9 nëntori, Dita e fatit për gjermanët
9 nëntori është një ndër datat më të rëndësishme të historisë së re gjermane. Një ditë, me të cilën gjermanët sjellin në kujtëse tmerrin dhe gëzimin, që nga nata e pogromit 1938 e deri tek rënia e Murit të Berlinit 1989.
9 nëntori – Dita e fatit të gjermanëve
Më 9 nëntor Gjermania feston 28 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Një ngjarje që ndryshoi botën. As një vit më vonë, më 3 tetor 1990, Gjermania u ribashkua pas 41 vitesh ndarjeje. Me rrëzimin e diktaturës së dytë në tokën gjermane, pra fundin e RDGJ-së, u zhduk nga harta politike kampi real-socialst në Evropë. Konflikti Perëndim-Lindje përfundoi. 9 nëntori 1989 ishte një ditë me rëndësi të veçantë për historinë e Gjermanisë dhe Evropës.
Philipp Scheidemann shpall Gjermaninë Republikë, 9 nëntor 1918.
09.11.1918
Por në kalendarin historik gjerman 9 nëntori ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në epoka të tjera: Më 9 nëntor 1918 socialdemokrati Philipp Scheidemann, deklaroi nga një ballkon i Reichstag-ut (parlamenti) në Berlin se Gjermania ishte tashmë Republikë. Monarkia e perandorit Wilhelm II. kishte marrë fund: “Punëtorë dhe ushtarë, ndërgjegjësohuni mbi kuptimin historik që sjell kjo ditë. Ka ndodhur diçka e padëgjuar: Do të hasemi me punë të mëdha dhe të vështira. Gjithçka për popullin, gjithçka me popullin. Nuk do të lejohet të ndodhë asgjë që mund të cënojë nderin e lëvizjes punëtore. Jini të bashkuar, të sinqertë dhe të përgjegjshëm. E vjetra dhe e krisura – monarkia – u shemb. Rroftë e reja, rroftë Republika e Gjermanisë.”
9 nëntor 1923 në Mynih – Puçi i Hitlerit
09.11.1923
Demokracia e re në Gjermania pati një fillim të vështirë. Të majtët dhe të djathtët donin ta rrëzonin atë sa më parë. Më 9 nëntor 1923 në Mynih qindra nacionalsocialistë (nazistë) vërshuan drejt ndërtesave shtetërore në një përpjekje për puç. Udhëheqësi i tyre ishte Adolf Hitler, i cili 10 vite më vonë do të merrte në mënyrë totalisht ligjore pushtetin në Gjermani dhe do të shkaktonte krizën më të madhe në histori: Luftën e Dytë Botërore.
Nata e kristaltë – Djegia e sinagogave në Gjermani, 9 nëntor 1938.
09.11.1938
Gjatë kësaj lufte hebrenjtë (të ashtuquajturit çifutë) u luftuan sistematikisht, deri sa në vitin 1942 filloi zhdukja plotë e tyre. Më 9 nëntor 1938, pra para fillimit të Luftës, në mbarë Gjermaninë iu vu zjarri sinagogave, dyqanet çifute u shkatërruan pothuajse të gjitha. Rreth 100 njerëz u vranë, 26.000 të tjerë u deportuan në kampe përqëndrimi. Pogromi u quajt në mënyrë cinike “Reichskristallnacht” dhe do të shërbente si “provë e parë gjenerale” për holokaustin. 9 nëntori 1938 është data më e tmerrshme në rradhën e ditëve historike gjermane.
09.11.1989
Një kontrast gjigand me 9 nëntorin 1989, ditën e rënies së Murit të Berlinit. “E pabesueshme” ishte fjala që dëgjohej më shpesh atë natë, kur qytetarëve të RDGJ-së ju hapën krejt papritur kufinjtë. Në fakt muaj më parë ishin zhvilluar demonstrata kundër regjimit totalitar të shtetit RDGJ. Mijëra njerëz kishin hyrë në ambasadën e RFGJ-së dhe të disa vendeve evropiano-lindore duke kërkuar azil politik. Presioni për të lehtësuar mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të RDGJ-së kishte muaj që rritej nga dita në ditë. Por me atë që ndodhi më 9 nëntor 1989 nuk kish llogaritur kush: Kur gjatë një konference ndërkombëtare në Berlinin Lindor u deklarua, se do të hynin menjëherë në fuqi ligje të reja për lëvizjen e lirë, nuk kishte më asnjë mundësi për t´i ndaluar masat. Dhjetëra mijëra njerëz kaluan menjëherë kufirin e brendshëm të qytetit të ndarë Berlin. Gëzimi ishte në kuptimin e plotë të fjalës `pakufinj’: “Pak më parë i linin njerëzit të kalonin me rradhë, por pastaj i hapën portat. Dhe tani mund të kalojmë të gjithë pa treguar pashaportat apo gjë tjetër. Pa kontrolle. Unë s´kam letërnjoftim me vete.”
9 nëntor 1989
09.11.1989
Pas kësaj nate nuk kishte më kthim mbrapa. E çara e parë në Murin e Berlinit solli shëmbjen e plotë të sistemit të sëmurë. Data 9 nëntor shkruajti për herë të katërt histori gjermane – por këtë rradhë histori të mrekullueshme. Këtë fakt nuk e ndryshojnë dot as vështirësitë që solli në Gjermani rënia e Murit të Berlinit. Krijimi i njësisë së brendshme ka nevojë për më shumë kohë se sa ribashkimi shtetëror.