Adem Demaçi: Rama bëri atë që nuk bëri Enver Hoxha në ‘46
“E dija që Edi Rama do të guxojë të thotë në Beograd të vërtetën që e ka njohur dhe e ka pranuar e gjithë bota” , tha Demaçi për “Shekulli”.
“Me qëndrimin e tij në Beograd, Rama i dha fund iluzioneve qindra vjeçare të politikës serbe se Shqipëria nuk duhet të flasë për Kosovën. Shqipëria i tregoi Serbisë se ajo është e pavarur nga Evropa dhe Edi Rama i tregoi atyre se çfarë duhet të bëjnë, i tregoi atyre se serbët duhet të shohin nga Evropa dhe i tha që të mos shohin ëndrra me sy hapur për Kosovën. Rama i tha Vuçiçit atë që i ka kërkuar edhe vet Evropa, dhe Rama në Beograd i përçoi qëndrimin e Europës.
Atë që foli Rama e thonë çdo ditë liderët e Evropës dhe të gjithë botës. Kombet e Bashkuara e kanë njohur Kosovën. Gjyqi Ndërkombëtar i ka dhënë të drejtë kauzës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Serbia vijon të luajë rolin e hipokritit, dhe deklaratat e lajthitura të politikanëve serbë vetëm sa i shërbejnë faktorit ndërkombëtar për ta njohur më mirë megallomaninë e serbëve.
Po shpresojmë që ky të jetë një mësim për Amerikën që të mos vazhdojë t’i bëjë lëshime Serbisë në dëm të shqiptarëve. Serbia vazhdon të luajë me dy porta, në njërën anë dëshiron edhe të jetë me Evropën demokratike dhe nga ana tjetër nuk arrin të ndahet nga ideologjia e historia e saj dramatike”, thotë ai.
“Disa e kanë konsideruar vizitën e Ramës me atë që bëri Enveri në ‘46 kur e vizitoi ish-Jugosllavinë, e cila ishte një vizitë e turpshme. Hoxha ishte një servil dhe ishte i përulur ndaj serbëve. Ndërsa, kjo e sotmja, ishte një vizitë e lavdishme dhe na bëri krenarë, pasi Rama u tregoi atyre se Shqipëria nuk do të përulet më ndaj askujt.
Ai i bëri me dije të gjithëve se Shqipëria është pro marrëveshjeve diplomatike, ekonomike me të gjithë shtetet më të forta të botës, duke filluar me SHBA-në mike të madhe, Kinën dhe me Gjermaninë dhe gjithë shtetet e zhvilluara. Përulje më nga Shqipëria nuk do të ketë, do të ketë fqinjësi të mirë dhe do të jemi të barabartë. Serbia nëse nuk do që të “sharrojë” edhe më thellë, le të ndjekë rrugën e saj drejt Rusisë, në të kundërt, nëse do që të ndjekë rrugën e saj drejt Brukselit duhet të ndryshojë dhe retorikën e saj nacionaliste”, vijon më tej Demaçi.