Aleatët e Ramës: Pro dhe kundra “trafikimit” të votës

Në një prononcim për “Koha Jonë”, aleatët e koalicionit për Shqipërinë Europiane shprehen se: “Nëse ka deputet që dalin për shitje në treg, është një fatkeqësi”

Redjon Shtylla

Reforma në Drejtësi është kthyer në një trampolinë, ku akuzat dhe kritikat nuk mungojnë. Por ajo që ka ndezur arenën politike dhe grupet parlamentare është kalimi me votat e maxhorancës të draftit për ndryshimet kushtetuese në kalendarin e punimeve në kuvend, pa dakordësinë e opozitës. Mungesa e një konsensusi mes saj dhe maxhorancës, për ndërkombëtarët si pjesa më e rëndësishme e raporteve për reformën, tregon një neglizhencë nga ana e deputetëve, për të cilët ndërkombëtarë i kanë kërkuar që të përmbushin detyrimet e tyre. Në mbledhjen e djeshme të komisionit të posaçëm, opozita bojkoti pjesëmarrjen sepse për të mbetet primare zbatimi i Nenit 88, si pjesë e raportit të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Maxhoranca, e cila ka dhe shumicën e votave në parlament është e gatshme të miratojë draftin final, por edhe pse me një shumicë, ajo nuk e plotëson kushtin e 94 votave të kërkuara, e si zgjidhje është hedhur ideja e trafikimit të votave të demokratëve, ose siç janë cilësuar, “vota të blera”. Por çfarë do të sillte reformës kalimi i saj me vota të “trafikuara”, dhe është sa e ndershme është që të bëhet drejtësia me vota “të blera”?

Swiss Digital Desktop Reklama

Lidhur me këtë debat, aleatë të koalicionit maxhoritar, pjesë e Aleancës për Shqipërinë Europiane për zgjedhjet e fundit lokale, në një prononcim të tyrin për “Koha Jonë”, kanë shprehur qëndrimet e tyre, kritikat si dhe kanë kërkuar që kjo reformë të miratohet me dakordësinë e palëve parlamentare. Vetë Kryeministri është shprehur se PD-ja nuk e do reformën, por ka deputetë demokratë që do e votojë, pa qenë nevoja e blerjes së votës. Skënder Gjinushi, Kryetari i Partisë Socialdemokrate e Shqipërisë, në një prononcim për “Koha Jonë”, është shprehur se: “Ata që nuk e japin votën për reformën, janë ata që i tremben ndëshkimit pasi kanë përdorur mandatet e tyre për përfitime të paligjshme”,- deklaroi ai. Më tej z.Gjinushi nënvizon faktin se këtë herë po jepen vota jo të trafikuara për një reformë të certifikuar ndërkombëtarisht. “Trafik quhet kur blen mandate të kundërta për qeverisje jo kur jepet vota për reforma të certifikuara ndërkombëtarisht”,- shton Gjinushi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në një njëjtin linjë qëndron dhe Petro Koçi, kreu i Partisë Socialiste e Vërtetë ‘91, i cili deklaron se në qeverinë e Berishës, në 2007, Presidenti u zgjodh me vota “të blera”. Koçi kërkon një konsensus, e për këtë ai insiston që të mos arrihet deri te pika e trafikimit, por siç dhe shprehet ai më tej se: “Me një opozitë që s’ka interes të japë konsensus është vështirë ta lësh procesin në dorë të fatit dhe tekave”.

Edhe për kreun e Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë, Zef Bushati, trafikimi i votës nuk lindi sot por gjatë 26 vite politika ka mbjellë të tilla pazare. Për të, nëse një Reformë kalon me vota të blera, është një turp. “Një skandal i fëlliqur që zakonisht e bëjnë njerëzit pa moral dhe karakter”,- shton Bushati.

Partia e Kristian Demokratëve ka dy vota në Kuvend, e ato do t’i përdorë pro reformës. Sipas prononcimit të kryetarit të PKD-së, Dhimitër Muslia, nëse do të ketë trafik vote, kjo do të varet nga personaliteti i individit. “Nëse ka deputet që kanë dalë për shitje në treg, atëherë është fatkeqësi”,- shprehet ai.

Për kreun e Aleanca Demokratike, Eduard Abazi, trafikimet e votave bëhen në fshehtësi apo edhe se refreni i votave të blera, tregon papërgjegjësisë e atyre që mandatohen.

 

Deklaratat e aleatëve të maxhorancës

 

Skënder Gjinushi: “Përmbledhtas do thoja më mirë me vota të trafikuara, në thonjëza, se sa me votat e trafikantëve. Ç’do të thotë? Të gjithë e kanë kuptuar se votën nuk duan ta japin për reformën ata që i tremben ndëshkimit pasi kanë përdorur mandatet, si ministra a deputet, për përfitime të paligjshme, pra kanë trafikuar politikisht mandatet. Një reformë me konsensusin e tyre a votën e tyre është më pak e besueshme, se me votat e atyre që janë jashtë diktatit të trafikantëve. Trafik quhet kur blen mandate të kundërta për qeverisje jo kur jepet vota për reforma të certifikuara ndërkombëtarisht”.

Petro Koçi: “Kur Berisha zgjodhi Presidentin në 2007-tën nuk ndodhi hataja. U konsiderua proces legjitim. Kjo nuk do të thotë se duhen ndërprerë përpjekjet për të gjetur konsensus. Po me një opozitë që s’ka interes të japë konsensus është vështirë ta lësh procesin në dorë të fatit dhe tekave. Projekti është ndërkombëtar dhe ky është argumenti fakt rreth, të cilit mund të justifikohet edhe arritja e kuorumit kushtetues pa pëlqimin zyrtar të opozitës. Unë jam nga ata që se kam votuar në parlament paketën e ndryshimeve kushtetuese të 2008-tës. Mendoni se kam gabuar? Ndërkombëtaret po bëjnë presion për ta kaluar domosdoshmërish reformën. Oligarkia politike financiare është kundër. Ushtari i kësaj oligarkie është PD. Ajo është e paracaktuar për të mos e votuar reformën. Po demonstron sjellje antiimperialiste të së kaluarës për të kundërshtuar. prandaj nuk mund të pritet një konsensus që është urdhëruar të mos jepet”.

Dhimitër Muslia: “Kristian Demokratët me votën e tyre në Kuvend do jenë pro reformës pa asnjë kusht. Hera e parë që Europa dhe Amerika dëshiron që të na bëjnë shtet dhe politika e vjetër është kundër. Ne jemi të bëjmë një shtet dhe të forcojmë institucionet dhe ti pastrojmë ato duke hequr të korruptuarit. Unë them se është detyrë kushtetuese e jetike reforma në drejtësi. Personaliteti i individit varet nga vetë ai, kështu që nëse ka deputet që kanë dalë për shitje në treg, atëherë është fatkeqësi. Është dakortësia me planin “B” Europian dhe të SHBA-ve. Nuk është meritë e maxhorancës, por e shqiptarëve”.

Zef Bushati: “Vota e trafikuar nuk është një risi, nuk është një fenomen që përflitet se do të ndodhë me rastin e votimit të Ligjit për Reformën në Drejtësi. Vota e trafikuar është fenomen i lashtë, i cili është përdorur edhe në Shqipëri. Vota e trafikuar është pjesë e korrupsionit në një shoqëri demokratike, dhe si e tillë ajo është luftuar dhe vazhdon të luftohet. Lufta bëhet më e fortë kur votën e trafikuar e lufton lidershipi, i cili në thelbin e tij i kushton një rëndësi të madhe “karakterit”. Kur lidershipi apo lidershipët janë pa karakter, lufta kundër votës së trafikuar zbehet dhe arrihet prej tyre deri në nivelin e përdorimit të votës së trafikuar. Pse pak është trafikuar vota këto 26 vitet e fundit? Të dy kampet e politikës e kanë përdorur intensivisht votën e trafikuar për të luftuar njëri-tjetrin. Edhe në rastin e fundit, PD-ja ka shumë frikë tek trafikimi i votës brenda grupit të saj parlamentar, se ka eksperiencë të bollshme në këtë fushë. Por nga ana tjetër kjo eksperiencë nuk mungon tek PS-ja, por tek lidershipi i saj, i cili këtë lloj eksperience e ka në fillimet e saj. Që të trafikosh votën është një turp, një skandal i fëlliqur që zakonisht e bëjnë njerëzit pa moral dhe karakter. Po njerëz tillë e me këto karakteristika nuk mungojë në politikë, në qeveri, në Parlament, në gjyqësor e kudo. Ky është kontingjenti që sjell dhe ushqen korrupsionin, kriminalitetin, prostitucionin, drogën etj. Peshqit e kuq të liqenit artificial të Tiranës u zhdukën nga pisllëku, e llumi që i mbyti, nuk i la të jetojnë. Uroj që me ndihmën e SHBA-ve dhe BE-së, realiteti shqiptar të ndryshojë”.

Eduard Abazi: “Mendoj se miratimi i Reformës në Drejtësi është i nevojshëm për nxjerrjen e Shqipërisë nga ky kolaps politik, ekonomik, social, shoqëror dhe moral sot është i vonuar, ndërsa nesër bëhet i më i dëmshëm. Nëse miratimi i çdo i ligji është vetëm një akt,  zbatimi është një proces dhe do kohën e vet për të cilën shprehim  padurimin. Koha jo gjithmonë garanton produkt më të mirë, por fakti që jemi para një kushti prej ndërkombëtarëve për hapjen e negociatave, nuk na lejohet të gabojmë ashtu siç nuk duhet të abuzojmë. Lidhur me konsensusin të artikuluar sa herë u lipset të mbulojnë pazaret që i gatuajnë në kuzhina larg vëmendjes së qytetarit indiferent dhe në fshehtësi të atyre që shprehin interes e thënë kjo pasi vlera e të mirës apo të vërtetës nuk shtohet vetëm nga konsensusi. Reforma apo çdo ligj që tentohet të kalojë përmes trafikut të votave apo ”blerjes” dukuri shqiptare, është shprehje e papërgjegjësisë të atyre që mandatohen, del e vërteta në shesh se legjitimiteti i ligjvënësit është i cunguar dhe kjo vjen nga që zgjedhjet janë pa standarde dhe me mungesë legjitimiteti, ndaj fjala trafik në vlerësimin e tyre ka kuptimin si mundësi që e përdorin ato sipas rastit”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?