Akademia e Shkencave uron Rexhep Meidanin: Pikё referimi pёr mbarё botёn akademike shqiptare e mё gjerё
Akademia e Shkencave ka uruar sot në 76-vjetorin e lindjes, një prej personaliteteve më të shquar të shkencës dhe të veprimit qytetar, akademikun dhe ish-presidentin Rexhep Meidani.
“Akademik Rexhep Meidani është nga ato figura të botës intelektuale shqiptare që kanë lënë gjurmë vetjake cilësore në të gjitha stadet e jetës, në të gjitha kohërat shoqërore dhe stinët politike, në fushëformimin e tyre dhe në detyrat publike që ka kryer. Nё personalitetin e tij janë ndёrthurur nё mёnyrë organike vlerat familjare me ato qytetare, personaliteti shkencor me staturёn e lartё tё zyrtarit publik tё shtetit. Ditёlindja e tij ёshtё njё arsye mё shumё pёr ta falenderuar publikisht kolegun dhe akademikun Meidani pёr gjithçka ka arritur nё jetёn e tij duke u bёrё pikё referimi pёr mbarё botёn akademike shqiptare e mё gjerё. Edhe 100, mik e koleg i shtrenjtë, me shëndet të mbarë e mendje të freskët, me rol gjithnjë evident në zhvillimin e dijes dhe lëvizjen shqiptare të mendimit”, shprehet Akademia e Shkencave.
Rexhep Meidani u lind në vitin 1944. Në rrethin e tij të jetës detyra më e lartë është ajo e Presidentit të Republikës së Shqipërisë (1997–2002), në kryerjen e së cilës u shqua për maturi dhe ekuilibër. Në jetën profesionale si fizikan ai ka fituar të gjitha gradat shkencore dhe titujt akademikë, që nga doktorata tek titujt “profesor” dhe “akademik”. Ai bën pjesë në atë grup ekspertësh të shkencave të sakta që u formuan në Perëndim dhe u shfaqën me zotësi konkurruese cilësore në atë mjedis në një kohë kur vendi ishte i mbyllur dhe nuk e njihte konkurrencën si faktor lëvizës të shoqërisë.
Akademiku Meidani kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1966). U emërua pedagog në katedrën e fizikës në Universitetin e Tiranës (1966). Kreu studimet pasuniversitare në Francë, në Universitetin e Kanës dhe në Universitetin “Paris XI”, ku mbrojti dhe doktoratën e ciklit të tretë në fizikën e trupave të ngurtë (1973-1976), ndërsa në Shqipëri përgatiti dhe një doktoraturë të dytë për gradën “doktor”. Vijoi veprimtarinë mësimore e kërkimore në Universitetin e Tiranës.
Si pedagog, përgjegjës katedre (1986-1990, 1992-1996) dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore (1988-1992), ka dhënë ndihmesë në zhvillimin e procesit mësimor e të veprimtarisë shkencore, sidomos në fushën e fizikës teorike (mekanikës kuantike, fizikës statike, fizikës së trupit të ngurtë etj.). Akademiku Meidani ka shkruar njё numër artikujsh shkencorё, tekste si dhe monografi tё fushёs, tё botuara brenda dhe jashtë vendit si: “Mbi lëvizjen fizike” (1985), “Të vërtetat dhe të fshehtat e entropisë” (2006), “A është deterministe teoria kuantike? – debat filozofiko-shkencor” (2007), “Mbi hapësirë-kohën” (2008), “Ndikime filozofike të paradigmës ajnshtajniane” (2015), “Mbi ndërtimin e botës”, (2016), “Entropia: rregulli e kaosi, informacioni e evolucioni” (2017); “Bazat teoriko-konceptuale të fizikës” (1997), “Fizika statike dhe termodinamika I, II” (1985) etj.
Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, Rexhep Meidani u aktivizua në jetën politike e shoqërore dhe dha ndihmesë në proceset demokratike që nisën në vend. Në dhjetor 1990 u emërua kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve të para pluraliste. Në votimet e qershorit 1997 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe në korrik 1997 u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë, mandat të cilin e mbajti deri në vitin 2002. Gjatë viteve 1986-1990 ka qenë anëtar i Komitetit për Mirëkuptimin Ballkanik dhe në vitet 1994-1996, kryetar i Bordit të Qendrës Shqiptare të të Drejtave të Njeriut.
Krahas studimeve shkencore, në vitet e fundit ka botuar shumë shkrime për problemin e Kosovës dhe zhvillimet në rajon e në vend, që janë përmbledhur në vëllimin “Presidenti Meidani dhe Kosova” (2000), “Politika, morali, shteti” (2003), “Kontratë me vetveten” (2004), “Kurthet e shtetit-komb” (2005), “Politika in vivo – in vitro” (2006), “Mbi qeverisjen I, II, III” (2009, 2010), “Beteja për votën” (2010), “Rëniet-ngritjet e demokracisë” (2011) etj.
Rexhep Meidani është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2003) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut (2015) dhe mban titullin “doctor honoris causa”, dhёnё nga Universiteti i Stambollit, i Selanikut, i Sofjes, i Romës, i Brixhportit (SHBA), i Portsmuthit (Angli), New York University i Tiranës etj. Është anëtar dhe anëtar nderi i institucioneve e organizmave të ndryshme, brenda e jashtë vendit, ndër të cilat mund të përmenden: Klubi i Madridit (Club of Madrid, Madrid, 2003); ICDC (Pragë, 2005); ICD (Berlin, 2011); NGIC (Baku, 2014); Bibliotheka Alexandrina (Egypt, 2015), etj. Rexhep Meidani është vlerësuar me “Çmimin e Republikës”, me urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe mjaft urdhra e medalje të dhëna nga institucione të vendeve të huaja.