Alarmi nga FMN-ja, Spahiu: Referendumi i 25 Prillit, dita e zgjedhjes së një qeverie që mendon për qytetarët
Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu ka komentuar raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku nënvizon se qeveria parashikon me qëllim në buxhetin e vitit 2021 rritje të ardhurash, 10% më shumë se parashikimi për vitin 2020. Për të kjo është e gjitha e qëllimshme, që të justifikojë investimet elektorale me projekte jo prioritare dhe jo fizibël. ”Po jetojmë nën një qeveri që nuk diti të bëjë për qytetarët e saj në kohë normale, jo më të mendojë e përballojë kriza të tilla. Referendumi i 25 Prillit është dita e zgjedhjes së një parlamenti, e për rrjedhojë një qeverie, që mendon për qytetarët e saj”,-shkruan Spahiu.
Postimi i plotë i Përparim Spahiut:
ALARMI I FMN PER EKONOMINE, NE VESHIN E SHURDHER TE QEVERISE
Problemeve të ngritura çdo ditë nga opozita për gjendjen e rëndë ekonomike, stabilitetin financiar që dikton vetem angazhim fondesh në prioritete si shëndetësia dhe ndihma për bizneset në vështirësi (kujtoj që ne kemi pasur nivelet më të ulëta të financimit në rajon), qeveria u përgjigjet me krejt të kundërtën.
Parashikon me qëllim në buxhetin e vitit 2021 rritje të ardhurash 10% më shumë se parashikimi për vitin 2020.
E gjitha e qëllimshme, që të justifikojë investimet elektorale me projekte jo prioritare dhe jo fizibël.
Në një linjë me ne, FMN shprehet se:
“Pandemia Covid-19, e kombinuar me tërmetin e fortë që goditi Shqipërinë në nëntor 2019, ka rezultuar në presione shtesë të shpenzimeve dhe një tkurrje të madhe ekonomike, të cilat pritet të përmbysin trendin në rënie të borxhit në vitet e fundit dhe të rrisë borxhin publik të Shqipërisë në rreth 82 përqind të PBB-së në 2020. Një pandemi më e rëndë do të përkeqësonte parashikimin ekonomik të Shqipërisë përmes një turizmi më të dobët, remitancave, kërkesës së jashtme, investimeve të huaja direkte si dhe do të sillte kushte më të shtrënguara financimi”.
Po jetojmë nën një qeveri që nuk diti të bëjë për qytetarët e saj në kohë normale, jo më të mendojë e përballojë kriza të tilla. Referendumi i 25 Prillit është dita e zgjedhjes së një parlamenti, e për rrjedhojë një qeverie, që mendon për qytetarët e saj. #ShqiperiaShtepiaJuaj 🇦🇱