Akuzat e KLD për ministrin Tahiri
Akuzat që Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) ngriti ndaj Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, janë publikuar në media. Ministri u padit nga KLD në prokurori pasi sulmoi gjyqtarin Arjan Aliaj për arsyen e vetme se ai pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hako Çako, me kërkesë të prokurorisë që po heton skandalin e përgjimeve.
Ministri e sulmoi personalisht dhe nëpërmjet disa mediave pranë qeverisë gjyqtarin Aliaj. Ai e quajti atë një gjyqtar që ka liruar kriminelë, ndërsa në mediat pranë qeverisë u infiltruan informacione në lidhje me një hetim që policia kishte nisur kryesisht për pasurinë e gjyqtarit. Pasuria kishte të bënte me mënyrën se si e kishte blerë një shtëpi gjyqtari.
E gjithë vala e akuzave dhe sulmeve ndaj gjyqtarit ra kur Gjykata e Apelit e riktheu në detyrë Haki Çakon. Opozita foli për një intimidim të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit nga sulmi i paprecedent që Ministri i Brendshëm ndërmori ndaj gjyqtarit Aliaj.
KLD vlerësoi se në akuzat publike, Tahiri kishte shkelur disa ligje.
Në padinë që disponohet nga “GSH” renditen nenet që KLD-ja pretendon se ministri Tahiri i ka shkelur. Thuhet se ai ka shkelur nenin 317 të kodit të procedurës penale, nenin 278, pika 2 të kodit të procedurës penale, nenin 7, pika 108/2014 për Policinë e Shtetit dhe nenin 281, pika 4 të procedurës penale, duke sjellë pasoja në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Arian Aliaj.
KLD nënvizon se qëllimi i deklaratave të Ministrit ishte vetëm intimidimi, frikësimi dhe kanosja e gjyqtarit. Sipas KLD, Tahiri ka tejkaluar në mënyrë të paligjshme rolin institucional.
KLD thekson në padi se Saimir Tahiri ka vepruar për llogari personale.
Ministri po hetohet edhe vetë për pajisjen e përgjimit, ndonëse ndaj tij nuk janë ngritur zyrtarisht akuza.
Nëse do të shpallet fajtor për akuzat e KLD, Tahiri rrezikon të dënohet me gjobë ose burg deri në tre vjet.
KOHA JONË SONDAZH

