A e largoi Irani uraniumin para se të godiste SHBA?

Imazhet satelitore të publikuara nga Maxar Technologies tregojnë një numër të pazakontë prej 16 kamionësh të pozicionuar pranë një hyrjeje të impiantit më 19 dhe 20 qershor.
Sipas The New York Times, besohet se këto mjete mund të kenë shërbyer për të transportuar uraniumin apo pajisje të ndjeshme jashtë zonës.
Një analizë nga Qendra për Burime të Hapura në Londër sugjeron se Irani mund të ketë qenë duke përgatitur impiantin për një sulm të mundshëm.
Edhe pse ende nuk është konfirmuar se çfarë saktësisht është larguar nga objekti, një këshilltar i udhëheqësit suprem Ali Khamenei deklaroi se uraniumi i pasuruar i Iranit ‘mbetet i paprekur’ pavarësisht goditjeve amerikane.
Zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, në deklarata për The New York Times, pohojnë se ka gjasa që Irani ka zhvendosur materiale dhe pajisje të ndjeshme përpara sulmit. Imazhe të reja të kapura nga Planet Labs pas goditjeve tregojnë dëme të dukshme në impiant, përfshirë ndryshime në sipërfaqen e tokës dhe shenja të mundshme impakti nga bombat.
Burime izraelite po analizojnë gjithashtu imazhet e ditëve para sulmeve, të cilat sipas tyre, tregojnë lëvizje të ngarkesave të ndjeshme jashtë kompleksit të Fordow.
Këto zhvillime po rrisin shqetësimet për nivelin real të dëmit të shkaktuar dhe nëse qëllimi kryesor i sulmit, goditja ndaj kapaciteteve bërthamore, është përmbushur plotësisht.
Vlerësimet për dëmet e shkaktuara nga sulmet ajrore të fundit janë ende në proces, ndërsa autoritetet izraelite dhe amerikane nuk kanë arritur ende në rezultate përfundimtare.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të informacionit të inteligjencës, theksuan se analizat po vijojnë.