A po riafrohen amerikanët me Ilir Metën, duke djegur Berishën?!

Ka mbi një muaj e kusur që Ilir Meta ka marrë rolin e një “presidenti gjerman”. Parlamenti shqiptar e ka shkarkuar për shkelje kushtetute, që në fakt nuk ka asnjë shkelje. Mund të ketë diskutim se si mund të sillet një president në fushatë elektorale politike, por deri tani në asnjë nen të Kushtetutës nuk thuhet se nuk mund të flasë apo si duhet të flasë.

Tashmë dosja ndodhet në gjykatën kushtetuese, ku gjasat janë se del 4 me 3 votimi, pra nuk ka shkarkim. Edhe nëse gjykata e lartë plotësohet me 10 anëtarë e ku mund të zgjedhë 3 anëtarë nga jashtë radhëve të saj për në gjykatën kushtetuese, përsëri nuk arrihet shumica kushtetuese për shkarkim.

Me pak fjalë Presidenti e mbaron mandatin me 24 korrik 2022.

Nuk shtrohet çështja si u konvertua Ilir Meta në “president gjerman” në kohë rekord. Diçka po luhet nën rrogoz në raportet Meta-SHBA.

Ilir Meta kishte probleme publike me ambasadoren amerikane Yuri Kim. Foli gabim dhe pa asnjë takt në një emision televiziv kundër ambasadores, kur mund t’ia kishte kursyer vetes një sherr plus; e futi veten në luftë (kot së koti) kur Sekretari Amerikan i Shtetit zoti Blinken shpalli vendimin e nongrata për ish-kryeministrin Berisha.

Por me sa duket Meta, në këtë muaj si “president gjerman” është kthyer te Ilir Meta i dikurshëm; i qetë, i kujdesshëm, institucional, bashkëbisedues dhe i kujdesshëm kur flitet për SHBA.

Natyrisht që nuk ka informacione nëse ambasada amerikane ka ndryshuar kurs në raport me Presidentin e Republikës, ndonëse kemi një Meta si “president gjerman”.

Nisur edhe nga ardhja e ish-këshilltarit dhe ish i dërguari i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, njeri me shumë pushtet në administratën e presidentit Donald Trump, që takoi sot vetëm Edi Ramën kryeministër dhe Ilir Meta si president, ka gjasa se Grenell pa një “leje” nga ambasada në Tiranë nuk e ka takuar Ilir Metën.

Edhe pa një gjysëm-leje nga kryeministri Rama, nuk besohet se Grenell ka shkuar te Ilir Meta. Ndihmës- Sekretari i Amerikan Shtetit për çështjet Europiane e euroaziatike, Philip Reeker kur ishte në Tiranë sajoi njëmijë justifikime para një muaj dhe nuk e takoi Presidentin Meta. Reeker pati kohë të takonte gazetarë, njerëz të shoqërisë civile, kengëtar, etj, por jo Presidentin e Republikës.

Mesazhi amerikan ishte i qartë për presidencën shqiptare!

Por ka një muaj ku duket se dielli ka dalë kur shikon nga presidenca në drejtim të Uashingtonit, pra nuk ka më mjergull. Kjo nuk besoj se lidhet se ishte personalisht në vizitë private në SHBA!

Kjo mund të lidhet se politika amerikane po merret me ish-kryeministrin Berisha. Ambasadorja Kim ka qenë e qartë, e prerë dhe e vendosur se Sali Berisha nuk duhet të futet si deputet në parlament. Nga ana tjetër Berisha tregon kryeneçësi dhe vendosmeri, pra do hyjë në parlament.

Kjo është sfidë amerikane!

Dhe ti thuash “JO” SHBA me kaq vendosmeri, duhet të mendosh pasojat.

Me sa duket diplomacia amerikane po bën paqe me Ilir Metën që ta ketë të lehtë me Sali Berishën.

Dhe presidenca e ka nuhatur këtë sinjal amerikan. Eshtë bërë “president gjerman”, ndaj amerikanët më të rëndësishëm shkojnë tani edhe në presidencë.

Nuk është çudi që edhe ambasadorja Kim të shkojë për kafe në presidencë.

Nuk duken re të zeza mes presidencës dhe ambasadës amerikane, sepse stuhia-tordano po shkon drejt Sali Berishës.

Mjafton të shikosh statuset e sotme të Ilir Metës dhe të ambasadorit amerikan Grenell që të krijosh ide më të qartë se amerikanët janë zbutur me Ilir Metën.

Në një postim në Facebook, Meta shkruan:

Ishte kënaqësi të takoja këtë mëngjes Ambasadorin Grenell. Mbështes përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë dhe veçanërisht brezin e ri.
Përpara vizitës të tij në Jug të vendit i dhurova librin “Albania from the Air”, një botim i veçantë mbi mrekullitë natyrore shqiptare, pasi jam i sigurt se herën tjetër ai do të shpenzojë më shumë kohë për të eksploruar Shqipërinë tonë të bukur- shkruan Meta.

Në foto: Edi Rama dhe Richard Grenell sot në kryeminisri

Ish i dërguari i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ishte këtë fundjavë  në Tiranë, ku është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama.

Këtë vizitë e ka konfirmuar vetë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ku thotë se kanë konsumuar edhe një drekë ditën e djeshme.

Rrëfime ngjarjesh gjatë një dreke këtë të diel me mikun dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama – në Tiranën aq të nxehtë”, ka shkruar Grenell.

SHKARKO APP