A do tërhiqet nga politika? Majlinda Bregu: Në shtator mund të nis punë sërish në auditor

Një nga zërat më kritik të PD-së sot, deputetja Majlinda Bregu deklaron se do t’i kthehet auditorëve të universitetit në shtator. A po largohet ajo nga politika?

E ftuar në Këndin e Ekselencës në emisionin Vila 24 të News 24, Bregu nuk bëri të ditur nëse do të largohej nga politika në përfundim të kësaj legjislature, por la të nënkuptohet se në shtator kishte dëshirë t’i rikthehej punës si pedagoge në universitet.

“Në shtator mund të nis punë sërish në auditor. Unë e kam dashuruar gjithë kohën punën me studentët. Në momentin që mora vendimin për të vijuar full-¬time në televizion në atë kohë, në TVSH, i kisha të dyja propozimet dhe vendosa të punoja me kohë të plotë në fakultet”- tha Bregu.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndonëse la të nënkuptohet se mund të tërhiqet nga politika për t’ju kthyer pasionit për botën akademike,  Bregu nuk pranoi t’i vinte një notë kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Basha por sqaroi se çfarë e shqetësonte në drejtimin e tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nuk mund të vë notë për një provim. Nuk më shqetëson një notë për Bashën, më shqetëson socializmi, krijimi i një dinamike funksionale grupi që askush të mos e ndjejë veten të përjashtuar”,- tha deputetja.

“Nuk do ishte kohë e lehtë për askënd që do të zëvendësonte Berishën, askush nuk do ta kishte të lehtë. Cikli është i vështirë kur partia ndërron kryetarin historik. Partitë tani gjithnjë e më shumë po shihen si forma organizimi tek të cilat qytetarët po shtojnë dozat e mosbesimit. Por nuk kam pse përsëris veten. Unë them që PD duhet të përcaktojë kufijtë e vetes. Ne bëmë koalicion me një parti të majtë, vendi pati qeverisje por nuk funksionoi ngjizja politike. Pati konsumim të brendshëm”,- shtoi më tej Bregu.

Bregu u shpreh e qartë se nuk ishte dakord që Partia Demokratike të bënte sërish aleancë me një parti të majtë si në rastin e LSI-së, ndërsa shtoi se tashmë partia duhet të luftonte fort që të mos shpërbëhej.

“Jo, e kam thënë hapur, për sa kohë që PD ka një qëllim, të vazhdojë të mbetet forcë kryesore në vend, duhet të kthehet vëmendja tek e djathta, për të mos shkuar drejt një shpërbërje, të formësohet partia me forcat e djathta. Mua më intereson që PD të jetë forcë kryesore në vend”,- tha Bregu.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?