Afganët 1 vit në Shqipëri, Xhaçka: Kostoja e strehimit sa e shqiptarëve pas tërmetit

Nga Zëri i Amerikës

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u ofrua të presë qytetarët afganë që u detyruan të linin vendin e tyre për shkak të kërcënimit nga talebanët. Autoritetet u shprehën të gatshëm të strehonin deri në 4 mijë persona. Aktualisht, deri më tani, janë 662 afganë të mbërritur në Shqipëri. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Xhaçka tha se qëndrimi i afganëve në Shqipëri mund të zgjasë më shumë se një vit. Ajo i tha koleges Keida Kostreci se Shqipëria është e gatshme t’i pranojë ata afganë që mund të zgjedhin të qëndrojnë.

Zëri i Amerikës: Zonja Xhaçka, sa është numri i përgjithshëm i personave që Shqipëria do të presë, duke qenë se në fillim u fol për disa qindra, pastaj për disa mijëra…?

Olta Xhaçka:Në fakt kemi marrë angazhim, siç e thatë edhe ju, për rreth 4 mijë qytetarë afganë, të cilët kanë qenë partnerët dhe aleatët tanë për rreth 20 vjet në misionin e NATO-s në Afganistan. Dua ta bëj të qartë që këta njerëz nuk janë do të thosha refugjatë dosido apo emigrantë ekonomikë. Janë ajo elitë profesionale, mediatike, aktivistë të shoqërisë civile që kanë qenë partnerët tanë për 20 vjet. Dhe arsyeja pse janë sot refugjatë është pikërisht sepse kanë qenë aleatët tanë. Si të tillë janë të dënuar me vdekje ose persekutim nga regjimi i ri si tradhëtarë.

Për ne që i kemi jetuar dhe e kemi ndoshta ende të freskët luftën e klasave, kjo është një situatë lehtësisht e kuptueshme dhe do të kishte qenë e pafalshme apo ndoshta edhe një njollë turpi në ndërgjegjen tonë dhe të reputacionit të NATO-s nëse do t’i kishim braktisur. Dhe angazhimi ynë ka qenë për 4 mijë, paçka se për shkak të vështirësive të ndryshme me evakuimin e tyre apo me udhëtimin e tyre drejt Shqipërisë, kjo ka qenë thuajse e pamundur, të paktën për këto ditët e fundit apo përgjatë këtyre javëve të fundit të evakuimit të tyre.

Ndaj për momentin, kemi 662 qytetarë afganë që po strehohen në Shqipëri. Presim që të vijnë edhe të tjerë. Kemi familje që janë ndarë, për shkak të shpejtësisë së lëvizjes nga aeroporti i Kabulit. Kemi grupe të cilat kanë punuar me organizatat ndërkombëtare me të cilat ne sot po bashkëpunojmë, të cilët janë ndarë sërish për të njëjtat arsye. Presim të bashkojmë ata, por edhe të marrim të gjithë ata për të cilët jemi angazhuar që do t’i strehojmë dhe do t’i mbrojmë deri në lëvizjen e tyre, apo le të themi destinacionin e tyre final që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Fillimisht u fol për një qëndrim disa mujor të tyre në Shqipëri, ndërsa në vendimin e qeverisë parashikohet deri në një vit….. A ka tani ndonjë parashikim më të saktë për qëndrimin e tyre?

Olta Xhaçka: Është një proces që mund të kërkojë deri në 12 muaj, por ndoshta edhe më shumë. Ç’ka do të thotë që mes strehimit edhe procesimit të dokumentave të tyre do të ketë një kohë të konsiderueshme, duke patur parasysh që ata qytetarë afganë që ne kemi strehuar sot në Shqipëri janë shumë pak krahasuar me më shumë se 120 mijë të evakuar nga Shtetet e Bashkuara në vende të tjera, në baza ushtarake të cilat po procesojnë njëkohësisht për të marrë viza drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Do të thotë që është le të themi një ushtrim konsullor i përmasave të jashtëzakonshme që do të marrë kohën e vet. Ndaj kam përshtypjen që 12 muaj do të jenë minimumi i këtij procesi, për të mos thënë që do të zgjasë edhe më shumë se aq. Patjetër që ne jemi në një komunikim të vazhdueshëm si me partnerët ashtu edhe me të gjitha organizatat ndërkombëtare me të cilat po bashkëpunojmë, si për trajtimin e këtyre partnerëve, e këtyre grupeve që sot strehojmë në Shqipëri, si për një strategji më afatgjatë për të plotësuar të gjitha nevojat gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Bëhet fjalë për organizata shumë prestigjioze si National Endowment for Democracy, National Democratic Institute, Schmidt Futures, Yalda Hakim Foundation, International Republican Institute, Open Society Foundation dhe shumë të tjera me të cilat ne jemi duke bashkëpunuar.

Zëri i Amerikës: Zonja Xhaçka, aktualisht ata kanë statusin e mbrojtjes së përkohshme. Po nëse disa prej tyre do të kërkojnë të qëndrojnë në Shqipëri, çfarë ndodh në këtë rast?

Olta Xhaçka: Patjetër. Ua thashë që bëhet fjalë për elitën kulturore, shoqërore, profesionale të Afganistanit. Është një grup me kualifikime profesionale vërtetë të larta. Ata janë gazetarë, fiancierë, mjekë, artistë, aktivisët të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të grave, grafikë dizajnësh, inxhinierë. Pra, këto janë kualifikime me të cila do të aplikonin për programe të imigracionit në çdo vend evropianë apo më tej. Ndaj, ne kemi shprehur gatishmërinë për t’i pranuar këta qytetarë afganë, sigurisht me kushtin dhe dëshirën e tyre për të vazhduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, nëse ata do të shprehnin dëshirën për të qëndruar, do të ishim shumë të kënaqur që ta bënim Shqipërinë shtëpinë e tyre, duke pasur parasysh që janë një kontingjent, që unë besoj që për aftësitë që kanë, për kualifikimet profesionale që kanë do të ishin lehtësisht të integrueshëm.

Zëri i Amerikës: Zonja Xhaçka, si do të mbulohet kostoja e qëndrimit të tyre?

Olta Xhaçka: Patjetër që është një proçes që e thamë do të shkojë përtej 12 muajve që do të kërkojë me strehime të ushqimit, shëndetësisë, arsimit, sigurisë e shumë nevojave dhe shërbimeve tjera. Do të kërkonte një kosto të posaçme që ndoshta do të ishte e papërballueshme për buxhetin e Shqipërisë. Kjo është arsye pse partnerët tanë në këto negociata e kanë sugjeruar përballimin e kostove nga ana e tyre. Dhe për më tepër, kemi mbështetjen e tyre në procesin e aplikimit për marrjen e vizave për të vazhduar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për momentin, ata janë duke u trajtuar le të themi pak a shumë me të njëjtat kosto që kanë pasur qytetarët shqiptarë pas tërmetit, kur jemi detyruar që t’i strehojmë nëpër strukturat hoteliere të vendit. Në vazhdim, jemi duke hartuar një strategji më afatgjatë për plotësimin e të gjitha nevojave të tyre bashkë me partnerët, institucionet shtetërore që janë të angazhuara në këtë proçes dhe organizatat ndërkombëtare me të cilat po bashkëpunojmë.

Zëri i Amerikës: Zonja ministre, dhe një pyetje të fundit. Shqipëria mbetet në pritje të një konsensusi mes vendeve anëtare për nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Tanimë, ajo ka mbetur peng i qëndrimit të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. A shihni ju ndonjë hapësirë që të gjendet një zgjidhje e shpejtë e këtij ngërçi, dhe nëse jo, a parashikoni që vendimi për Shqipërinë të mos kushtëzohet nga problemi mes Sofjes dhe Shkupit, dhe të mund të merret brenda këtij viti?

Olta Xhaçka: Ne kemi parë shpesh që çështjet e integrimit evropian gjithnjë e më tepër po bëhen më shumë politike sesa teknike. Ka shpesh vende që për shkak të konsideratave të brendshme, kalkulimeve të brendshme politike, fatkeqësisht, po bllokojnë një proçes, i cili do të duhet të ishte meritokratik. Duke qenë që Shqipëria i ka përmbushur të gjitha obligimete saj, i ka bërë të gjitha detyrat e saj dhe duhet të avancojë në këtë proçes, ne presim realisht një dritare mundësie që mund të vijë në këto dy muajt e ardhshëm, gjithmonë përmes një konsensusi mes qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Shpresojmë shumë në konstruktivitetin e partnerëve tanë evropianë që kjo gjë të ndodh. Dhe shpresojmë që të kemi zhvillime pozitive. Mendoj gjithashtu që edhe kjo që po ndodh sot me mikpritjen e afganëve, besoj që është një gjë plus që i shtohet imazhit pozitiv të Shqipërisë. Kjo kontribuon edhe në një rritje të staturës së saj në politikën e jashtme, por edhe në perceptimin e partnerëve për ne, si ata të NATOS, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atyre të Bashkimit Evropian, që ne jemi vend i vogël që patjetër kemi ditur të faktorizohemi në skenën ndëkombëtare falë një pjekurie të politikës sonë të jashtme, apo politikave konstruktive në rajon.

Por, që falë gjithë sa po bëjmë në këtë moment, edhe presidencës së OSBE-së, mandatit në Këshillin e Sigurimit, dhe zhvillimeve në rajon, ku do të veçoja Ballkanin e Hapur, dhe së fundmi mikpritjen e afganëve, besoj që këto janë momente të rëndësishme që e konfirmojnë rolin e Shqipërisë si një aktor serioz, me ide, iniciativë që merr përsipër përgjejgësi dhe sfida dhe kontribuon edhe përtej përmasave, le të themi të veta, si një vend që kontribuon në politikën ndërkombëtare. Dhe besoj që edhe kjo i shtohet imazhit pozitiv që Shqipëria të avancojë në procesin e integrimit.

SHKARKO APP