Adriatik Llalla urdheron nisjen e hetimeve pas letrës së Brahos
Kryeprokurori Adriatik Llalla, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Tiranës për të verifikuar informacionet që deputeti i LSI-së, Spartak Braho i kishte renditur në një letër sekrete dërguar krerëve të institucioneve. Letra është marrë në dorëzim nga prokurorja e çështjes Antoneta Sevdari e cila ka nisur verifikimin e pretendimeve të deputetit Braho.
Mësohet se në letër, ndër të tjera Braho pretendon se ish-deputeti i Partisë Socialiste Tom Doshi dhe ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti po manipulojnë të arrestuarin Kastriot Ismailaj. Braho pretendon se Doshi dhe Prifti kanë takuar bashkëshorten e Ismailajt në një nga lokalet e hoteleve të njohura në Tiranë, ku kanë kërkuar që të ndikojë te bashkëshorti Kastriot Ismailaj të dëshmoi dhe implikojë në aferën e kompanisë CEZ, kreun e Kuvendit Ilir Meta.
Kryetari i Komisionit të Sigurisë, dyshon se Doshi me anë të presionit kërkon që i arrestuari Ismailaj të pranojë faktin se ka qenë Meta ai që e ka prezantuar me drejtuesin e kompanisë CEZ. Pavarësisht nisjes së hetimit, ku pritet të merret në pyetje Vojsava Ismailaj, bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, në media ka mohuar presionin nga deputeti Doshi. Vojsava Ismailaj ka pranuar se është takuar me deputetin Doshi me të cilin kanë njohje disa vjeçare por ka mohuar presionin apo nxitjen e tij për të ndryshuar dëshminë bashkëshorti i saj. Në një prononcimin për media, Vojsava Ismailaj e ka cilësuar letrën e deputeti Braho si një kërcënim i hapur që bashkëshorti i saj të heshtë dhe të tërhiqet nga padia në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë.
Ndërkohë ende nuk dihet nësë Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje për këtë takim deputetin Doshi apo do të kryejë verifikim mbi ndihmën e mundshme që ish-deputeti i PS-së i ka dhënë familjes së Kastriot Ismailajt.
KOHA JONË SONDAZH

