Afrim Krasniqi: Kemi nevojë urgjente për revolucion

Nga Afrim Krasniqi –
Lajmi kryesor i medias perëndimore vijojnë të jenë protesta në Minsk (Bjellorusi), – ku qytetarët sfidojnë çdo ditë një President të korruptuar, arrogant, diktator dhe tashmë me automatikun në krah, edhe të çmendur pas pushtetit personal! Po, ata që protestojnë meritojnë solidaritet e admirim, sepse kanë vendosur të flasin, të dëgjohen dhe të rrezikojnë komoditetin personal në emër të një ideje e vlere shumë më të madhe. Në Tiranën londineze dhe me liderin tonë global, – po debatohet fort nëse do e zgjidhim krizën atje! Jemi marrë me këtë temë, ndaj sot po merremi me një detaj tjetër: shikoni dy fotot krahasuese, Misnku 2020 dhe Tirana 2020. E para, me 1000 probleme, por qytet i urbanizuar & i rregulluar, dhe Tirana jonë si fanar ndriçues në botë…në një zhvillim e urbanizim kaotik, disproporcional dhe pa vizion. Po, ndodh që diktaturat mund të jenë modele urbanizimi edhe sepse e mendojnë veten të përjetshëm apo se urdhërojnë dhe urdhërat e tyre zbatohen me detyrim nga të gjithë, siç bënte dikur edhe ai i yni, i cili kur bota rivalizonte për anijet kozmike harxhoi edhe qindarkën e fundit për të mbushur vendin me bunkerë! Modele Lukashenkoje kemi edhe ne këtu, me shumicë, – por ende nuk kemi një shtetar që ka kulturë minimale për urbanizimin, zhvillimin dhe jetën e përbashkët në një qytet. Ne ecim me parimin, – “më i forti, ndërton kullën më të madhe, – kulla më e madhe bën donacionet më të mëdha në zgjedhje dhe zgjedhjet legjitimojnë pronarin e kullës dhe klientin e tij, që zakonisht quhet deputet, ministër, kryeministër, kryetar bashkie, këshilltar, president, gjyqtar, prokuror, botues, etj, etj!
E dini që ne jemi vendi i vetëm në botë, i cili pronarët e vërtetë i quan ish pronarë, ndërkohë që “me letra” kemi legalizuar pronarë për të gjithë zonën e bregdetit, për shtratet e lumenjve, për pyjet dhe malet, për ujëvarat, për kinematë e muzetë, për godinën e pavarësisë dhe të qeverisë së parë, për vendstrehimet romake dhe së fundi edhe pronarë të peshqve në det?
Kaq mjafton për të kuptuar se ne kemi nevojë jetike për revolucion, – jo nga ai në Minks, sepse atë nuk e bën kurrë një popull që nuk bëri asnjë protestë në 46 vjet të diktaturës së tij, – por nga ai që ndodh në çdo qytet evropian, – revolucion për qytetari, për përgjegjësi, për vizion e mendim strategjik, për sistem të ri vlerash dhe së paku për ta mbrojtur Shqipërinë para se disa individë ta legalizojnë si pronë të tyre.

SHKARKO APP