A e blenë shqiptarët statusin? Ndikimi i fortë çek në proçes
Nga Mimoza Picari.
Shqipëria aplikoi për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE në 28 prill të 2009 nën Presidencën çeke. Dosja u dorëzua në Pragë nga kryeministri Sali Berisha. Shqipëria e mori statusin në qershor të 2014 nën bekimin e fortë të komisionerit çek Stefan Fyle.
Sfondi i fortë i ndikimit çek sot bëhet edhe më i qarte se më parë. Fillon me blerjen e 76 perqind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes me një vlerë 102 milion euro në mars të 2009 nga kompania çeke ÇEZ me pozita të forta në tregun europian, vetëm një muaj nga dorëzimi i aplikimit për statusin.
Dhe vazhdon me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes me çekët e ÇEZ Shpërndarje në qershor 2014 që erdhi si pasojë e heqjes së liçensës në janar të vitit 2013 nga Qeveria demokrate.
Mosmarrëveshjet mes qeverisë së re socialiste të Edi Ramës nuk u zgjidhën në arbitrazh, pasi pala shqiptare ofroi paqe dhe 95 milion euro dhe çekët u tërhoqën nga arbitrazhi ku kishin kërkuar 260 milion euro dëmshpërblim.
Armëpushimi erdhi vetëm pak dite para se Shqipëria të merte statusin e vendit kandidat, një proçes në të cilin Çekia kishte rolin e saj të fuqishem, sepse nën dritën e zhvillimeve të reja sot mësohet se ajo e ka përdorur veton si kusht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompanisë ÇEZ me palën shqiptare.
Sot të gjithë kanë të drejtë të pyesin pa ndrojë se mund të bëjnë ndonjë mëkat. A e blenë shumë shtrenjtë statsuin e tyre të vendit kandidat shqiptarët.
Janez Kopac, shtator 2015: Ne si sekretariat ishim shumë të përfshirë në këtë çështje. Marrëveshje përfundimtare mes CEZ dhe qeverisë shqiptare është nënshkruar në zyrën time dhe ishte kusht që të hiqej vetoja nga ana e Republikës Çeke në kohën e bisedimeve për dhënien e statusit të vendit kandidat. 2 orë pasi është nënshkruar marrëveshja në zyrën time, Çekia hoqi veton”.
Berisha, shtator 2015: Nuk e quaj aspak normal qëndrimin e zotit. Kopac për të cilin kam respekt. Nuk është normale që të thotë se u firmos në zyrën time marrëveshja. Po pse ti duhet të ishe kumbari i marrëveshjes? Ç’punë kishte ti me marrëveshjen? Se pastaj më duhet të shtroj pyetjen: A keni ndonjë lidhje me ÇEZ dhe a keni konflikt interesi? Dhe kjo nuk di të ketë asnjë lidhje, por nuk mundet një zyrtar nga Brukseli të shkulet dhe të vijë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese të parlamentit për tu thënë shqiptarëve se ajo marrëveshje që firmosi Edi Rama, pas gjysëm ore hoqi veton. Atëherë del ajo që tha Sali Berisha, marrëveshja u firmos në kulisa dhe është marrëveshje kulisash në kurriz të shqiptarëve.
Ruçi, shtator 2015: Ore Zotëri, këtu kemi qenë, të gjithë shqiptarët kujtojnë kur ju keni ushtruar të drejtën sovrane për të bërë kërkesa për statusin kandidat. U nisët drejt Çekisë meqë kishte Presidencën dhe u përqafuat dhe e quajtët rezultat të madh që ai u pranoi kërkesën kur të gjitha institucionet e Parlementit Europian thoshin jo nuk është koha, nuk është momenti që Shqipëria të bëjë këreksë tani në këtë moment. Dhe ju e bëtë, pse e bëtë? E bëtë pikërisht se i kishit bërë qokën. Minimumi ti kishit dhënën një ndërmarrje jo tregtare siç thoni ju, por me mazhorancë shtetërore.
Dhe pas këtyre deklaratave qëndron e shkuara e kostos se integrimit që kaloi nga Praga, përmes kompanisë çeke ÇEZ.
Vetëm një muaj para aplikimit për marrjen e statusit në Pragë nga kryeministri Sali Berisha në 2009, bëhet privatizimi i Operatorit të Sisemit të Shpërndarjes me vlerë 102 milion euro.
Marrëveshja u cilësua historike nga qeveria demokrate në ditën e nënshkrimit të saj me drejtues të kompanisë çeke.
Ruli, mars 2009: Sot në distancën e kohës e kuptojmë më mirë se në çdo moment që ka qenë padyshim momenti më i rëndësishëm , më i guximshëm dhe më strategjik që kjo qeveri ka marrë përgjatë këtij mandati
Por a ishte vlera e vertetë e kompanisë 102 milion euro? Opozita socialiste në atq kohe tha jo.
Ahmetaj, nëntor 2012: Në vitin 2007 vlera e kompanisë ka qenë 187.5 milion dollarë, po brenda 2007 i është bërë një vlerësim që e ka ulur vlerën e kompanisë gati 2 herë e gjysëm, këtu i është ulur vlera OSSH me qëllim.
Harasani, mars 2009: Të premten Qeveria shqiptare në një vendim të saj i ka ulur gati në gjysëm vlerën OSSH së privatizuar, borxhet e saj i kalojnë KESH, asetet i mbeten OSSH. Një kompani që vetëm katër vjet më parë arrinte të nxirrte fitim në 100 milion euro sot shitet vetëm me gjysmën e këtij çmimi.
Ruli, mars 2009: Të paktën kini 5 minuta durim dhe lexoni njëherë letrën para se të hidheni në këtë sulm frontal, direkt të paragjykuar. Dhe unë them mos u ngut, se dokumentat, kontratat, gjithë koncepti do të vijë së shpejti në parlament për tu miratuar. para se të lëshojmë broçkulla të tilla që i përgjysmuam vlerën kompanisë apo jo.
Ahmetaj, tetor 2012: Që në Kuvendin e Shqipërisë është dorëzuar një kontratë me anekse bosh. Këtu duhet të përfshiheshin një sërë detyrimesh kontraktuale që privatizuesi do duhet të kishte, ashtu siç do të duhet të kishte dhe qeveri shqiptare.
Entuziazmi i qeverisë nuk zgjati shumë. Opozita e kishte vënë në shënjestër privatizimin e OSSH dhe llogaritë vijoi ti bëjë të ftohta.
Ahmetaj, nëntor 2012: Është zvogëluar në vitin 2010 në vetëm 26 milion dollarë dhe ka vazhduar në vitin 2011 të reduktohet në 13.4 dollarë dhe nga të dhënat operative që kemi për 2012, kompania po kalon në pasuri negative, në kapital negativ.
Rama, nëntor 2012: Sot ÇEZ është praktikisht i falimentuar.
Vjeshta e vitit 2012 ishte e vështirë për të gjitha llogaritë, ato të qeverisë, të opozitës, të kompanisë ÇEZ Shpërndarje dhe për vetë qytetarët.
Dosjet voluminoze për mbifaturime të energjisë dhe blerje të saj me çmim me të lartë se tregu u depozituan në prokurori, humbjet prekën shifrën 40%, dhe investimet nuk u realizuan.
Qeveria shqiptare ishte përballë dështimit të plotë të këtij privatizimi.
Në këto kushte ÇEZ Shpërndarje i hiqet liçensa në janar të 2013.
Braçe, shkurt 2013: Kjo që ndodhi me kompaninë ÇEZ i kanë bërë gropën sistemit elektroenergjitik shqiptar.Duke ju kujtuar atë mesazh që ju erdhi dje nga Bullgaria, të ndenjurat janë tuajat, karriget janë të popullit.
Gropa aty kish qenë, por tani po dukej edhe më e zezë nën dritën e zbulimeve të reja pas dështimit të thellë. ÇEZ thjesht nuk e mbushi edhe pse kur e privatizoi OSSH, drejtues të saj dhe Qeverisë folën për investime qindra milion euro, por pa dhënë një shifër të saktë.
Ruli, mars 2009: Na takonte ti bindnim investitorët e intersuar në këtë garë se dukuri negative që ishin shfaqur në privatizime të ngjashme të bëra në vendet e tjera të rajonit nuk do të përsëriteshin tek ne dhe se ata do të gjenin sigurinë e nevojshme për të garantuar investime në disa qindra-milion euro.
Drejtuesi i ÇEZ, mars 2009: Ne nënshkruam këtë marrëveshje dhe jemi gati të investojmë në rrjetin e shpërndarjes shuma mjaft domethënëse parash dhe me sa mundem të deklaroj them se janë qindra miliona euro, por e kam të vështirë të jap një shifër të saktë.
Arsyet e heqjes e liçensës, demokratët i përsëritën me forcë edhe kur ishin ne opozitë, pikërisht kur socialistëve u duhej ose të shkonin në arbitrazh me kompaninë çeke ose të bënin paqe për të shmangur arbitrazhin.
Basha, korrik 2014: Në këto raporte thuhet se ÇEZ nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes sipas marrëveshjes, se kompania u shkatërrua me qëllim nga ÇEZ mëmë e cila kishte një vit që përgatitej të largohej, se paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara, se pjesa e shtetit shqiptar prej 24% ishte zeruar si vlerës, se e gjithë vlera e kompanisë ishin zeruar si vlerë, se paratë e mbledhura nuk ishin investuar por në kundërshtim të hapur me ligjin ishin transferuar në parajsa fiskale në kompanitë fantazëm të kontraktuara nga ÇEZ.
Kontrata ishte shkelur dhe liçensa u hiqet çekëve në janar 2013.
Reagimi i parë erdhi nga Çekia. Kryeministri i këtij vendi i kujtoi Qeverisë shqiptare të paren gjë tek e cila mund të ndikonte, integrimin.
Kryeministri çek, janar 2013: Marrëdhëniet mes Pragës dhe Tiranës zyrtare janë në një krizë të thellë. Vendimi i autoriteteve shqiptare për heqjen e liçencës për kompaninë çeke, ÇEZ, është një zhgënjim i madh.Ky vendim do të dëmtojë shanset që vendi të jetë pjesë e BE. Vendim tronditi besimin se Shqipëria respekton ligjin dhe se ka një mjedis shumë të mirë për investime.
KOHA JONË SONDAZH

