Aleatët: Sherefedin Shehu njeriu që i duhet Dibrës, qëndron jashtë lojërave politike

Partitë e koalicionit “Aleanca popullore për Punë dhe Dinjitet”, reagojnë për “Koha Jonë”, lidhur me zgjedhjet në Dibër dhe kandidatin e PD-së

Nga Redjon Shtylla

Koalicioni opozitar ka gati kandidatin potencial për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë në Dibër. Sherefedin Shehu kandidon për koalicionin “Aleanca popullore për Punë dhe Dinjitet”, ku ka mbështetjen e 12 parti. Aleatët e këtij koalicioni në disa prononcime dhe intervista për “Koha Jonë”, kanë shprehur qëndrimet e tyre mbi zgjedhjet në Dibër dhe për kandidatin e tyre, Sherefedin Shehu.

Swiss Digital Desktop Reklama

Aleati kryesor i PD-së, kreu i Partisë Republikave, Fatmir Mediu, në reagimin dhënë për gazetën, ka pohuar se Sherefedin Shehu, është pjesë e figurave intelektuale dhe qytetare të Dibrës. Sipas tij, Shehu mëshiron eksperiencën politike dhe qeverisëse, një njeri i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj të gjithë Dibranëve, të majtë e të djathtë. Duke folur për punën në Ministrinë e Financave, si Zëvëndësministër, Meidu deklaron se Shehu ka qenë njeriu kryesor në negocimet dhe projektet e Bankës Botërore. “Sot gjithë strukturat e PD-së dhe partive aleate janë në mbështetje të tij. PS është përballë një disfatë të plotë dhe të një mungese të plotë morali dhe ndershmërie përballë Dibranëve, nëpërmjet medieve shërbëtore dhe të paguara kërkon që të krijoj opinione rreth problemesh që nuk qëndrojnë”,- shton Mediu.  Duke folur për mos mbështetjen që i është bërë Shehut nga ana e degës në Dibër, kreu i Republikanëve shton se: Rahim Kaleci, kryetar i PD-së është një intelektual i mirëfilltë dhe demokrat, kam njohje dhe kam biseduar me të dhe besoj se do ta kapërcej këtë moment duke gjykuar më të mirën për Dibrën dhe punën e tij si politikan me eksperiencë”. E ndërsa për strukturat e PR në Dibër, republikani pohon se janë prej ditësh pjesë e stafit të z.Shehu.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fatmir Mediu: “Sot gjithë strukturat e PD-së dhe partive aleate janë në mbështetje të tij. PS është përballë një disfate të plotë dhe të një mungese të plotë morali dhe ndershmërie përballë Dibranëve, nëpërmjet medieve shërbëtore dhe të paguara kërkon që të krijoj opinione rreth problemesh që nuk qëndrojnë”.

Aleati i opozitës në parlament, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, e cilëson kandidaturë e Shehut, si më e mira e mundshme. Duka shton se Shehu, përfaqëson eksperiencë qoftë në fushën legjislative ashtu edhe në atë menaxheriale. Duke u ndalur tek zgjedhjet, kreu i PAA-së, nënvizon se zgjedhjet vendore kanë një specifike që njerëzit janë të interesuar, më shumë për një personalitet që do të dijë të zgjidh problemet e përditshme që banorët e zonës hasin në vazhdimësi. Ai shton se z.Shehu është superior me kundërshtarin e tij, të paktën nga backgraundi i tyre. Përfundimisht, duke gjykuar në të mirë të banorëve të Peshkopisë, Duka konkuldon se do të votonte z.Shehu edhe nëse ai do ishte kandidaturë e së majtës. Aleati i PD-së shton se selia blu, duhet të bëjë ç’është e mundur për të shuar çdo lloj pakënaqësie e mosmarrëveshje. Kreu i PAA-së, deklaron se partia është në procesin e ndërtimit të strukturave në Peshkopi. Duka informon se ne vazhdim lidhur me këto zgjedhje me strukturat e PAA, për të ndihmuar kandidatin Sherefedin Shehu.

Agron Duka:“Zgjedhjet vendore kanë një specifike që njerëzit janë të interesuar, më shumë për një personalitet që do të dijë të zgjidh problemet e përditshme që banorët e zonës hasin në vazhdimësi, gjë për të cilën unë besoj që z.Shehu është superior me kundërshtarin e tij, të paktën nga backgraundi i tyre. Përfundimisht, duke gjykuar në të mirë të banorëve të Peshkopisë, unë do të votoja z.Shehu edhe nëse do ishte kandidaturë e së majtës”.

Zef Shtjefni, kreu i Partisë Ora e Shqipërisë e konsideron kandidimin e Sherefedin Shehu, si një kandidaturë fituese, si e vetmja mundësi për ta marrë Bashkinë e Dibrës. Ai shton se Partia Ora e Shqipërisë përfaqësohet me një këshilltare në Bashkinë Dibër dhe do punojmë fort për të dhënë kontributin për fitoren. Ndaj zërave që në Dibër, kandidati Shehu nuk ka mbështetje, Shtjefni i kundërshton duke pohuar se nuk kanë asnjë mundësi ta pengojnë fitoren e koalicionit që drejtohet nga z. Basha. Ai nënvizon se do të angazhohet me strukturat e partisë dhe me partitë e tjera të koalicionit, për fitore.

 

Kreu i PDK-së

Nard Ndoka: Shehu është jashtë lojërave e konjokturave të vogla lokale

Si e vlerësoni kandidimin e Sherefedin Shehut?

Një nga arsyet që Demokristianët nuk dolën me kandidat, ishte emri i Sherefedin Shehut. z.Shehu është një politikan dhe menaxhues ekselent në fushën e tij, me eksperiencë dhe i provuar ne përgjegjësi të larta, ku ka shërbyer me performancë maksimale. z.Shehu do lartësojë nivelin e përfaqësimit, si një garanci për qytetaret Dibrane, të cilët presin zgjedhjet edhe për shpagim, për dinjitetin e nëpërkëmbur nga lojërat dhe papërgjegjshmëria politike e maxhorancës aktuale. PS-ja e meriton braktisjen e madhe, jo vetëm nga aleatët por edhe nga votat e qytetarëve.

Si mendoni, pse dega në Dibër nuk është shfaqur shumë dashamirëse ndaj kandidaturës, dhe mendoni se do të dëmtojë PD-në?

Kandidati Shehu kalon përtej partive politike, lojërave e konjokturave të vogla lokale. Gjithmonë ka probleme në struktura partiake, po shumë rrallë ato ndikojnë tek vota qytetare, aq më tepër në këtë rast. Një grup partish, që mbështesin z.Shehu, janë një vlerë më shumë, jo vetëm për të amortizuar sherret e momentit në PD-në por për të krijuar një frymë besimi dhe sigurie tek fitorja. Sinjalet duken të qarta dhe ky është një proces, që do shoqërohet me një ringritje të opozitës në tërësi.

Cila është pritshmëria juaj për garën?

Fryma e koalicionit të madh opozitar tashmë është evident në Dibër, si një shpresë për vazhdimësi edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kandidati Shehu do të votohet nga shumica dërrmuese e qytetarëve Dibranë, të majtë dhe të djathtë sepse është një figurë emblematike për vete Dibranët në këto momente. Nga një politikan elitar në Kuvendin e Shqipërisë, rikthehet për të qëndruar si qytetar i parë i Dibrës.

 

 

Kreu i Ballit Kombëtar Demokrat

Roshi: Kandidati i PD-së, një figurë unifikuese e Dibranëve përtej bindjeve politike

Kreu i Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi është shprehur se kandidati është një nga politikanët e rrallë që përputh arsyen me politikën. Sipas tij, Sherefedin Shehu, është pjesë e ekonomistëve profesionistë që zhvilluan ekonominë, si dimension të lirisë së individit. I pyetur se si do mbështetet z.Shehu nga partia e tij, Roshi premton takime elektorale në mbështetje të Shehut, duke vënë në dukje forcën zhvilluese të pushtetit të së djathtës.

Jeni pjesë e koalicionit të PD-së për zgjedhjet në Dibër. Si e vlerësoni kandidimin e Sherefedin Shehut?

z.Sherefedin Shehu është një personalitet i ekonomisë shqiptare dhe i politikave ekonomike të djathta me fizionomi perëndimore. Është nga politikanët e rrallë që përputh arsyen me politikën. Është pjesë e ekonomistëve profesionistë që zhvilluan ekonominë, si dimension të lirisë së individit. Unë mendoj se kandidati i opozitës z.Shehu është një figurë unifikuese e Dibranëve përtej bindjeve politike, unifikues i dinjitetit dhe ndershmërisë, unifikues i maturisë dhe mençurisë, unifikues i zotësisë dhe krenarisë. Dibra ka një shans që ka një njeri si Sherefedini, për të menaxhuar prioritetet e bashkisë në përputhje me problemet e tyre dhe është një rast i unik për gjithë vendin. Një mundësi që të tregohet një model qeverisës vendor.

A mendoni se lajmet që strukturat e PD-së në Dibër nuk mbështesin kandidatin Shehu, do të dëmtojë PD-në dhe do ndikojnë në rezultatin final?

Opozita i ka këto dezinformimet e publikut dhuratë nga Qeveria me mediat e saj të klientelës por vlen të them se nuk janë të vërteta në nivelin e një shqetësimi politik, mbasi strukturat e PD-së kanë mirëpritur z.Sherefedin Shehu, me një emocion që vjen prej telepatisë së fitores dhe i kanë shprehur gatishmërinë për mbështetje maksimale.

Në çfarë forme do ta mbështesni kandidatin Shehu, cila është pritshmëria juaj për garën?

Balli Kombëtar Demokrat ka një këshilltar në bashkinë e Dibrës dhe gjithë votat tona të proporcionalit do mundohemi ti përkthejmë në vota mazhoritare nominale për z.Sherefedin Shehu. Do organizojmë takime elektorale në mbështetje të tij duke vënë në dukje forcën zhvilluese të pushtetit të së djathtës dhe cilësitë e rralla të kandidatit.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?