Aktori Florjan Binaj: Veprim i shëmtuar i qeverisë, që çmimet i ndryshon në varësi të protestave
I pranishëm këtë pasdite në protestën para Kryeministrisë, aktori i humorit Florjan Binaj duke ritheksuar kërkesën e qytetarëve për lehtësim të taksave të karburantit, e quan një veprim të shëmtuar nga qeveria që ndryshimin e çmimeve e bën në varësi të protestave.
”Jo vetëm nga kjo protestë, por që nga dita e parë që kemi dalë ne kemi kërkuar një gjë shumë të thjeshtë që më pas e bënë dhe vendet e Ballkanit dhe Europës: lehtësimin nga taksat për ca çmime siç janë ushqimet e shportës. E ka bërë dhe Gjermania, vend tek i cili ne shkojmë të gjithë për të kërkuar punë apo siç e kanë bërë vendet e Ballkanit, duke lehtësuar disa nga taksat e karburantit, bie çmimi dhe normalisht lehtëson ekonominë. Kjo është e vetmja gjë që kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë”,-tha për emisionin ”Rudina”.
Rudina Magjistari: Ka një rënie të çmimeve sot, duket sikur ka pasur një reagim, jemi të ndërgjegjshëm që trendi do të jetë në rritje. Por çfarë mund të bëhet konkretisht sepse ka pasur vërtet një reflektim më herët, çmimet u rritën, u ulën, pra pati një mundësi për t’u ulur. Ka një abuzim nga biznesi në këtë rast?
Florian Binaj: Kjo nuk është protestë kundra biznesit, por kundra vendimmarrjes në proporcion të zhdrejtë me kohën që jetojmë. Nëse ne taksohemi pak kur është kohë e mirë, si mund të taksohemi më shumë kur jemi në kohë lufte? Mua më bën shumë për të qeshur fakti që sa herë më njoftojnë që do të kemi protestë, vjen Bordi i Transparencës dhe ul çmimin e naftës, sa i ndërpresim protestat Bordi i Transparencës ngre çmimin e naftës. Kjo është shumë e shëmtuar.
Rudina Magjistari: Sot ka pasur një ulje çmimesh, por sërish mbeten të larta.
Florian Binaj: Ne po kërkojmë siç kanë bërë vendet e Ballkanit, siç kanë bërë vendet e BE, në mos subvencionim, ulje, heqje ose pezullim të përkohshëm të disa taksave. Nuk ka asnjë filozofi tjetër. Fakti që neve na shajnë që bashkëpunojmë me rusët, që paguhemi nga ky, nga ai, që jemi këta, jemi ata, kjo tregon që qeveria e di që kemi të drejtë. Prandaj i them të gjithë qytetarëve që të bëhemi sa më shumë, ejani në shesh sepse sa më shumë të jemi ne, aq më e madhe është kjo pasqyra ku kjo qeveri mund të shohë veten e saj.