Aleatët regjistrohen për 13 Tetorin, Paloka: Jo përçarje e opozitës
13 Tetori njihet nga PD-ja si akt i ligjshëm për t’u respektuar. Në ditën e skadimit të afatit ligjor për regjistrimin e partive në zgjedhjet që Presidenti Ilir Meta ka dekretuar për zgjedhjet lokale, shtrohet pyetja se: A është ky një qëndrim që i përçan demokratët me aleatët që formalisht iu drejtuan KQZ-së për t’u regjistruar për zgjedhje më 13 tetor?
Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, shprehet se me rëndësi janë standardet e zgjedhjeve. “Të gjitha partitë kanë të drejtën e tyre të veprimit, por e rëndësishme është që kemi një datë zgjedhjesh të dekretuar nga Presidenti. Të gjitha institucionet që merren me zgjedhjet, kanë detyrimin ligjor që të zhvillojnë procedurat lidhur me këtë dekret. Regjistrohemi apo jo ne, kjo varet nga vendimet tona. Për ne, rëndësi kanë standardet e zgjedhjeve”,-thotë për ”A2 Cnn”.
Pavarësisht sinjaleve që vijnë nga aleatët se duhet negociuar edhe me Edi Ramën kryeministër, Paloka thotë se dialogu me të mund të bëhet vetëm si kryetar i PS: “Rama si kryeministër nuk mund të ulet në tavolinë me PD-në dhe nuk kam dëgjuar asnjë nga aleatët tanë të thonë ndryshe”. Demokratët ndodhen në takime intensive në bazë për të përgatitur strukturat për zgjedhjet e parakohshme, kurdo që ato të vijnë. Mazhoranca po merr drejtimin e të gjitha bashkive, pavarësisht rezistencës kundër rotacionit në disa bashki të demokratëve.