Albin Kurti: Institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me 25 prillin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti teksa ka uruar Edi Ramën për fitoren, i ka bërë thirrje institucioneve në Shqipëri që të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me 25 prillin, kjo pasi pjesë e garës ishin edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetvendosje, ku akuzat e tyre për manipulim të procesit nuk munguan. ”Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies”,-shkruan Kurti në facebook.
Postimi i plotë
Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare.
Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies.
Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku.