Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar çon ambasadorin Soreca në SPAK
Pas akuzës publike, Aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka dorëzuar sot në SPAK një padi për ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, pasi për ta ky i fundit ka tentuar që të ushtrojë ndikim te Gjykata Kushtetuese për vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar. I paditur është edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj. “I kemi kërkuar SPAK që të sekuestrojë telefonat e Sorecës dhe Veliajt, SPAK dhe GJKKO duhet të dalin me qëndrim të prerë, ne jemi të bindur se SPAK përmes hetimeve do na japin të drejtë”,-tha përfaqësuesja ligjore e Aleancës, Adriana Kalaja në një prononcim për mediat, ku theksoi edhe se është e papranueshme që takime të një niveli të tillë, siç ishte ai mes Sorecës dhe kryetares së Gjykatës Vitore Tushe të kalohen në heshtje dhe në fshehtësi.
Kallëzimi
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka paditur z. Soreca dhe Erion Veliajn për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë”, parashikuar nga neni 244/a i Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë”, parashikuar nga neni 259/a i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 25 i Kodit Penal.
E gjejmë me vend t`Ju theksojmë faktin se megjithëse Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 02.07.2021 na ka dhënë të drejtë, se ne si qytetarë të këtij vendi të Republikës së Shqipërisë që aq shumë dëshirojmë të aderojmë në Bashkimin Evropian, e shohim me shumë shqetësim sjelljen e përfaqësuesit të BE-së në Tiranë si lobues në favor të Kryetarit të Bashkisë Tiranë (dhe jo vetëm) në shkelje të plotë të parashikimeve të Konventës së Vjenës dhe konkretisht nenet 41 dhe 42, duke ulur dukshëm jo vetëm reputacionin personal por edhe atë të Delegacionit të Bashkimit Evropian.
Shqetësimit tonë publik në lidhje me këtë takim “zyrtar” jashtë formatit standard të transparencës, jo vetëm që i duhej kthyer një përgjigje në lartësinë e shqetësimit publik në lidhje me efektet që ka prodhuar ky takim, por edhe një transparencë e plotë bazuar në dispozita ligjore në lidhje me protokollin e këtij takimi.