Aksidenti tragjik, Ruçi shpreh ngushëllimet për familjen Gushi: Parandalim dhe zero tolerancë ndaj shkeljes së ligjeve
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen aksidentale nga jeta të katër anëtarëve të familjes Gushi. Ai e cilëson një lajm tronditës, teksa iu bën thirrje forcave të rendit dhe policisë rrugore te marrin masa parandaluese dhe të tregojnë zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjeve dhe rregullave të qarkullimit.
“Një lajm tronditës, për një tragjedi familjare që mbylli dyert e një shtëpie. U ndërpre aksidentalisht jeta e dy vajzave të mitura dhe e prindërve të tyre. Lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, qytetarët e Parosit dhe të gjithë ne. U bëj thirrje gjithë qytetarëve, posaçërisht drejtuesve të mjeteve, të bëjnë kujdes në rrugë. U bëj thirrje forcave të rendit dhe policisë rrugore te marrin masa parandaluese dhe të tregojnë zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjeve dhe rregullave të qarkullimit. U prehshin në paqe shpirtrat e vogëlusheve Eva dhe Anastasia dhe prindërve të tyre, Silvanës dhe Eduartit!”, shkruan Kryetari j Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.