Akuza e aleatëve: Reforma zgjedhore e bllokuar, beteja e 2017 në rrezik, duhet ndryshim i sistemit

Reforma Zgjedhore

Aleatët e djathtë dhe të majtë, flasin për “Koha Jonë”: “26  vite në pushtet, PD-PS ndajnë pushtetin me parimin e lavjerrësit”

Nga: Redjon Shtylla

Swiss Digital Desktop Reklama

Më të interesuarat për ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor, janë partitë e vogla, pasi janë ato të cilat nuk kanë përfituar deri më sot nga sistemi aktual. Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, prej disa muajsh ka ngecur punën, e që fokusoi në Reformën në Drejtësi ka ende vëmendjen e plotë të politikës, por me ardhjen e sesionit të ri parlamentar, reforma zgjedhore do të jetë sfida për politikën.

Swiss Digital Mobile Reklama

Të kontaktuar nga gazeta “Koha Jonë”, aleatët e djathtë e të majtë, shprehen se zgjidhja më e mirë për ta është një sistem proporcional rajonal me korrektim kombëtar, gjë që ende nuk është miratuar. Ata kërkojnë një formulë që do u japë mundësinë të përfaqësojnë votuesit e tyre në Parlament. Sakaq zgjedhjet e pjesshme në Dibër, janë një test për këtë sistem aktual dhe që do të reflektojë në ndryshimet e sistemit. Sistemi aktual që është proporcional rajonal, i ndarë në 12 rajone i përjashton ato nga Parlamenti, pasi njeh partitë dhe jo kandidatin.

Me ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor, në kuadër të përgatitjes së Kodit të ri Zgjedhor, partitë e vogla kanë paraqitur. Dy partitë e mëdha, PD dhe PS i kanë përqendruar përgatitjet e tyre tek aspektet teknike të Kodit Zgjedhor, në disa pika të përgjithshme, por partitë e vogla, aleatët e tyre kërkojnë ndryshim total të sistemit.

Aleati i djathtë, Artur Roshi, i Ballit Kombëtar Demokrat, përveç korrektimit kombëtar, shton se nuk politika nuk bën reforma për të garantuar lirinë e votës, por bën reforma për të garantuar lirinë e vjedhjes. Zef Shtjefini, i Partisë Ora e Shqipërisë, aleat i opozitës, bën me dije se ata nuk kanë mbetur dhe të presim se çfarë mendojnë z.Rama dhe z.Basha, por janë plot 46 parti që kanë draftin e tyre. E për Adriatik Alimadhi, kreu i Ballit Kombëtar, Kryeministri Rama nuk ka dhënë asnjë mbështetje për reformën zgjedhore. Edhe aleati i PD-së, Sulejman Gjana i Partisë Lëvizja e Legaliteti pohon se qeveria “Rama”, nuk është e gatshme të bëjë një hap cilësor.

Aleati i majtë, Zef Bushati, i partisë Aleanca Demokristiane, akuzon se këto punë kanë afate, por që janë shkelur të gjitha. Ai shton se me këtë ligj zgjedhor beteja në 2017 mbetet mes PD-së dhe PS-së. Ndërsa Dhimitër Muslia, kryetar i Partisë Kristiane Demokrate, ka qartësuar se propozimet e partive duhen plotësuar. Për opozitën kjo është një reformë “betejë”, ku si një sfidë kryesore, ajo sheh përdorimin e teknologjisë.

Aleatët e djathtë

Përveç tryezës opozitare, ata shprehen se nuk mund të presin se çfarë hapa të ndërmarrin krerët e partive kryesore.

Artur Roshi: Ka ende kohë për të realizuar ndryshimet

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, ka konstatuar se në vend ekziston një trend negativ sepse mbas çdo lloj zgjedhjesh, bëhen reforma. Ai shton se nuk bëjmë reforma për të garantuar lirinë e votës, por bëjmë reforma për të garantuar lirinë e vjedhjes. Ai shton se: “Tjetër kërkesë e jona është financimi i drejtë i partive në mënyrë proporcionale me numrin e votave, sepse taksat e shqiptarëve duhen të ndahen në mënyrë proporcionale me besimin politik të tyre, për të stimuluar pluralizmin. Kreu Roshi, nënvizon se ka ende kohë për të realizuar këto ndryshime.  “Ata që mendojnë dhe pretendojnë të kundërtën, nuk kanë vullnet politik për t’i realizuar, ose më saktë janë mëkatarët e gjithë sistemit demokratik”,- u shpreh ai.

Zef Shtjefni: Duhet korrektim kombëtar, PD ta pranojë

Kryetari i Partisë Ora e Shqipërisë, deklaron se:”Rreth 46 parti të majta dhe të djathta, kanë bërë një draft projekt ligj dhe e kemi çuar në Parlament. Votim biometrik dhe numërim elektronik. Financimi i partive gjatë fushatës. Media të kemi akses më shumë gjatë fushatës, si partitë e mëdha”, u shpreh ai. Përsa i përket korrektim kombëtar, Shtjefni ka pohuar se i është prezantuar si ide kreut të demokratëve, por për PD është herët që korrektimi kombëtar të jetë risi për sistemin zgjedhor.

Adriatik Alimadhi: Rama nuk ka dhënë asnjë mbështetje për reformën zgjedhore

Një zë kritikues, kreu i Ballit Kombëtar pohon se vjedhja e votës nga PD-ja dhe PS-ja, ka ardhur në 25 vite si përgjegjësi morale përpara shqiptarëve. Kreu i Ballit Kombëtar, deklaron se, Rama si pretendues i problematikës për fenomenin e vjedhjes së votës, sot nuk ka qëndrim pozitiv. Edhe ai si aleatët e tjerë, kërkon një sistem zgjedhor proporcional rajonal, që duhet të shoqërohet me korrektimin kombëtar. Më tej ai shton se: “Administrimi i procesit zgjedhor në të gjitha nivelet duhet të bëhet nga komisione jo partiakë në të gjitha fazat, gjatë përgatitjes së procesit, gjatë votimit, numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve përfundimtare. Përdorimi i teknologjisë (pajisjeve elektronike) për të realizuar votimin dhe numërimin e votave do të ishte një garanci që në Shqipëri të realizoheshin zgjedhje me standarde, të lira dhe të ndershme. Lista të hapura për një konkurrim të hapur dhe të barabartë”,- tha ai.

Sulejman Gjana: Qeveria “Rama”, nuk është e gatshme të bëjë një hap cilësor

Kreu i Partia Lëvizja Legaliteti, ka shprehur se ky hap i parë që ka hedhur PD-ja për rishikimin e Kodit dhe sistemit Zgjedhor, kërkon një ndryshim thelbësor të situatës aktuale. Ai shton se: “Deformimet, tjetërsimi i votës, manipulimet gjatë procesit të numërimit dhe certifikimit të votave si dhe politizimi i procesit duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë”. Gjana, hedh akuzën se qeveria “Rama”, nuk është e gatshme të bëjë një hap cilësor, për të respektuar standardet demokratike dhe vlerat e saj.

 

Aleatët e majtë

Dhimitër Muslia: Duhet përmbushur vullneti politik i zgjedhësve

Kryetar i Partisë Kristiane Demokrate i ka të qarta kërkesat që lidhen me një sistem zgjedhor që përmbush vullnetin politik të zgjedhësve. Ai deklaron se: “Jemi shprehur për një sistem proporcional rajonal me korrektim kombëtar, lista të hapura, votim dhe numërim elektronik. Jemi shprehur njëkohësisht edhe për zvogëlimin e numrit të rajoneve”. Si edhe aleatët e vegjël, Muslia shton se ka mbështetur se duhet të kemi një fushatë zgjedhore të financuar nga Buxheti i Shtetit, me qëllim shmangien e kapjes së institucioneve nga elementët e krimit.

Zef Bushati: Me këtë ligj zgjedhor, beteja në 2017 mbetet mes PD-së dhe PS-së

Kryetari i Partisë Aleanca Demokristiane, ka akuzuar politikën, pasi që sipas tij, ende nuk po punohet për të pastruar klasën politike nga politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar. I pyetur se kush nuk është i interesuar për këtë reformë? Bushati deklaron se:”Është e thjeshtë për ta kuptuar. Ata që humbasin nga kjo reformë, PS-ja dhe PD-ja, ata që kanë 26 vite në pushtet, ata që e ndajnë pushtetin me parimin e lavjerrësit, një herë PS-ja e njëherë PD-ja”. Akuza e tij është se këto punë kanë afate, por që janë shkelur të gjitha. Bushati nënvizon se: “Me këtë ligj zgjedhor beteja në 2017-ën përsëri do të mbetet PD-ja me PS-në. Do luajë edhe në 2017 një rol të rëndësishëm LSI-ja, që ka zënë pozicionin e balancim të pushtetit. Të gjitha partitë e tjera nuk luajnë asnjë rol”.
Akuza

Aleatët shprehen se këto punë kanë afate por që janë shkelur të gjitha. Ata shprehen se qeveria “Rama”, nuk është e gatshme të bëjë një hap cilësor, për të respektuar standardet demokratike dhe vlerat e saj. Ata shtojnë se, Rama nuk ka dhënë asnjë mbështetje për reformën zgjedhore. PS-ja dhe PD-ja, kanë 26-së vite në pushtet, ata që e ndajnë pushtetin me parimin e lavjerrësit, një herë PS-ja e njëherë PD-ja.

Kërkesa

Aleatët kërkojnë një sistem zgjedhor proporcional rajonal, që duhet të shoqërohet me korrektimin kombëtar, gjë që ende nuk është pranuar nga Komisioni i Reformës Zgjedhore.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?