kujt çojnë hetimet. Asnjë nuk është mbi ligjin”, tha zoti Kasanof.
Ai theksoi se pavarësia e SPAK-ut mbetet vendimtare, por ai nuk mund të zgjidhë i vetëm gjithë problemet e vendit, ndaj edhe institucionet e tjera duhet të tregojnë guxim, të ndërtojnë besimin e publikut dhe të veprojnë me integritet, sepse lufta kundër korrupsionit është detyrë për të gjithë.
KOHA JONË SONDAZH

