A duhet Basha të kërkojë kthimin e figurave historike të PD-së në selinë blu për zgjedhje?
Po shkohet nga pak e përditë drejt një fushate elektorale për vitin 2021, e cila ka filluar nga kryeministri Rama që këto ditë në Fier dhe Vlorë. Opozita po zbaton në mënyrë strikte ligjin e emergjencës dhe realisht ka kontribuar në përmirësimin e situatës së koronavirusit duke sugjeruar qeverisë ide dhe alternativa për situatën. Sikurse edhe ka kritikuar apo denoncuar raste korruptive në kohë pandemie apo pse kryeministri nuk lejon testimin në masë të popullsisë. Apo së paku në “zonat e kuqe”.
Gjithsesi opozita do përgëzuar se nuk nxiti popullsinë e mbyllur brenda në varfëri të shpërthente dyert e të dilnin në bulevard apo siç ndodhi në SHBA kur populli mori armët dhe hyri në parlament. Zëri Amerikës raportonte se në shtetin e Miçiganit në SHBA qytetarët kanë reaguar ashpër ndaj masave bllokuese të ekonomisë për të frenuar koronavirusin. Po kështu edhe BBC shtonte se qytetarë të armatosur kanë shkuar në mbledhjen dhomës së përfaqësuesve të këtij shteti dhe kanë kërkuar anulimin e izolimit të biznesit dhe qytetarëve.
Nuk po themi se opozita shqiptare dhe populli i raskapitur të merrte armët dhe të rrethonte parlamentin, pasi shqiptarët e shkrepin armën e jo si amerikanët që i kishin në mënyrë simbolike e demonstrative. Por opozita duhet të dalë nga kafazi i selive të tyre. Kryeministri Rama atë lojë po synon që me ligj deri me 23 qershor të mos lejojë asnjë tubim apo miniprotestë opozitare, ndërkohë që vetë ka dalë në fushatë. Ai po bën fushatë duke shfrytëzuar “babaxhanin” e kombit dhe sipas burimeve brenda selisë së PS, do të miratojë në Kodin Zgjedhor që prill ose maj 2021 të jenë zgjedhjet parlamentare të radhës.
Po Opozita?
Jo më sugjeruese ndaj kryeministrit!
Jo më në kafaz!
PD-ja pikësëpëri si forca udhëheqëse e Opozitës duhet të riformatohet pa komplekse, nëse don të rikthehet në pushtet. Ajo duhet të ribashkojë krejt ikonat e saj historike, duke filluar që nga Jozefina Topalli e krejt aradha e thinjave të selisë blu. Nëse lë mënjanë inatet si Basha apo Topalli, si njëri apo tjetri në selinë blu, PD-ja ka shansin të prekë pushtetin.
Por gjithnjë do jetë LSI, forca që do përcaktojë qeverinë e re. Ajo gjithnjë ka qenë për aksion, edhe kur PD-ja shikonte në bisht të syrit nga kryeministria, kur ndodhej në bulevard.
Tani kemi hyrë në vitin e fundit të kësaj qeverie që kishte “tepsinë dhe tortën” dhe që nuk la “embëlsirë” pa ngrënë në këto tre vite.