“Acari”, Boçi: Më shumë se gripi, arsyeja e mbylljes së shkollave është infrastruktura katastrofike

Kreu i Departamentit të Arsimit në PD akuzon qeverinë për degradimin dhe mungesën e investimeve në shkolla: Janë shkatërruar në përmasa të parikuperueshme

Nga Herion Mesi

Kreu i Departamentit të Arsimit dhe Medias në Partinë Demokratike Luçiano Boçi denoncon situatën e amortizuar në shkollat e vendit, duke akuzuar drejtpërdrejtë paaftësinë e qeverisë, e cila në gjykimin e tij është jo vetëm ulëritëse,-por ajo,- thotë Boçi, është bërë gjithnjë e më shumë e frikshme. Duke iu referuar situatës më të fundit që po kalon vendi si pasojë e kushteve të rënduara klimaterike, në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti demokrat teksa shpreh mbështetjen e tij për parandalimin e rëndimit të situatës gripale në vend, nënvizon faktin se në situata të ngjashme, që siç thotë ai janë periodike, shkolla ka vazhduar pa pasur nevojë për ndërprerje. “Më shumë se gripi, them që arsyeja themelore është gjendja katastrofike e infrastrukturës shkollore, e degraduar në këto katër vite dhe tërësisht e pa investuar për të përballuar klimën e ftohtë. Ka një mjerim sipëror të ambienteve shkollore kudo, ku mungojnë kushtet me minimale për të realizuar procesin mësimor. Ka një kontrast të madh midis zyrave luksoze të ministrisë së Arsimit ku vegjetojnë e shullëhen militantë mediokër dhe një shkolle, madje në mes të qytetit, ku nxënës e mësues që japin e marrin dije, ngrijnë së ftohti. Edhe ato investime që u bënë deri në 2013, janë shkatërruar në përmasa të parikuperueshme”- shprehet kreu i Departamentit të Arsimit në PD, Luçiano Boçi.

Zoti Boçi, prej ditësh vendi është përfshirë në një situatë të vështirë klimaterike, gjë që ka shkaktuar dhe një paralizim të jetës. Përtej politizimit, në fakt sa e rëndë është situata në vend?

Vendi është në darën e një të ftohti të acartë, i cili ka prekur një pjesë të kontinentit. Si zakonisht, më të prekurat mbeten zonat malore dhe kryesisht pjesa veriore dhe juglindore e Shqipërisë. Për këtë shkak, shto dhe virozën gripale stinore, ka një paralizim pothuaj total të aktiviteteve jetike në këto pjesë, që është shtrirë me një vendim qeveritar dhe për fushat e arsimit dhe të administratës. Megjithatë, në këndvështrimin tim, e gjithë kjo panoramë “e ngrirë”, nuk mund të justifikohet thjesht me fatalitetin e devijimit të klimës, apo me gripin “nëpër këmbë”. Tek e fundit, jemi në dimër dhe situata të tilla janë të zakonshme. Një shtet paksa serioz nuk mund ta shesë paaftësinë e tij vetëm si alarm. Asgjë nuk mund ta justifikojë bllokimin e akseve nacionale, kur dihej që i ftohti dhe bora do të vinin dhe as ato rajonale. Falë teknologjisë, paralajmërimet prandaj dhe janë. Për të marrë masat e duhura. Po këtu, as pushteti qendror dhe as ai lokal nuk funksionojnë. Ne përfundimisht kemi një shtet “veror”, gjithmonë të zhveshur nga përgjegjësitë, shtet inercik, shtet arbitrar që fuqinë e tij e tregon me njerëzit e pafuqishëm dhe që dorëzohet atëherë kur duhet të luajë rolin e tij, si i tillë. Pa dashur ta politizoj çështjen, mua më duket se e jashtëzakonshmja tek ne më shumë se tek klima, është brenda tek qeveria dhe paaftësia e saj ulëritëse, për të përballur gjendje të tilla.

Në bazë të informacioneve që ju keni si kreu i Departamentit të Arsimit në PD, situata e krijuar ka detyruar dhe autoritet të mbyllin shkollat të paktën deri të hënën, por që nuk përjashtohet mundësia për një tjetër shtyrje disa ditore. Në fakt arsyeja e mbylljes së shkollave, sipas jush, ka të bëjë me epideminë gripale apo me amortizimin e shkollave? Cila është gjendja reale në shkollat shqiptare?

Mbyllja e shkollave me iniciativën e Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të situatës gripale, ishte sa “për të larë” injorancën e Ministrisë së Arsimit, e cila e nis vitin kalendarik në shkolla në mesjavë dhe jo fillimjavë dhe për të mbytur të vërtetën e hidhur të shkollave. Data 5 (e mërkurë) ishte thjesht një absurd i strukturës së vitit shkollor i radhës i kësaj ministrie. Ministria e Shëndetësisë, nga ana e saj, duhet të merrte ato masa që i takojnë, përsa i përket profilaksisë dhe të trajtimit me mjekimet e ofruara dhe shpërndarjes së medikamenteve, pse jo falas në raste të tilla, që i konsideron emergjente. Personalisht, situatën gripale nuk e konsideroj si mos-shkak dhe deri diku e mbështes. Por duhet thënë që në situata të ngjashme, që për hir së vërtetës janë periodike, shkolla ka vazhduar. Më shumë se gripi, them që arsyeja themelore është gjendja katastrofike e infrastrukturës shkollore, e degraduar në këto katër vite dhe tërësisht e pa investuar për të përballuar klimën e ftohtë. Ka një mjerim sipëror të ambienteve shkollore kudo, ku mungojnë kushtet me minimale për të realizuar procesin mësimor. Ka një kontrast të madh midis zyrave luksoze të ministrisë së Arsimit ku vegjetojnë e shullëhen militantë mediokër dhe një shkolle, madje në mes të qytetit, ku nxënës e mësues që japin e marrin dije, ngrijnë së ftohti. Edhe ato investime që u bënë deri në 2013, janë shkatërruar në përmasa të parikuperueshme. Është fatale që kjo qeverisje prej vitesh ka braktisur investimet ne arsim. Beqja në këtë rast, më duket shumë i brishtë për të mbajtur njëkohësisht dhe çadrën e koncesioneve korruptive dhe çadrën e paaftësisë së vetes e kolegëve dhe të Ramës.

Gjithë ky alarm dhe mbledhjet e shtabeve të emergjencave, a ju duket se po bëhet fushatë me situatën e krijuar, pasi në vendin tonë nuk është se kanë munguar reshjet e dëborës edhe në të kaluarën? Apo janë të domosdoshme këto mbledhje?

Paaftësia e kësaj qeverisje është jo vetëm ulëritëse, siç e parashpreha. Ajo është bërë gjithnjë e më shumë e frikshme. E them këtë, sepse pikërisht në kulmin e përgjegjshmërisë së saj këta vazhdojnë të shesin propagandë pa hesap. Kërkojnë të përfitojnë dhe nga papërgjegjshmëria dhe paaftësia e vet. Kjo është e tmerrshme. Normal duhet të ketë shtabe emergjence për të vënë në lëvizje makinerinë shtetërore. Por kur kjo makineri është e kalbur që në drejtim si i bëhet?! Atëherë bëhet gjoja: Dilet në ekrane me fytyra të vrerosura, me demek të shqetësuara për popullin dhe me kokën poshtë a thua tek ato letrat para është fshehur zgjidhja. Aq më tepër që tani ka filluar pothuaj fushata, shkëlqimi i këtyre shtabeve shterpë bëhet më i fortë që ndikimi të jetë më i madh. Bëhet sikur harrohet që ky i ftohtë dimri është dhe si i tillë pritej. Madje, situata dhe më të vështira se kjo, vite të shkuara, janë përballur me shumë sukses dhe pa bujë e zhurmë. Për këtë arsye ato që bëjnë pjesë në ato shtabe duhet që masat t’i kishin marrë me kohë. Që akset mos bllokohen, që transporti i fëmijëve në shkolla të jetë i sigurt, që shkollat të ishin funksionale, që dritat mos mungojnë, që furnizimet me ushqime dhe mjetet jetike të mos ndërpriten etj. Përkundër kësaj, ato sot, pasi kanë drekuar bollshëm nën qelepir, na dalin para ekraneve në mbledhje, që nën avujt e dehjes nga pushteti, duke pritur të marrin si dhuratë zgjidhjen e situatës nga Zoti. Kjo është e turpshme. Mbledhjet e tyre janë si takime kafeje, për të bërë regjisurën e radhës për të tallur njerëzit dhe për t’i hedhur hi syve miletit.

SHKARKO APP