A po e shtyn Trumpi kancelaren Merkel në duart e Putinit?

A do të përmirësohen raportet mes Gjermanisë dhe Rusisë, për shkak të politikës së njëanshme të Trumpit? Kontaktet janë shpeshtuar ndërkohë që edhe vendet e tjera po veprojnë. Presidenti amerikan Donald Trump me politikën e tij të ashpër e ka ringjallur debatin politik mes Moskës dhe Berlinit. Me 11 maj është zhvilluar një telefonatë mes presidentit rus Putin dhe kancelares Merkel. Ndërsa me 15 maj do të takohen në Bruksel ministrat e jashtëm të Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës me kolegun e tyre iranian. Më 18 maj është planifikuar të mbahet në Soçi një takim mes kancelares Merkel dhe presidentit Putin.

“Në telefonatën Merkel-Putin është theksuar rëndësia e marrëveshjes për stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar”, u kumtua në Kremlin. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert shpjegoi se Putin dhe Merkel duan që të ritheksojnë së bashku me Kinën, Britaninë e Madhe dhe Francën se do t’u përmbahen marrëveshjes me Iranin. Kancelarja Merkel në Münster ka theksuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërsa daljen e SHBA nga marrëveshja atomike me Iranin e kritikoi si një veprim të njëanshëm kundër rendit ndërkombëtar.

Alternativa e dollarit amerikan

Vendimtare për marrëveshjen atomike nuk është vetëm sjellja e Europës por edhe e Kinës dhe Rusisë. Kina është importuesi më i madh i naftës nga Irani. Teherani dhe Pekini duan që në 10 vitet e ardhshme të ngrejnë tregtinë në nivelin prej më shumë se 502 miliardë euro.

Rusia ka nënshkruar me Iranin në vitin 2014 një marrëveshje energjetike 5-vjeçare në vlerë prej 20 miliardë dollarë. Me këtë marrëveshje janë anashkaluar sanksionet ndaj Teheranit. Sa për krahasim: tregtia e Gjermanisë me Iranin kap shumën prej vetëm tre miliardë euro.

Në shkurt ambasadori rus në Teheran ka paralajmëruar se Rusia po kërkon së bashku me Iranin një monedhë tjetër për tregti. Rreziku më i madh për marrëveshjen atomike janë të ashtuquajturat pasoja sekondare të sanksioneve të SHBA që bëjnë tregti me Iranin. Shqetësime të këtilla kanë edhe sipërmarrjet gjermane.

“Gorilla amerikan”

Vendimi i Trumpit ka për pasojë rivendosjen e të gjitha sanksioneve të mëparshme. Por ende nuk është e qartë se me çfarë masash do të ndëshkohen sipërmarrjet që nuk e respektojnë vendimin amerikan. Teorikisht mund të preken të gjitha sipërmarrjet që njëkohësisht bëjnë tregti me SHBA dhe Iranin. Kjo vlen edhe për Airbus, koncernin francez Total, koncernet e automjeteve Volkswagen, Peugeot, Renault dhe gjigandin e teknologjisë Siemens.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se shteti gjerman e ka të pamundur t’i mbrojë sipërmarrjet gjermane që bëjnë tregti me Iranin. “Unë nuk shoh ndonjë zgjidhje të thjeshtë për mbrojtjen e koncerneve nga sanksionet amerikane”. Maas mendon se kjo çështje duhet të trajtohet me partnerët në negociata.

Ministri i Ekonomisë Peter Altmeier, i cili do të shoqërojë kancelaren Merkel në takimin javën që vjen me presidentin Putin, u ka ofruar sipërmarrjeve të prekura këshilla juridike dhe politike. Pala amerikane thotë se nuk mund të kuptojë qëndrimin gjerman, sepse eksportet gjermane në SHBA kanë arritur në vitin 2017 nivelin prej 118 miliardë dollarë, ndërsa me Iranin vetëm tre miliardë.

“SHBA është një gorillë i madh në skenën ndërkombëtare”, tha juristja amerikane për tregti, Judith Lee për rrjetin CNN. “Ne po përpiqemi të kontrollojmë jo vetëm sipërmarrjet tona por edhe ato të vendeve të tjera.”

Sprovat e Perëndimit

Vendimi i Trumpit shihet në Gjermani dhe Europë si një përpjekje e Uashingtonit për të vendosur rregullat juridike dhe politike amerikane edhe jashtë vendit. Shefja e SPD Andrea Nahles e ka quajtur këtë vendim si një “goditje të madhe për raportet transatlantike”.

Gazeta “Financial Times” komenton se “8 maji do të futet në histori si një ditë kur SHBA ka pranuar se nuk u beson partnerëve të vet”. Europarlamentari me përvojën më të madhe në Parlamentin Europian, Elmar Brock tha se është thellësisht i zhgënjyer. “Ky nuk është kurrfarë partneriteti”, tha ai. Europianët, Rusia dhe Kina tani janë ata, të cilët duhet të përpiqen që të ruajnë paqen në Lindjen e Mesme”.

Pasoja e parë e vendimit të Trumpit po shihet: Kina dhe Irani po afrohen mes vete. Vetëm dy ditë pas daljes së SHBA nga marrëveshja, Kina ka hapur një linjë të re hekurudhore me Iranin. Nëse koncerni francez Total i ndërpren bizneset në Iran, koncernet kineze janë të gatshme të futen menjëherë në këtë zbrazëtirë./dw/

SHKARKO APP