Abuzimet e PS në fushatë, pse nuk flasin ndërkombëtarët?
Fushata elektorale po arrin kulmin që në ditët e para me shpërdorimin e buxhetit dhe përdorimit të aseteve publike të qeverisë “Rama” në fushatë. Ligjërisht, përdorimi i administratës dhe buxhetit të shtetit nga qeveria gjatë 30 ditëve të fushatës për qëllime elektorale është i ndaluar dhe ndëshkohet me gjobë. Vetëm dje, partitë e opozitës PD dhe LSI kanë bërë të paktën tre denoncime me prova dhe fakte që tregojnë sesi institucionet kanë flakur gjithë ligjet dhe kanë hyrë kokë e këmbë në fushatë. Luan Baçi, kandidati i PD në Fier, një qark që merr shumicën e parave të Ministrisë së Bujqërisë për fermerët deklaroi dje se jo vetëm po jepen para te fermerët për fushatë, por këto ditë po jepen para edhe tek ata që nuk kanë fare sera apo prodhime bujqësore. Vojo Bregu, kandidat i LSI në Vorë, publikoi dje në një deklaratë për mediat, një listë me 244 emra nga Bashkia e Vorës, të cilët janë futur vetëm pak ditë më parë në kategorinë e të dëmtuarve nga tërmeti. Lista është hartuar nga drejtuesit e PS në Bashki dhe në të gjithë rastet u jepet para në dorë për rregullim të dëmeve të tërmetit. Fakti që një listë e tillë hartohet një vit e gjysëm pas tërmetit dhe u jep qytetarëve para, 30 ditë para zgjedhjeve duket si një blerje vote e pastër.
Po dje, kandidati i PD në zonën e Unazës së Re, Belind Këlliçi publikoi me video sesi makineritë e kompanive private kanë nisur shtrimin e një rrugë në këtë lagje, pa asnjë projekt dhe pa asnjë tender. Qëllimi i investimit në këtë zonë është thjesht elektoral, sa për datën 25 prill, dhe cilësia e punimeve tregon se asfalti nuk do të jetojë më shumë se 30 ditë. Tre rastet e denoncuara dje janë vetëm një pikë ujë në lumin e madh të abuzimeve që kanë nisur nga qeveria edhe shumë kohë para fushatës elektorale. Administrata e 60 bashkive e që drejtohen nga PS prej muajsh kanë lënë punën për të cilën paguhen dhe janë futur kokë e këmbë në fushatë. Procesi i rindërtimit, legalizimet, ndihma ekonomike dhe çdo shërbim që lidhet me bashkitë është kthyer në një mekanizëm presioni për vota. Përfaqësues të bashkive u shkojnë qytetarëve në derë duke u tundur letrat dhe u kërkojnë votën ose të harrojnë njohjen e pronës, rindërtimin apo dhe ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. E njëjta gjë vlen dhe për institucionet e tjera dhe deri të ministrit. Përveç titullarit dhe këshilltarëve që mund të jenë emërime politike, pjesa tjetër e administratës duhet të jetë e pavarur dhe u ndalohet me ligj që të dalin në fushatë apo të firmosin letra për qëllime politike. Ndërkohë këto ditë shohim drejtorët më të rëndësishëm të shtetit që janë futur në fushatë dhe po blejnë vota për t’i shërbyer Rilindjes. Edhe çështja e vaksinës, nga një proces emergjent dhe ku qeveria ka detyra t’ua sigurojë qytetarëve u kthye në një çështje politike. Kontratat u bënë që në shkurt me kinezët dhe rusët, por Edi Rama zgjodhi që vaksinat të bëhen vetëm gjatë fushatës, sepse kështu qeveria del sikur ka shpëtuar njerëzit vetëm falë kryeministrit. Ndërkohë që çështja e vaksinave duhet të ishte e fundit gjë me të cilën duhet të bëhej politikë. Çdo qeveri ka detyrim t’i gjejë dhe nuk ka vend për mburrje. Nuk u blenë as me lekët e Edi Ramës dhe as me lekët e PS. U siguruan me paratë e buxhetit të shtetit dhe çdo shqiptar, cilado qeveri që të jetë në pushtet, ka punuar aq sa të meritojë vaksinën. Abuzimet që po kryhen hapur në fushatë vënë në pikëpyetje gjithë standardet e zgjedhjeve. KQZ ka detyrim t’i ndalojë, por është e bllokuar nga militantizmi politik. Ata që duhet të flasin janë ndërkombëtarët, të cilët kanë deklaruar se do të ndjekin këtë proces me detaje, por deri dje akoma heshtin. Zgjedhjet nuk cenohen vetëm kur kërcet druri në Elbasan nga militantët e PS apo kur jepen zarfe me 100 euro siç ka nisur në rrethinat e Tiranës. Zgjedhjet masakrohen edhe në sy të të gjithëve me vendosjen e administratës në shërbim të pushtetit dhe me vjedhjen e hapur të buxhetit për fushatë elektorale. Ndërkombëtarët duhet të flasin që sot dhe jo kur krimi final të ketë ndodhur, duke u shprehur me formulën e gatshme e të zakonshme se “zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë me të mira”!
Edi Rama ka sot çdo pushtet nën kontroll dhe Rilindja po bën lista për çdo punonjës administrate se sa vota sjellë, duke ua sjellë shefave të tyre me emër dhe numër telefoni. Me pas ka një urdi me njerëz që verifikojnë të dhënat.
Mili Xhani