A ka turp klasa politike kosovare?! As përpjekja e 19-të nuk e zhbllokon Kuvendin e Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të nëntëmbëdhjetën herë me radhë që ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Të mërkurën, ligjbërësit refuzuan për të njëmbëdhjetën herë rresht që ta formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës – sipas një propozimi të bërë më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Dështimi i radhës ndodhi një ditë pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, ngulmoi se kandidatura e Haxhiut për kryetare të Kuvendit është vendim i partisë dhe se ajo nuk do të tërhiqet.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, më 21 maj, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Seanca konstituive do të vazhdojë të premten e 23 majit.