Aktori i njohur Agron Llakaj në 1-vjetorin e vdekjes së Koço Devoles: Po dekorohen edhe lokalet së fundmi si “Mjeshtër i Madh”, kurse Devole jo!
Nga Agron Llakaj
Eh mor Koço Devole…!
Sot 1 vit nga dita kur u largove përgjithmonë. Çdo ikje është e rëndë, e hidhur dhe plot dhimbje, ashtu siç ishte dhe largimi yt.
Koço i dashur, jeta dhe puna na rrëmben, rutina na bën që të të mos mendojmë çdo ditë, por sa herë gjatë punës e procesit krijues, përmendim emrin tënd si referim, sepse ti je “Mali i rëndë” me të cilin matemi për t’u ngjitur të gjithë…
Ti duhet të jesh libër në shkollen e artit të komedisë.
Unë s’kam fuqi të vendos që në këtë përvjetor të parë të largimit tënd të të nderonin me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, duke u mbledhur dhe folur për Ty…,se siç e ke thënë Ti me gjallje…, ” është lëshuar dora sa nuk mblidhet më ! “. Po dekorohen edhe lokalet. Së fundmi urdhërin “Mjeshtër i Madh” e mori dhe “paçja” o Koço , sepse është pjata e preferuar e një shokut të Presidentit.
Nejse, që të mos e zgjas sepse ti nuk i kishe shumë qejf llafet e shumta. Po meqë jemi tek shteti, kam shumë dëshirë që një sallë e Teatrit të humorit apo Estradës në Tiranë të marrë emrin tënd, Teatri “Koço Devole”…. Eshe në mos paçin talentin sa Ty, emri që do mbajë teatri, do ketë peshën e emrit dhe artit tënd magjik.
Koço i shtrenjtë !
Ka plot të tjerë që kanë ctë flasin e shkruajnë për Ty, edhe më shumë se mua, por është ” beteja ” ime që Ti dhe emri yt të gdhënden jo thjesht në memorien e njerëzve, por në memorien e kombit që quhet histori sepse historia e humorit shqiptar ka shumë emra te nderuar dhe thellësisht të respektuar, por kurrë një emër si Yti.
Ti ishe, je dhe do mbetesh Aristokrati i komedisë shqiptar. Perandori i Humorit shqiptar.