Akuzat e PD. Ministria e Brendshme: Janë fletë-rrufe
Pas akuzave të Partisë Demokratike për “shefat e policisë që janë të implikuar në trafikun e drogës”, ka reaguar Ministria e Brendshme.
Përmes një komunikate dërguar mediave, Ministria e Brendshme hedh poshtë të gjitha pretendimet duke i quajtur “fletë-rrufe”.
Sipas Ministrisë së drejtuar nga Saimir Tahiri, Policia e Shtetit është e angazhuar për të luftuar trafikun e drogës, ndërsa ka shtuar se opozita është pozicionuar kundër punës së policisë.
Reagimi i Ministrisë së Brendshme:
“Në mënyrë të përsëritur dhe të përditshme Partia Demokratike publikon nga salla e saj e konferencave të shtypit një fletë-rrufe akuzash false dhe denigruese, ndaj Policisë së Shtetit e drejtuesve të saj.
Me shume keqardhje vëmë re se këto fletë-rrufe të turpshme nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveç përbaltjes së Policisë së Shtetit dhe gjithçka përfshihet në to nuk ka të bëjë me realitetin e fakteve, po vjen nga kazani i thashethemeve të Liderit Dixhital të Partisë Demokratike.
Ministria e Brendshme e vlerëson përfundimisht të kotë, vazhdimin e përgënjeshtrimeve për serine e shpifjeve dhe të marrëzive që publikon çdo ditë selia e opozitës. Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit ka qenë dhe mbetet prioritet i Policisë së Shtetit, e cila në bashkëpunim me partneret ndërkombëtarë, po regjistron edhe këtë vit arritje të rëndësishme në këtë luftë.
Partia Demokratike fatkeqësisht vazhdon të luftoje Policinë e Shtetit, në një përpjekje të marrë dhe të dështuar, shëmbëlltyre e marrëzisë dhe dështimit të Liderit te saj Dixhital”.
KOHA JONË SONDAZH

