Karamuço: “Altin Dumani u ndoq nga dy makina”, ndërsa Curri tregon mesazhet kërcenuese nga Dubai
Dosja e fundit e SPAK me 50 urdhër-arreste ka shkundur botën e krimit në vend. Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço ngriti shqetësimin në “Top Story” për sigurinë e kryeprokurorit Altin Dumani.
Ai tha se pas takimit me deputetët ishte nervoz dhe sipas Karamuços, para një jave kryeprokurori Dumani është ndjekur nga dy makina që e kishin nën vështrim mafioz.
“Unë e pashë edhe dje, ishte pak i axhituar, nervoz, ka një trysni, por nuk e shfaq. Para një jave Dumani është përndjekur nga 2 makina mbrapa, atij i është dashur që të lërë një makinë jashtë, me të blinduarën është futur brenda. Ai është personi më i kërkuar në Shqipëri dhe shihet me lup çdo ditë”-u shpreh Karamuço.
Kurse analisti Arjan Curri tregoi edhe mesazhet kërcënuese që sipas tij kanë ardhur në adresë të kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani.
“Unë kam informacion se mbas publikimit të fletave të arrestimit të 50 vetave, Dumani ka marrë një kërcëmin në telefon me tekst që ‘ti edhe 4 vite ke, por mua do me kesh gjithmonë nga mbrapa’. E ka marrë këtë mesazh nga një numër me prejardhje nga Dubai, një numër një përdorimshëm, ky numër nuk ekziston më.
Problemi i tij është se çfarë do bëhet me mua kur të mbarojë mandati. Vetëm nëse Dumanin e marrin Shtetet e Bashkuara i japin një strehim atje, po të tjerët?”-u shpreh Curri.