Afganët për ”Zërin e Amerikës”: Të sigurtë në Shqipëri, por shumë të shqetësuar për atdheun (VIDEO)

Nga: Zëri i Amerikës

Shqipëria po strehon 607 shtetas afganë të ikur nga trazirat në Kabul. Një avion me 150 qytetarë afganë të tjerë mbërriti sot në Aeroportin Nënë Tereza të Rinasit. Ata u strehuan në Qytetin Studenti pranë Tiranës dhe në hotelet e Durrësit. Shumica e tyre janë veprimtarë të shoqërisë civile, gazetarë e studentë, si dhe shumë fëmijë. Pjesa më e madhe e qytetarëve afganë të ardhur nga Kabuli në Shqipëri janë gra e vajza si dhe shumë fëmijë. Ata tani luajnë në oborin e konviktit dhe lëvizin të qetë në mjediset e Qytetit Studenti në periferi të Tiranës, ndërsa janë të rrethuar nga kujdestarë e roje, si dhe nga shikimet kureshtare e dashamirëse të banorëve vendas.

“Jam gazetare, eh… isha gazetare në qytetin tim, në Herat”, – thotë Zijagul Azimi, kryeredaktore në Agjencinë e Lajmeve mbi Gratë e Afganistanit. Ajo erdhi e vetme nga Herati në Kabul dhe nga Kabuli në Tiranë, por prapa la gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes.

“Kur e lashë Heratin, qytetin tim, unë humba gjithçka; punën time, familjen time. Gjithçka. Humba lidhjet me familjen. Ata janë ende në Herat. Talebanët i ndjekin familjet e gazetarëve, ata mund ta gjejnë familjen time dhe mund ta vrasin. Famijla ime shkoi në një shtëpi tjetër dhe fshihen nga ndjekjet e talebanëve, ndaj jam shumë e shqetësuar për familjen time”, – thotë Zijagul.

Ajo është përpjekur të telefonojë familjen në Afganistan dhe të mësojë lajme për ta nga Shqipëria, por këtu sapo ka ardhur dhe nuk është e lehtë të gjejë lidhje të tilla. “Unë jam vetëm fizikisht këtu, zemra ime është tek atdheu im, tek njerëzit e mi. Dua përsëri të punoj si gazetare, por më duket e pamundur në këto kushte. Askush nuk di asgjë për të ardhmen” – thotë gazetarja nga Herati.

Ndërsa Muhamed Isa është vetëm 16 vjec, nxënës në klasën e 11 të Kolegjit. Ai erdhi në Shqipëri bashkë me familjen, dy prindërit, motrën dhe vëllain. Pak ditë më parë, ai thotë se ishte plot me ëndrra, shpresa dhe me plane për të ardhmen, sepse studionte në një prej shkollave më të mira të Afganistanit, por pas ardhjes së talebanëve i humbi të gjithë këto dëshira për shkollim.

“Babai im është gazetar dhe njëkohësisht professor në Universitet. Talebanët e kërcënuan atë disa herë dhe ai u detyrua të emigrojë. Talebanët anulluan gjithë fluturimet nga Herati në Kabul dhe ishte mjaft e vështirë të mbërrije në Kabul. Në kryeqytet shkuam me një autobus për 24 orë rresht udhëtim” – thotë Muhamedi i vogël.

Ai shtoi se Shqipëria ishte “vendi më i bukur që kishte parë jetën e vet”, se njerëzit këtu janë shumë të dashur, i ndihmojnë për çdo nevojë, dhe janë shumë të qetë. Tani ai shqetësohet shumë për një shok në vendlindje.

“Shoku im më i mirë ishte një gjeni në shkollë. Edhe ai donte të shkonte në vende të tjera këto ditë. Më duket se ka ngelur ende në Herat, ndaj dua që edhe ai të vijë këtu, sepse kishte shumë dëshira për të realizuar me matematikën dhe shkenca të tjera. Ka një mundësi që ai të dalë në Iran, por është shumë e vështirë të vijë këndej” – thotë Muhamed Isa.

Midis qytetarëve afganë të sapoardhur në Shqipëri ka edhe specialistë të ekonomisë dhe legjislacionit. Një prej tyre është edhe drejtuesi i Organizatës për Studime Ekonomike e ligjore të Afganistanit, Muhamed Halid Ramizi, i cili na kërkoi t’ja mbulonim fytyrën për arsye sigurie. Ai thotë se kjo ishte qendra kryesore e kërkimeve liberale në Afganistan.

“Unë punoja si drejtues i një prej qendrave studimore që mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe vlerave të tjera shoqërore si demokraci, liritë personale, ekonomia e tregut. Por për fat të keq, pas pushtimit nga talebanët, pasi ata erdhën në pushtet në Afganistan, hapësira jonë e punës u ngushtua mjaft, kështu që u bë e pamundur të veproje atje. Ata u munduan të na kapnin dhe mund të na vrisnin menjëherë”- thotë zoti Ramizi.

Organizatat ndërkombëtare partnere dhe qeveria shqiptare i sollën në Shqipëri atë me familjen, me kolegët dhe tani janë të sigurtë. “Tani po shohim çfarë do të ndodhë në Afganistan dhe jam i sigurtë që ne do të bëjmë shumë më tepër veprimtari nga jashtë Afganistanit për kombin afgan” – thotë zoti Ramizi.

Organizata e tij kishte 20 persona, pjesa më e madhe janë këtu në Shqipëri, dhe një pjesë në vendet fqinje të Afganistanit, si Pakistan e Taxhikistan por, sipas tij, atje ata janë të rrezikuar seriozisht nga grupet talebane.

“Në Shqipëri na pritën njerëz shumë miqësorë dhe të dashur, dhe ne kemi një respekt të madh për popullin shqiptar. Ne nuk donim ta linim atdheun tonë në ato kushte, por jeta jonë u rrezikua seriozisht. Këtu në Shqipëri jemi të sigurtë, na duan të gjithë, ndërkohë disa organizata po punojnë për të na dërguar në SHBA. Tani për tani po gëzojmë mbrojtjen dhe kujdesin e populit dhe qeverisë shqiptare” – thotë zoti Ramizi.

Brenda 4 ditëve të fundit kanë mbërritur në Aeroportin Nënë Tereza 6 avionë, duke strehuar në Shqipëri 607 qytetarë afganë të shpërngulur nga rreziqet e shtuara prej talebanëve në Kabul. Të dielën mbërritën edhe dy avionë të tjerë me 182 shtetas afganë të larguar nga Kabuli, mes të cilëve edhe nëna me fëmijë të mitur. Shqipëria u angazhua qysh në fillim për të strehuar shtetas afganë, që po largohen nga atdheu i tyre, sepse rrezikohen të vriten nga talebanët. Autoritetet shqiptare janë shprehur se mund të presin deri në 4 mijë qytetarë afganë dhe kanë bërë gati për mikpritjen e tyre një numër të konsiderueshëm hotelesh dhe kampuse studentore.

SHKARKO APP