76 vota pro dhe 32 kundër, votohen ndryshimet në qeveri. PD donte debat
Me 76 vota pro dhe 32 kundër, ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku është votuar në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend si zv/kryeministre. Edhe Majlinda Dhuka është votuar si kryenegociatore me BE, po me 76 vota pro dhe 32 kundër.
Lindita Nikolla: Dekret nr.13835, datë 26.7.2022 “Për shkarkim Zëvendëskryeministri dhe ministri”, Votat: pro 103, kundër 3, absetim 0. Dekret nr.13836, datë 26.7.2022 “Për emërim ministri”: Votat: pro 76, kundër 32. Dekret nr.13837, datë 26.7.2022 “Për emërim Zëvendëskryeministri” Votat: pro 76, kundër 32, dekreti miratohet.
Në seancë plenare pati një diskutim nëse kjo seancë duhej shoqëruar me debat apo jo. Si kurrë më parë, Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berisha ishin në një mendje dhe kërkuan debat, ndërsa mazhoranca tha jo.
“Është një vendim i cili merret në kuadrin e monizmit të plotë të vendosur nga mazhoranca e drogës dhe e krimit. Në këtë rast dua t’i them Edi Ramës se çdo lloj xhakete që të veshësh e zhveshësh, asgjë nuk të heq qyrkun e vjedhësit. Në rast se do flisnim, do u faktonim shqiptarëve se padrinoja i Arben Ahmetaj e ka emrin tender begu Edi Rama. Në emër të ligjit të këtij parlamenti, hap debate siç parashikon rregullorja dhe mos përdorni arbitraritetin”, tha Berisha.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla sulmoi Sali Berishën dhe Ilir Metën për deklaratat e tyre në drejtim të kryetares së Autoritetit të Dosjeve lidhur me dosjen e I.M. Balla tha se është e papranueshme se si një non-grata dhe bashkëpunëtorët e sigurimit të sulmojnë të përndjekurit politikë.
Kryeministri Edi Rama argumentoi se këto ndryshime, me faktin se procesi rindërtimit u mbyll dhe fokusi që qeveria do ketë për punën e saj, do të jetë tek energjia dhe tek integrimi. Opozita kërkoi që votimi i dekreteve të shoqërohet edhe me debat në Kuvendin e Shqipërisë.