Agron Shehaj për opozitën, bashkëpunimi me Ramën dhe betejën në kuvend: Rinia fokusi im

Flet për “Koha Jonë”, deputeti i ri i PD-së, Agron Shehaj: Fokusi im do të jenë të rinjtë

Intervistoi: Redjon Shtylla

Lë pas biznesin për t’iu përkushtuar misionit si deputet. Është Agron Shehaj, i pari i listës së PD-së në Vlorë, ku në një rrëfim për “Koha Jonë”, tregon për fokusin që do të ketë, si i sheh kritikët e Bashës dhe nëse për hir të ekonomisë, do të ketë bashkëpunim mes tij dhe Kryeministrit Rama. “Fokusi im do jenë të rinjtë që kanë dëshirën dhe vullnetin që të ecin në jetë në mënyrë të drejtë dhe të ndershme”. Ai shton se betejën e ka me”ujqërit” e qeverisë. “Beteja ime e vetme është kundër këtyre qeveritarëve që bashkë me rrethin e tyre të ngushtë, të pangopur dhe pa turp, pasurohen dhe fuqizohen gjithmonë e më shumë, ndërkohë që me qindra mijëra shqiptarë, me punë dhe pa punë, me shkollë dhe pa shkollë, të moshuar, të rinj dhe adoleshentë ikin jashtë shtetit për një të ardhme më të mirë sepse këtu nuk ja dalin dot ujqërve. Shehaj, një personalitet që pritet të sjellë ndryshimin e munguar tek rinia, për të cilin ai premton se përmes IT, do ti sjellë atyre më shumë mundësi.

Z.Shehaj, në shtator do të merrni mandatin si deputet, e ky angazhim i juaji vjen në një kohë ku 80 për qind e grupit parlamentar është me emra të rinj. Çfarë do të përmirësojë PD-ja në Kuvend me këtë ekip të ri ligjvënësish?

Pjesa më e madhe e shqiptarëve e ka humbur besimin te klasa politike, e tregon ikja masive e shqiptarëve në perëndim. Një pjesë e mirë prej nesh vjen nga shoqëria civile dhe nuk është marrë me politikë më përpara. Ne duhet t’ju kthejmë Shqiptarëve besimin se edhe në Shqipëri mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e ndershme, një shtet që respekton dhe mbron qytetarët si në perëndim. Duket e pamundur, por unë mendoj se me punë dhe këmbëngulje mund të bëhet gjithçka.

Në një intervistë para 25 qershorit, jeni shprehur se PD-ja ishte në opozitë për shkak të ish-ministrave por sot, ku PD-ja u fut në zgjedhje me një ekip të ri, sërish në opozitë shkoi, ku fitoi me një numër të ulët deputetësh në krahasim me vitet e shkuara. Në shtator është edhe përballja e grupit anti-Basha, si e shihni a duhet një bashkim apo beteja mes fraksioneve do të thellohet?

PS-ja fitoi zgjedhjet me mbështetjen e parave të drogës dhe të krimit. Gjithçka ka qenë e organizuar. Disa javë para zgjedhjeve kanë dalë në konferencë shtypi, Guvernatori dhe ministri Ahmetaj duke paralajmëruar rënien e Euro-s kundrejt lekut si pasojë e politikave që gjoja ata do të ndërmerrnin. Në të vërtetë ata e dinin që do përdorej një shumë prej miliona eurosh në treg për të blerë votat dhe kërkuan të ndërtonin një alibi të besueshme para se vlera e Euro-s të shkonte në pikiatë ashtu siç ndodhi. Në një vend normal ata duhet të jepnin llogari përpara drejtësisë. Në Llakatund, ku unë shkoja për takime elektorale, disa javë më vonë janë kapur 15 tonë drogë, 3 kamionë të mbushur plot. Duke patur parasysh që për të grumbulluar sasi të tilla duhet të mbjellësh dhe korrësh me qindra hektarë tokë dhe të punësosh me qindra punëtorë nuk ka asnjë mundësi që mos të kenë patur mbështetjen e pushtetarëve. Për sa i takon PD-së, unë nuk kam asnjë betejë kundër asnjë demokrati, i jam shumë mirënjohës PD-së për mundësinë që më dha. Beteja ime e vetme është kundër këtyre qeveritarëve që bashkë me rrethin e tyre të ngushtë, të pangopur dhe pa turp, pasurohen dhe fuqizohen gjithmonë e më shumë, ndërkohë që me qindra mijëra shqiptarë, me punë dhe pa punë, me shkollë dhe pa shkollë, të moshuar, të rinj dhe adoleshentë ikin jashtë shtetit për një të ardhme më të mirë sepse këtu nuk ja dalin dot ujqërve.

Vini nga fusha e biznesit si një pjesë e mirë e deputetëve. Si e keni menduar që profesionin tuaj ta përfshini në veprimtarinë politike jo vetëm në Parlament? Kë do të përfaqësojë Agroni?

Nga 2005 kur kam filluar kam krijuar me mijëra vende pune në Shqipëri për të rinjtë. Vitet e fundit kam investuar shumë në fushën e IT, duke krijuar “Start up” në Shqipëri dhe në perëndim të cilat punojnë në bashkëpunim me Google dhe Facebook. Në fund të shtatorit jam i ftuar te “Google’s Global Partner Executive Council” që do të mbahet në New York. Jam i bindur që fusha e IT është një oportunitet i jashtëzakonshëm për të rinjtë shqiptarë, si politikan do angazhohem që t’u krijojë kushtet që të formohen në këtë fushë dhe për këtë arsye jam duke krijuar një Akademi Dixhitale falas për të rinjtë. Fokusi im do jenë të rinjtë që kanë dëshirën dhe vullnetin që të ecin në jetë në mënyrë të drejtë dhe të ndershme.

Kryesuat listën nga e cila u “dogj” sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. Ju jeni shprehur se gjatë fushatës në PD kishte nga ata që punuan kundër. Por sot, dy muaj pas zgjedhjeve, pse disfata e PD-së në Vlorë ishte aq e madhe sa la jashtë kuvendit edhe z.Ristani?

Nuk kuptoj ku e shikoni disfatën. PD mori 3 deputet, të njëjtin numër që kishte marrë edhe në zgjedhjet e 2013. Jam i mendimit që mungesa e koalicionit na penalizoi sepse nuk që e mundur të matej pesha e secilës parti aleate. Edhe se fushata ka zgjatur vetëm një muaj, kam punuar me mish dhe me shpirt që jo vetëm z. Ristani por edhe Dashamir Tahiri të merrte mandatin. Më vjen shumë keq që nuk ja dolëm.

Prezantimi juaj i parë u bë në “çadrën e lirisë”, e cila u mbyll me marrëveshjen e 18 majit, nga e cila në qeverinë Rama u përfshinë për mbrojtjen e zgjedhjeve edhe Ministrat teknik të PD-së. Nga raporti i tyre u theksua se zgjedhjet nuk ishin të lirë por pa specifikuar me raste konkrete se ku kishte abuzim me votën? A dështoi marrëveshja për z.Basha, pasi fitues doli Kryeministri Rama?

Çadra e Lirisë ishte një reagim i jashtëzakonshëm ndaj një situate të jashtëzakonshme ku pushteti me mbështetjen e Krimit dhe të Drogës kishte hequr çdo mundësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju gjykoni se marrëveshja dështoi sepse PD-ja humbi zgjedhjet, por nuk është kështu, unë mendoj se marrëveshja  nuk mjaftoi për të garantuar zgjedhjet sepse ajo mbeti thjesht në letër dhe nuk u zbatua nga PS-ja.

Z.Basha u rizgjodh kryetar me polemika, me kritikat e të “përjashtuarve” të cilët e kanë parë me skepticizëm garën në PD dhe listën për zgjdhjet e 25 qershorit. Ju si e shihni rimëkëmbjen e partisë?

Pothuajse 60.000 anëtarë të PD-së morën pjesë në zgjedhjet për Kryetar. Mesazhi i tyre ishte i qartë, mbështetje për Bashën dhe inkurajim për të gjithë që të mos luftojmë njëri tjetrin, por të punojmë bashkë për një PD më të fortë. Kjo është një forcë e jashtëzakonshme kundër së keqes që ka kapur pushtetin dhe që ka treguar se është e gatshme të bëj gjithçka për të mos e humbur atë.

Nga selia blu këto ditë ka dalë teza e votimit me detyrim. Si duhet ti lexojmë të tilla deklarata? A një pasqyrim i një realiteti që PD-ja nuk ka besimin e vetë demokratëve dhe kërkon ti imponojë votimin drejt partisë?

Votimi me detyrim ekziston në 26 vende të botës, midis tyre në Greqi, Belgjikë, Australi edhe në Itali deri në 1993. Synimi kryesor është të luftosh shitblerjen e votës dhe votat e marra nëpërmjet presionit. Votat e blera ndikojnë shumë në rezultatin final nëse pjesëmarrja në zgjedhje është e ulët. Sa më i lartë të jetë numri i votuesve aq më pak peshojnë votat e blera. Shitblerja e votës është një sëmundje e rëndë e demokracisë shqiptare dhe shumë e vështirë të provohet dhe të luftohet. Në parim nuk më pëlqen ideja për të detyruar qytetarët që të shkojnë të votojnë, por në këmbim të një mundimi të vogël nga ana e të gjithëve do zhdukej pothuajse fenomeni i shitblerjes së votës.

E shihni të nevojshëm një koalicion me LSI, për të qenë një opozitë më efikase?

Unë personalisht jo, por i mbetet forumeve drejtuese të partisë dhe kryetarit Basha, dhe sigurisht edhe grupit tonë parlamentar të dakordësojnë një strategji.

Si i keni parë raportin e dëgjesave të publikuara nga Kryeministri Rama? A duhet të besojnë qytetarët se me timonin në qeveri, problemet e tyre do jenë në optikën e Kryeministrit? A ishin nxjerrë në pah problemet e Vlorës?

Sinqerisht nuk më ka lënë mendja të merrem me shfaqjet e Kryeministrit. Mendoj se Kryeministri duhet ti lërë mbledhjet e sajuara nëpër lulishte e të përqendrohet te lufta kundër krimit dhe varfërisë që po i detyron shqiptarët të ikin në mërgim.

Për hir të ekonomisë, do të bashkëpunonit me Kryeministrin Rama?

Bashkëpunimet nuk janë shprehje dëshirash por nevoja për qeverisje të mirë. z. Rama ka rekordin e një qeverisje të keqe dhe në mandatin e parë fajin për këtë zgjodhi t’ia hidhte partnerit të vetë LSI-së. Nëse bashkëpunimet nuk bëhen sa për të gjetur dikë për ti ngjitur në shpinë faturën e dështimeve të tua, ato janë të mirëpritura.

SHKARKO APP